Familja Beqaj nga Patosi, mëshirë Topit për djalin e dënuar me gjobë
Një familje nga Patosi i kërkon mëshirë presidentit të Shqipërisë për faljen e një borxhi prej 40 milion lekësh, vendosur nga gjykata e Gjirokastrës ndaj djalit të tyre. Ky i fundit ka kryer 3 vjet burg, ka një muaj që është liruar por i kërkohet borxhi për ta shlyer, përndryshe e pret burgu përsëri. Hiqmet Beqaj i bën apel presidentit të Republikës si dhe prefektit te Fierit, Shahin Bejdaj që të ndërhyjnë me autoritetin e tyre për faljen e një borxhi që ka djali i tij për një vepër penale të kryer.
Djali i tij, Engjëll Beqo ka kryer një vepër penale dhe për këtë gjykata e Gjirokastrës e ka dënuar me tre vjet burg si dhe me një gjobë prej 40 milion lekësh. Akuza që rëndonte mbi të riun ishte për ndihmë të klandestineve për kalim kufiri. Djali tashmë e ka kryer dënimin dhe ka dalë nga burgu para një muaji, dhe aktualisht ndodhet pranë familjes së tij. Ai është i martuar dhe ka një fëmijë. Ka bërë përpjekje për të gjetur punë, por deri më sot askush nuk i ka afruar një të tillë. Ai ka një muaj që ka përfunduar dënimin, ndërkohe një shkresë zyrtare nga zyra e përmbarimit e urdhëron që të paguajë gjobën prej 40 milionë lekësh, dhënë nga gjykata për veprën penale të kryer, përndryshe do të përballet me sanksionet ligjore që do të thotë shlyerjen e gjobës me burg. Babai i tij shprehet shumë i pikëlluar se nuk ka asnjë mundësi për të shlyer borxhin. Ajo është një shumë e madhe lekësh që edhe një biznesmen nuk ka kaq lekë dhe jo unë që mezi e siguroj bukën e përditshme. Djali është i martuar, ka një fëmijë. Tani jam për mëshire te fatit prandaj i kërkoj presidentit të ketë mëshirë për familjen time, e cila nuk ka asnjë përkrahje dhe askush nuk e ndihmon në kushtet varfërisë së madhe që ka pllakosur familjen dhe shlyerja e këtij borxhi do ta rrënojë me shumë familjen tonë, i drejtohet me lot në sy presidentit, duke e parë si zgjidhje të vetme për këtë gjëmë që i ka pllakosur në derë familjes së tij. Ju lutem president, ndihmojeni këtë familje. Kërkoj mëshirë në emër të familjes se gjithë kohën kemi qenë të vuajtur. Edhe shtëpia ku banon familja ime është e dhëndrit Qeveria le të vërë dorën në zëmër për këtë familje, që edhe ajo të hajë bukë ashtu siç hanë të tjerët. Kjo shumë e madhe lekësh do të na varrosë për së gjalli. Nuk kam ku ti gjej. Në rast se nuk më mëshironi, le të na marrë jo vetëm djalin por edhe ne të na mbyllin në burg. Në kushtet ku jetojmë të na fusin të gjithëve në burg, pasi do të jemi më të sigurt, pasi aty do të na japin për të ngrënë të paktën, ka vijuar Hiqmeti. Tepër i dëshpëruar me lot në sy ai i bën edhe njëherë thirrje presidentit dhe qeverisë, për mëshirë për këtë familje. Hiqmeti tregon për gazetën se i ka dërguar disa herë letra presidentit, por deri më sot askush nuk i ka kthyer një përgjigje, ndërsa çdo ditë që largohet i vë lakun në fyt familjes me 6 anëtarë në qytetin e Patosit.