E Diel, 1 Nëntor 2026

Ra me kamion në liqen, gjendet trupi i 42-vjeçarit


Peshkatarët e zonës kanë qenë ata që kanë hasur në kufomën e Flamur Hasanit që ndërroi jetë më 27 gusht

SARANDË- Trupi i pajetë i 42-vjeçarit Flamur Hasani është nxjerrë nga ujërat e liqenit të Butrintit 36 orë pas ngjarjes. Kanë qenë peshkatarë të zonës ata që kanë hasur në kufomën e 42-vjeçarit në afërsi të qytetit antik të Butrintit. Informacionet e marra pranë policisë së Sarandës kanë bërë të ditur se rreth orës 08:30 të ditës së djeshme, trupi i viktimës është gjetur në vendin e quajtur Buka e Vivarit nga disa peshkatarë.

Ashtu sikurse edhe dyshohej, kanë qenë rrymat ato që kanë tërhequr kufomën larg vendit ku u mbyt dhe afërsisht në të njëjtin vend ku u gjetën edhe 3 nga 5 kufomat e të mbyturve në tragjedinë e tetorit 2008 në Butrint, në tentativën për të kaluar si klandestinë kufirin shqiptaro-grek. Me sa duket, rrymat e pjesës fundore të kanalit të Vivarit kanë pasur gjatë natës së 27 gushtit drejtimin nga jashtë brenda kanalit për në drejtim të liqenit të Butrintit. Trupi i viktimës, pas ekzaminimeve të kryera në morgun e spitalit të Sarandës, është marrë nga familjarët.

Ngjarja në të cilën 42-vjeçari Flamur Hasani humbi jetën, ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes në kanalin e Vivarit në rrethin e Sarandës. Hasani, që drejtonte një kamion të ngarkuar me tulla, ka tentuar ta kalojë atë në anën tjetër me lundër, por kavot nuk kanë mundur ta mbajnë, duke u këputur. Dy ditë më pare, është nxjerrë nga uji automjeti, ndërsa kërkimet e polumbarëve për trupin e pajetë qenë pa rezultat.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›