Aparaturat në spital, mjekët s'i përdorin
VLORE - Qytetarët e Vlorës janë të detyruar t'i drejtohen klinikave private apo spitaleve të Tiranës për të bërë një eko apo kontrolle të tjera. Kjo për shkak se disa prej këtyre apa-raturave janë amortizuar dhe kërkojnë ndërhyrje për pjesët e prishura. Ndërsa aparatura të tjera mjaft moderne, të cilat dhe pse kanë kohë të instaluara në spitalin e Vlorës, nuk janë vënë në funksion ende. Sipas drejtorit të këtij spitali, Luter Nuraj, mjekët nuk dinë t'i përdorin ato. "Disa prej aparaturave që ndodhen në spitalin rajonal, nuk janë vënë në funksion, pasi bluzat e bardha nuk dinë t'i përdorin. Për të vënë në punë disa prej tyre duhet më parë që mjekët të kryejnë një specializim jashtë shtetit. Vetëm pas kësaj ata mund të vënë në punë aparaturat, të cilat janë të prodhimit të viteve të fundit", u shpreh drejtori Nuraj. Një nga aparaturat më të nevojshme që nuk punon është ai i radiologjisë. Prej një viti nuk punon as eko abdominale, ndërsa në repartin e reanimacionit nuk funksionojnë monitorët, aspiratorët, skaneri etj. Gjithashtu edhe në laborator ka shumë mangësi. Sipas Nurajt, në shumë raste të sëmurët shkojnë në klinika private apo në Tiranë, duke qenë të detyruar të paguajnë edhe shuma të mëdha parash. "I kemi kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë për të ndërhyrë, që të dërgojë specialistë të saj për të vënë në punë disa prej këtyre aparaturave. Gjithashtu i kemi kërkuar të specializohen jashtë shtetit disa mjekë të spitalit tonë për përdorimin profesionist të tyre. Pa u trajnuar mjekët dhe specialistët, nuk mund të vihen në punë aparaturat të cilat do të vijnë në ndihmë të sëmurëve të këtij rrethi", u shpreh drejtori i spitalit, Luter Nuraj. q.b