Aksidentet, 30% e vdekjeve nga mungesa e ndihmës së shpejtë
ZIRINA LLAMBRO
Rreth 30% e viktimave nga aksidentet automobilistike shkaktohen nga mungesa e ndihmës së shpejtë në vendngjarje. Ambulancat vijnë gjithnjë me vonesë për shkak të trafikut. Por specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë vërejtur edhe një tjetër problem. Qytetarët janë tërësisht të painformuar për mënyrën, se si mund të jepet ndihma e shpejtë. “Ka pasur raste kur vetëm pse i aksidentuari është kthyer apo është zhvendosur nga vendngjarja në mënyrën e gabuar, ka mbetur i paralizuar apo ka pësuar dëmtime të pakthyeshme”, sqarojnë specialistët. Sipas tyre, gjithkush që ka një patentë bën kursin e ndihmës së shpejtë i mundësuar nga kryqi i kuq, por duket se këtyre rregullave nuk u jep askush rëndësi. “Gjithçka që mësohet aty ose harrohet, ose cilësohet e pavlerë në pjesën më të madhe të rastit. Por të japësh ndihmën e shpejtë ashtu siç duhet do të thotë t’i shpëtosh jetën të aksidentuarit. Veprimi i gabuar mbart pasoja fatale për të”, shprehen specialistët. Këto statistika alarmante kanë detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të aplikojë për herë të parë shërbimin e emergjencës. Ai do të jetë i shtrirë në të gjithë vendin dhe do të mbulojë edhe urgjencat në shtëpi. Drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se numri i urgjencës është 112 dhe autoambulancat do të jenë të pajisura me minisalla operimi.
Shifrat për Tiranën
Të paktën 417 aksidente rrugore, me pasojë 53 viktima, 56 persona të plagosur rëndë dhe 353 të dëmtuar lehtë kanë ndodhur në 11 muajt e fundit në rrethin e Tiranës. Këto të dhëna vijnë nga Polica e Shtetit. Numri më i madh i aksidenteve rezulton të jetë brenda zonës urbane, me 278 raste. Të ndara sipas shkakut, ose 68.8% e tyre kanë ndodhur nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit nga drejtuesit. Pjesa tjetër për mosrespektim të normave të shpejtësisë, përdorim të pijeve alkoolike dhe mospajisjes me leje drejtimi. Ndërkaq, sipas të dhënave të INSTAT vdekjet nga dëmtimet traumatike dhe aksidentet zënë vendin e tretë në strukturën e përgjithshme të vdekshmërisë në Shqipëri, pas tumoreve dhe aparatit të qarkullimit. Në këtë grup, rreth 95% e vdekjeve kanë ardhur nga aksidentet, traumat dhe helmimet janë 1.8 herë më të larta te meshkujt sesa te femrat. Aksidentet janë më të mëdha në numër tek kjo kategori, ndërsa vrasjet ndodhin më rrallë te femrat.