E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, sekuestrohen 300 kg kanabis, kapet 25 vjeçari

Rreth 300 kg lëndë narkotike është kapur në vendin e quajtur Pema e Thatë, në afërsi të pikës së vrojtimit të Marinës, në afërsi të Ksamilit, mesnatën e të premtes. Kjo sasi lënde narkotike, ishte e sistemuar dhe paketuar në pako nëpër 12 çanta, përgatitur  për këtë qëllim dhe vendosur në skafin me gjatësi prej 5m me motorë të fuqishëm për të përballuar edhe detin e keq me dallge, por edhe për ti shpëtuar ndjekjes nga skafi i kufirit në rast se do të diktoheshin. Sipas të dhënave operative nga strukturat e krimit të lëndëve narkotike dhe trafiqet mësohet se në momentin e kulminacionit të aksionit policor, me gjithë masat e mirëorganizuara të drejtuesve të operacionit, është ndaluar vetëm shtetasi 25- vjeçar, Evis Preja, shtetas me banim në qytetin e Sarandës, në lagjen Nr. 3, po të këtij qyteti. Sipas burimeve nga komisariatit të policisë, pas pak orësh është kapur edhe shtetasi tjetër, bashkëpunëtor i Evisit, Dritan Jorgji, 22- vjeçar, banor i Sarandës. Rruga e transportit të lëndës narkotike drejt qytetit të Sarandës, vjen nga fshati Lazarat, i njohur për kultivimin e kanabis sativës, dhe transportit me kafshë ose në shpinë, në rrugën malore të Malit të Gjerë. Vendi ku ishte instaluar skafi, gjatësia e tij dhe motori i fuqishëm, plotëson të gjitha të dhënat për të përcaktuar destinacionin e tij për në shtetin fqinj. Ende nuk ka të dhëna për përfshirjen e personave të tjerë në këtë grup të trafikimit të një sasie kaq të madhe të lëndës narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›