Fier, lumi Gjanica falimenton 300 tregtarët industrialë
FIER - Rreth 300 tregtarë fierakë kanë një javë që kanë mbyllur biznesin e tyre dhe janë në prag të falimentimit. Shkak është bërë shiu i rrëmbyeshëm dhe përmbytja që përfshiu qytetin e Fierit disa ditë më parë. Tregtarët që ushtrojnë aktivitetin pranë lumit Gjanica kanë bërë bilancin e dëmeve të shkaktuara. Sipas vetë tregtarëve, më shumë se 20 milionë lekë llogaritet dëmi material i shkaktuar nga përmbytja, vetëm tek disa prej tyre, pasi pjesa tjetër nuk janë afruar më pranë tregut. "I gjithë malli ishte mbushur me baltë. Pjesën më ta madhe e mori lumi me vete dhe atë që arritëm të shpëtonim u detyruam ta lajmë e pastrojmë. Jemi të detyruar ta shesim me çmim tepër të ulët mallin, se askush nuk interesohet për të pasi tani quhet i përdorur. Edhe sikur vetë të duam ta pastrojmë tregun, nuk e bëjmë dot pasi duhen investime dhe makineri të rënda. Nuk kemi ku t'i gjejmë dhe vetëm bashkia mund të na ndihmojë, por deri tani nuk kanë bërë asgjë", shprehen tregtarët. Sipas tyre, prej kohësh kanë kërkuar të zhvendosen nga ky treg, por nuk kanë gjetur vend të përshtatshëm. "Na kanë ofruar një vend tregtimi shumë larg qytetit dhe përsëri e kemi refuzuar dhe pse këtu rrezikohemi çdoherë nga Gjanica". m.r