Sarandë, vret vëllanë me thikë në zemër
GRINDJA/ Ermir Myrtaj, 24 vjeç, ka qëlluar vëllain e tij pas grindjes për shitjen e një celulari për të blerë drogë
Fillimisht u dyshua për një vdekje nga mbidoza, por më pas u verifikuan plagët e marra nga arma e ftohtë
SARANDË - Është dyshuar si një vdekje për përdorim të tepërt të narkotikëve, por më pas gjithçka ka rezultuar një vëllavrasje. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjashtë të Sarandës, në orët e natës. Një 34-vjeçar është gjetur nga policia i shtrirë në qendër të fshatit. 34-vjeçari Laze Myrtaj, lindur dhe banues në Qafë-Gjashtë Sarandë, është gjetur në gjendje kome.
Duke qenë se njihej si përdorues i narkotikëve, është dyshuar që një gjendje e tillë t'i ketë ardhur nga përdorimi i tepërt i drogave. Menjëherë ai është përcjellë nga ana e bluve drejt spitalit të Sarandës, për të marrë ndihmën e nevojshme, por nuk ka mundur dot të mbijetojë.
Pas këqyrjes së kufomës është konstatuar se Myrtaj ishte i goditur në gjoks me mjet prerës. Pas hetimeve të para paraprake, policia ka kapur si të dyshuar si autorë të vrasjes, Jorgo Berukun, 18 vjeç, dhe Ermir Myrtajn, 24 vjeç, vëlla i viktimës.
Ngjarja
Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në fshatin Gjashtë të Sarandës, vetëm 2 km larg qytetit, në orën 02:15, Laze Myrtja dhe vëllai i tij Ermiri janë grindur me njëri-tjetrin. Shkak për këtë grindje ka qenë një aparat celulari. Sipas burimeve zyrtare të policisë, nga hetimet paraprake rezultoi se viktima ishte një përdorues i njohur drogash.
Mendohet se celulari kërkohej për t'u shitur në këmbim të sasisë së drogës që duhej blerë për përdorim vetjak nga viktima. Po të njëjtat burime theksuan se vrasësi i vëllait është ndihmuar edhe nga një shok i tij. Të dy së bashku, pas goditjes me thikë të Lazes janë larguar nga vendi i ngjarjes. Kanë qenë uniformat blu që e kanë marrë 34-vjeçarin dhe e kanë çuar në spital ku edhe ka ndërruar jetë.
Hetimi
Burime nga policia bëjnë të ditur se fillimisht është menduar për një vdekje për shkak të mbidozës të 34-vjeçarit, por më pas shenjat në trup kanë treguar për një vrasje me thikë. Si rrjedhojë ka nisur edhe marrja në pyetje e personave të ndryshëm lidhur me ngjarjen, teksa dyshimet e para janë hedhur tek vëllai i viktimës, i cili bashkë me bashkëpunëtorin e vet ka qëndruar për disa orë i fshehur.
Por rreth orës 10:00 të mëngjesit, gati 8 orë pas krimit, Ermiri është shfaqur në mjediset e spitalit për t'u interesuar për fatin e të vëllait pas goditjes me thikë. Ai është ndaluar në ambientet e spitalit, ndërsa bashkëpunëtori i tij 18-vjeçar është vënë në pranga dy orë më pas.