E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibranët shtatore gjigante në shesh për Skënderbeun

 

PESHKOPI/ HASAN PASHA

Dibranët do të nderojnë figurën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me një shtatore gjigante të tij në qendër të qytetit të Peshkopisë. Skulptori i njohur, Sadik Spahia, prej disa kohësh është mbyllur në studion e tij dhe po punon për këtë vepër që do të vendoset në shëtitoren "Elez Isufi", në oborrin e pallatit të kulturës. Nga puna e deritanishme duket se figura e heroit kombëtar i është përshtatur perceptimit tonë, ashtu siç edhe e kemi njohur nga historia. Biznesmeni dibran Zaim Korsi, ka vendosur të sponsorizojë përmendoren me dimensione 4.8 metra e lartë, 3.3 metra shtatorja dhe 1.5 metra bazamenti. Duket se një iniciativë e tillë e dibranëve, miratuar edhe nga Bashkia e Peshkopisë, ka një pikënisje edhe nga gojëdhënat se Skënderbeu ka një prejardhje nga fshati Sinë e Dibrës. Ndonëse kësaj ideje nuk i është mëshuar verbalisht, dibranët janë të kënaqur që busti tashmë do të qëndrojë në mes të qytetit të tyre. Por skulptori Spahia, i cili është edhe dekan i Fakultetit të Arteve Figurative në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe biznesmeni Korsi janë modestë të kësaj ideje. Ata u shprehën se kjo iniciativë e tyre nuk ka lidhje me gojëdhënat se heroi kombëtar ka një prejardhje në fshatin Sinë të Dibrës. "Heroi kombëtar është i të gjithë shqiptarëve", pohoi biznesmeni Korsi, duke shtuar me modesti se edhe Dibra duhej ta nderonte një figurë të tillë, siç është Skënderbeu. Ndërkohë që vepra thuajse është në fazën përfundimtare të punimeve, në studion e skulptorit nuk ka qetësi. Çdo ditë atë e frekuentojnë dhjetëra qytetarë, kuriozë për ta parë sa ende nuk ka përfunduar statuja e madhe e Skënderbeut. Ata janë të gatshëm të qëndrojnë me orë të tëra dhe të ndjekin punimet e tij me përmendoren, të cilën e konsiderojnë madhështore. "Kjo është një vepër që do qëndrojë mes tyre. Unë kam vendosur që para sesa të dalë në publik, të marr më parë çdo perceptim të qytetarëve për figurën e Skënderbeut, pasi do të jenë ata që do ta kenë në qytetin e tyre", tha Spahia. "Skënderbeu paraqitet siç e kemi njohur nga historia, në krye të ushtrisë, duke luftuar, me shpatë në dorë. Ai duket i gjallë, burrëror, mes trimave të tjerë dibranë, të cilët i fton në betejat për liri", shprehet një intelektual nga Peshkopia, i cili ishte mjaft i kënaqur nga puna e deritanishme e skulptorit. Në pranverën e vitit të ardhshëm pritet që shtatorja të vendoset para pallatit të kulturës, ndërkohë që organizatorët kanë menduar edhe përgatitjen e një kënge himn kushtuar Skënderbeut. Sponsori Zaim Korsi u shpreh se e kishte ëndërruar prej vitesh ngritjen e një vepre të tillë në qytetin e tij, por tani ajo është drejt përfundimit. Në shtatoren e skulptorit Spahia formësohet mjaft bukur figura madhështore e heroit, e cila duket se është pritur mjaft mirë edhe nga qytetarët e Peshkopisë. Vendosja e shtatores së heroit kombëtar nuk ka sjellë asnjë reagim negativ për banorët e këtij qyteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›