E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, plazh për të gjithë xhepat

04/08/2009  REPORTAZH/ Sarandjotët dhe vizitorët të kënaqur nga kushtet. Rëra e lirë edhe për ata që s’mund të paguajnë

SARANDË - Këtë verë të nxehtë hapësirat e plazheve publike brenda Sarandës janë vënë në mënyrë më të harmonizuar në administrim të sipërmarrësve privatë dhe të qytetarëve, që nuk kërkojnë shezlongë e çadra në plazhe. Me këtë vështrim, policët bashkiakë kanë realizuar paraditen e hënë një inspektim të Plazhit të Centralit, shëtitores “Hasan Tahsini” në qytetin e Sarandës dhe në Plazhin e Ri. Në to ofrohen mesatarisht 400 çifte shezlongësh e çadra, ndërkohë që ka edhe sektorë të pazëna prej tyre, me qëllim që njerëz që nuk e duan apo nuk duan të paguajnë për këtë shërbim të kenë mundësi të bëjnë zgjedhjen e tyre.

Pushuesit

Plazhistë që ishin duke u larë u shprehën të kënaqur me mënyrën se si administrohen plazhet. Mjaft prej tyre, vendas dhe pushues të huaj, u shprehën se gjejnë sektorë të lirë nga çadrat e shezlongët në plazhe, se ata ndihen të lirë të sjellin dhe instalojnë pajisje nga banesat e tyre dhe se qytetarët nuk detyrohen të paguajnë edhe në rastet kur përdorin shezlongët e çadrat e privatëve. Të paktën gjysma e plazhistëve në sektorin e lirë nga shezlongët dhe çadrat janë qytetarë sarandjotë, banorë të lagjes nr.1 të këtij qyteti. Fredi Ismaili, administrues i një pjese të Plazhit të Centralit, tregon se shërbimi që ai ofron nuk është prej tregtari, por prej bashkëqytetari. Ai thotë se për moshën e tretë dhe njerëz me probleme shëndeti ai vë në dispozicion shezlongë e çadra falas. Këtë e ka pohuar edhe njëri prej tyre, pensionisti Sotir Kolo, i cili është i përditshëm në këtë plazh së bashku me bashkëshorten. Të njëjtën gjë thanë edhe Qefsere Hasani e Shpresa Gazhoni, që preferojnë të lahen përditë në këtë sektor të Plazhit të Centralit, pasi atje gjejnë edhe ujin e rërën e pastër, hapësira të lira për çadrat e tyre etj. E njëjta situatë është edhe në plazhin poshtë shëtitores “Hasan Tahsini”, ku krahas shezlongëve e çadrave të sipërmarrësve është e zakonshme të shohësh edhe çadra të sjella nga shtëpitë e instaluara nga familjarët. “Kujdesi për të mos lejuar shfaqjen e spekulimeve në administrimin e plazheve publike është i përditshëm”, - shprehet shefi i policisë bashkiake, Remzi Bani. Përveç kësaj, ai thotë se në bashkëpunim me sipërmarrësit e një pjese të sipërfaqes së plazheve është arritur që të jepet më shumë siguri për frekuentuesit e tyre. Në secilin prej këtyre tri plazheve brenda qytetit ka mjete private të shpëtimit, në mungesë të pajisjes së strukturave shtetërore me to. Përveç këtyre, shefi i policisë bashkiake tha se në këto plazhe janë vendosur breza me tapa peshkimi si kufij vizivë, që shërbejnë për orientimin e njerëzve në plazhe dhe ndihmojnë që ata të mos largohen pa kuptuar nga bregu. Edhe kjo është arritur në bashkëpunim me peshkatarët, duke rritur sigurinë në plazhe, ndërkohë që kostoja e shtetit është në zero.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›