Kurbin, banorët bllokojnë për 40 minuta superstradën
KURBIN - Kaos në trafikun e mjeteve që qarkulluan dje në superstradën që lidh Fushë-Krujën me Milotin. Dhjetëra banorë të Kurbinit dolën sërish në protestë, nga ku për 40 minuta bllokuan rrugën nacionale. Tentativa e policisë për të zhbllokuar rrugën dhe normalizuar situatën rezultoi e kotë, pasi banorët kundërshtuan të lëviznin. Ata paralajmëruan se do të bllokojnë superstradën çdo ditë, derisa të ketë një reagim zyrtar në lidhje me kërkesat e tyre. Banorët kërkojnë kompensimin e pronave të tyre si dhe lidhjen e qytetit të Laçit me superstradën. Sipas tyre, shteti ka nisur zgjerimin e këtij aksi tepër të rëndësishëm, pa dëmshpërblyer më parë tokat e tyre. Protestuesit dolën në rrugë dje rreth orës 13:40. Për 40 minuta ata qëndruan në vend, ndërsa trafiku i makinave nga të dy anët e rrugës u rëndua. Policia mbërriti në vend e sinjalizuar për situatën e krijuar, por nuk arriti të bindte protestuesit të zhbllokonin rrugën. Sipas banorëve, protestat e tyre do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, derisa përfaqësuesit e Ministrisë së Transportit dhe deputetët e zonës të marrin masa për zgjidhjen e këtij problemi. "Berisha erdhi para pak ditësh si klandestin në Laç. Ai takoi njerëzit e administratës së tij dhe më pas u largua kur vuri re protestën", u shpreh Fran Nezha, njëri prej banorëve protestues. Sipas tij, në asnjë vend nuk ndodh që t'i prishet prona tjetrit, t'i merret me dhunë dhe pa asnjë dokument. Veçse problemit të dëmshpërblimit, banorët e Laçit janë shprehur kundër projektit për rrethrrotullimin e superstradës, e cila është përcaktuar në Milot. Banorët e Kurbinit për të ardhur në Tiranë do t'iu duhet të shkojnë më parë në Milot, gjë e cila sipas tyre është absurde. Ata kërkojnë që të lidhen me autostradën në afërsi të Patokut. r.n