Korçë, Rama: Qeveria e socialistëve lehtëson biznesin agrar nga taksat dhe tatim fitimi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë turit të tij elektoral kësaj radhe në fshatin Libonik të qarkut të Korçës premtoi se çdo biznes agrar do të përjashtohet nga taksat dhe nga çdo tatim fitimi në 3 vitet e para të qeverisjes socialiste. Këtë premtim Rama e ka bërë në kuadër të prezantimit të turit për Programin e ri të qeverisës.
Ne do ta shikojmë familjen në fshat, si një familje fermere, e cila duhet të orientohet dhe kthehet në një biznes agrar dhe gjëja më e parë që do të bëjmë, është që çdo biznes agrar, do ta përjashtojmë nga çdo taksë dhe nga çdo tatim fitimi në 3 vitet e para, u shpreh Rama që nga komuna e Libonikut. Kryesocialisti fillimisht ka qenë në një ndër bizneset agrare të qarkut Korçë, ku ka dëgjuar dëshmitë e atyre që punojnë në bujqësi për vështirësitë e biznesit agrar, lidhur me tregjet e shitjes, mungesën e subvencioneve për shkak të shpërndarjes jo të drejtë të tyre. Po ashtu, Rama dhe deputetët që e shoqëronin, Majko, Blushi e Dalipi, kanë dëgjuar dhe rrëfimet e banorëve për politika aspak favorizuese për fshatin. Na i kalbën domatet dhe mollët sivjet, po e morën prapë katër vjet të tjera prapë do na i kalbin, të gjitha, u shprehën banorët. Më pas Rama dhe drejtuesit e lartë socialistë i janë drejtuar komunës së Libonikut. Në takimin atje, kreu socialist ka prezantuar hapat që do të ndiqen nesër në qeverisje nga socialistët, për të bërë të mundur, një fshat të mirëqenë. Në shpalosjen e Programit të ri, Edi Rama bëri të ditur një nga pikat e platformës socialiste për fshatin. Duke kujtuar të gjithë problematikën e dëgjuar për dy vjet në bashkëbisedim me banorët e fshatit, për pesticide që dëmtojnë prodhimin, apo farëra që po ashtu japin produkt të pa tregtueshëm, Rama premtoi ngritjen e Agjensisë së Biznesit Agrar. Do të ngremë një Agjenci të Biznesit Agrar, e cila do të ketë si funksione kryesore, monitorimin dhe garantimin e cilësisë së farave, fidanëve, pesticideve, të fertilizuesve, informacionin mbi tregun dhe çmimet, shërbimet bujqësore dhe veterinare për fshatin, garancinë e origjinës së produkteve dhe punën për profilizimin e biznesit agrar dhe rajoneve bujqësore, premtoi Rama që nga komuna e Libonikut.