E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, shpërthim tritoli pas mesnate

Dje, në orët e para të ditës, në një bllok pallatesh në lagjen nr.4 të qytetit, ka shpërthyer një sasi tritoli, që ka shkaktuar panik te banorët e një blloku të tërë pallatesh, që ndodhen mbi hotel "Andon Lapa i Parë". Sasia eksplozive, sipas burimeve policore, mendohet të ketë qenë rreth 100 gramë. Ajo ishte vendosur dy metra larg pallatit më të afërt, atij me nr.4, në bllokun mbi hotel "Andon Lapa I", në lagjen "Kodër". Shpërthimi i fuqishëm ka shkaktuar një gropë të thellë rreth 15 cm dhe dëme të konsiderueshme në disa apartamente të pallateve 4, 6 dhe 8, në thyerje xhamash dhe portash. Në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë të Policisë së Sarandës, por që edhe pas hetimeve në vendin e ngjarjes, nuk kanë arritur dot të zbardhin shumë detaje të ngjarjes. Policia nuk ka arritur ende të identifikojë autorin dhe as objektivin dhe motivin e vendosjes së eksplozivit. Banorë të shqetësuar janë shprehur se "ky është rasti i dytë që vendosin eksploziv në këtë bllok pallatesh, në harkun kohor të gjashtë muajve të fundit. Nëse duan ta kryejnë këtë veprim, të paktën të mos na shqetësojnë e dëmtojnë ne, por vetëm objektivin". Episodi i djeshëm është i dyti brenda gjashtë muajsh, ku në të njëjtin pellg është regjistruar sërish një shpërthim i ngjashëm. Më 15 shtator të një viti më parë, në këtë bllok pallatesh, u shkatërrua me amonit malor, automjeti tip "Mercedes-Benz", i oficerit të policisë gjyqësore Ismail Lala, ndërkohë që ngjarja, ashtu siç ka rezultuar dhe nga hetimet e djeshme, ka mbetur ende pa autor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›