E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet "Gërdeci", gjykata pa fuqi të ndalë zvarritjen

Dje duhej të ishte zhvilluar seanca e parë e procesit të tragjedisë së vitit të kaluar


TIRANE- Taktikës së shtyrjes së seancave në mënyrë të pafundme, duket se nuk do t'i shpëtojë as procesi më i rëndësishëm gjyqësor i këtyre viteve, ai i shpërthimit të Gërdecit të vitit të kaluar, ku mbetën të vdekur 26 persona e u plagosën afërsisht 300 të tjerë. Kjo për faktin se seanca e radhës, e parashikuar për ditën e djeshme është shtyrë, ndërsa hapja e procesit ende nuk po kryhet plotësisht.


Shumica e avokatëve nuk ishin të pranishëm në sallë, ndërsa organet e drejtësisë duken krejtësisht të pazonjat për t'i dhënë fund kësaj praktike. Mungesa e disa prej avokatëve dhe të pandehurve të në gjykatën, ka shtyrë, seancën e parashikuar për ditën e djeshme, duke e deleguar procesin për në fillim të muajit shtator, kur edhe rihapen gjykatat pas pushimeve vjetore.


Mungesa e disa prej avokatëve dhe të pandehurve si dhe e disave prej këtyre të fundit ka bërë që kryesuesi i trupit gjykues të mos vazhdonte shqyrtimin e procesit, lënë një datë tjetër për zhvillimin e procesit, në muajin shtator.


Në 30 minuta trupi gjykues pasi kishte lexuar disa prej emrave të të akuzuarve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë, vendosi, që procesi të vazhdojë më 9 shtator ashtu sikurse ai i atij të ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu që zhvillohet në Gjykatën e Lartë.


Në këtë seancë u paraqitën vetëm 4 prej 28 të pandehurve të cilët, gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë. Ish- kreu i MEICO-s, Ylli Pinari, mungonte së bashku me avokatin e tij, ndërsa i pandehuri tjetër, Sokol Ngjeçi, i kishte komunikuar trupit gjykues mungesën me argumentin se ishte i sëmurë. Ndërkaq veç Ngjeçit, ka munguar edhe përfaqësuesi i tij ligjor për motive ende të panjohura.


Po ashtu edhe Mihal Delijorgji, një nga të pandehurit kryesorë të këtij procesi, mungonte në sancën e djeshme bashkë, me Arman Tartarin etj. Ndërkaq nuk u paraqit as ish- shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha. Në sallë konfirmuan praninë e tyre ish- oficerët e lartë të Ushtrisë Hilmi Laçaj e Dashnor Çaushi, si dhe dy të pandehur të tjerë.


Ndryshe nga shumica e të akuzuarve dhe pjesa dërrmuese e përfaqësuesve të tyre ligjorë, në ë sallë nuk munguan të afërmit dhe familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit të cilët kanë humbur njerëzit e tyre të afërt në shpërthimin e vitit të kaluar.


Në fund kur u konfirmua mungesa e shumicës së të pandehurve, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, vendosi shtyrjen e procesit më 9 shtator. Ndërkaq, zëra në Gjykatën e Tiranës pohojnë se 9 shtatori rrezikon të dështojë ashtu si seancat e mëparshme të këtij procesi.

Vidhet në spitalin ushtarak automjeti i kirurgut


TIRANË- Persona të panjohur vjedhin makinën e një mjeku të Spitalit Ushtarak. Nga të dhënat e Policisë së kryeqytetit mësohet se persona të pa identifikuar, pasi kanë thyer xhamat e makinës së mjekut kirurg Besim Lama, gjatë ditës së djeshme kanë marrë disa sende personale. Makina ka qenë e parkuar në ambientet e spitalit, në momentet kur është kryer thyerja e saj dhe vjedhja.


Personat që kanë kryer vjedhjen kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes pa u vënë re edhe nga persona të tjerë përreth parkingut të Spitalit Ushtarak. Kirurgu Lama ka denoncuar në Polici vjedhjen, ku dhe është pyetur për persona të dyshuar.


Ndërkohë, uniformat blu, pas marrjes së denoncimit kanë kryer veprimet hetimore dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen personave që kryen thyerjen e xhamave dhe vjedhjen e disa sendeve personale të mjekut të Spitalit Ushtarak.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›