E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e ish-agjentit, policia ndërton skenarin

Shoqërohen dhjetëra të dyshuar në komisariat, hetuesit hapin dosjet e vjetra që ka hetuar Roland Rexhepi


Vrasësit qendruan të fshehur në një furgon të braktisur, gjenden gjurmët e gishtërinjve


ELBASAN - Furtunë shoqërimesh kanë vazhduar përgjatë orëve të natës dhe mëngjesit të së enjtes në policinë e Elbasanit. Mësohet se drejtoria e policisë ka hapur dosjet e viteve të mëparshme duke rikthyer emra të arrestuar apo të shoqëruar në kohën kur Doda (Roland Rexhepi) ka marrë pjesë në operacione të bujshme.


Sipas burimeve të brendshme pranë sektorit të hetimit nga ana e agjentëve po bëhet një punë shkencore për krahasimin e gjurmëve të gjetura në kallashnikovin, motorin dhe në furgonin e braktisur ku mendohet të kenë qëndruar në pritje të kryerjes së vrasjes dy autorët. Këto gjurmë gjithashtu po krahasohen me ato të të shoqëruarve gjatë këtyre orëve nga agjentët.


Skenari i krimit


Vrasja ishte menduar me detaje dhe një ditë më pas agjentët thonë se edhe një furgon i vjetër i gjetur i braktisur me targa të falsifikuara mund të jetë përdorur nga autorët si vendqendrimi deri në momentin që do të kryenin vrasjen. Pasi dyshohet të kenë qëndruar aty gjatë natës, dy autorët e kanë përdorur mjetin për të veshur maskat dhe për të mos rënë në sy.


Teksa kanë parë të dalë nga shtëpia pak metra më andej Dodën, kanë hipur mbi motor të maskuar dhe më pas i janë afruar shënjestrës së tyre. Pasi e kanë qëlluar një herë me breshëri me kallashnikov, për t'u siguruar vrasësi ka qëlluar edhe një tjetër breshëri. Më pas janë larguar me shpejtësi, madje duke rrezikuar edhe njerëzit në rrugë.


Nga shpejtësia prapa pallateve janë penguar nga një shtyllë dhe motori ka rrëshqitur. Si pasojë u ka rënë kallashnikovi dhe një maskë. Pak më tej autorët kanë mundur të braktisin motorin, një çantë dhe maskën tjetër. Të gjitha provat janë grumbulluar nga agjentët duke ndjekur të dhënat e banorëve, të cilët kanë ndjekur itinerarin e lëvizjes së motorit.


Hetimet


Ka qenë një punë e kujdesshme e ekspertëve të kriminalistikës që kanë grumbulluar prova të cilat mund të çojnë tek autorët. Kështu, janë gjetur gjurmë tek arma, motori, çanta dhe tek furgoni i bardhë i braktisur. Ky i fundit mund të dërgojë edhe në identifikimin e të paktën njërit prej autorëve.


Dyshohet se furgoni duke qenë se ishte amortizuar është marrë në një varrezë makinash, ndërsa për targat, ato mendohet se janë false dhe i janë vendosur nga autorët për të mos rënë në sy. Është dashur një punë e mirëfilltë e studiuar, gjë që të çon në përfundimin se autorët mund të kenë qenë të paguar dhe të porositur për krimin që do të kryenin. Kjo ka bërë që të gjitha strukturat të përfshihen në hetim.


Kriminalistika po punon me gjurmët daktilografike, ndërsa agjentët e antikrimit me dëshmitë e grumbulluara mbi autorësinë këtij krimi. Një vëmendje e rëndësishme po i kushtohet edhe të shoqëruarve, pyetjes së tyre, alibive që disponojnë dhe marrjes së shenjave të gishtërinjve.


Nëse do të jenë me fat, agjentët do të arrijnë tek autori, gjithmonë nëse ai nuk është larguar nga Shqipëria. Gjithsesi, drejtues të policisë konfirmojnë se janë shumë pranë autorëve të ngjarjes dhe pritet brenda disa orëve identifikimi i tyre.


Varrimi


Rreth orës 11:00 të së enjtes është përcjellë për në banesën e fundit ish-agjenti i vrarë një ditë më parë në derën e shtëpisë së tij. Në varrim kanë marrë pjesë familjarë, të afërm, të njohur dhe qytetarë. Funerali është mbikëqyrur edhe nga agjentë policie si pjesë e masave të marra për të arritur tek autorët. Tronditja e familjes tepër e madhe është ndjekur nga një kortezh i gjatë prej dhjetëra automjetesh.


Askush nga familjarët nuk ka dashur të japë asnjë koment për ngjarjen e rëndë. Të gjithë kanë ndjekur në heshtje varrimin e ish-agjentit të drogës, i cili u ekzekutua mëngjesin e së mërkurës rreth orës 08:00, në blloqet e pallateve të lagjes "Vullnetari" kur ish-agjenti, për shumë kohë i papunë dhe tashmë punonjës sigurie pranë stadiumit "Ruzhdi Bizhuta" po shkonte të nxirrte makinën e tij pasi kishte folur me të ëmën.


Teksa po hapte derën, dy persona të maskuar mbi një motor i kalojnë përballë dhe një prej tyre i drejton kallashnikovin duke e qëlluar me breshëri dy herë.


Skena e llahtarshme është parë nga nëna e tij, e cila ka ulëritur me sa fuqi kishte "Mos e vrisni se është djali im". Por kjo s'i ka ndaluar vrasësit. Ish-agjenti i antidrogës, si dhe truproja e Kosenit ka ndërruar jetë në vend.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›