Sarandë, shtyhet seanca gjyqësore ndaj ish kryeplakut të akuzuar për trafik droge
Ish- kryeplaku i fshatit Varfaj dhe ish- anëtari i Këshillit Bashkiak Delvinë, Reshat Ademi, akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike, është paraqitur para togave të zeza, në Sarandë, me akuzën e ngritur nga prokuroria për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Akuza ndaj tij është formuluar nga Prokuroria e Gjirokastrës qysh prej 30 nëntorit ditë kur është kapur nga policia, duke transportuar me mjetin e tij 229 kg lëndë narkotike kanabis Sativa, prodhuar në fshatin Lazarat dhe transportuar prej Reshat Ademit drejt kufirit. I akuzuari është prangosur dhe dërguar me masën e dhënë burg pa afat nga gjykata e Gjirokastrës, mbështetur në dosjen e formuluar nga prokuroria e këtij rrethi gjyqësor. Nën drejtimin e gjyqtarit Rasim Doda, seanca gjyqësore është shtyrë dje, pasi i akuzuari nuk është paraqitur në seancë për arsye se toga e gatshme nuk e ka sjellë të akuzuarin në sallën e gjyqit nga vendi i ndalimit, Burgu i Bënçës në Tepelenë.