E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, aksidentoi shtetasin grek, autori edhe 1 muaj në qeli

SARANDË - Shqiptaro-francezi Xhemal Kullaj, i cili dyshohet se pasditen e 10 gushtit vrau nga pakujdesia 79 vjeçarit grek Konstandinos Karadhimas, do të qëndrojë edhe 30 ditë të tjera në qelitë e paraburgimit të Sarandës.

Burime zyrtare nga Gjykata e Shkallës së Parë e Sarandës pohuan sot se shkak për shtyrjen e paraburgimit janë bërë vonesat ligjore për përcaktimin real të vdekjes së viktimës. Kullaj dyshohet se më datë 10 gusht 2011, pranë hotel “Olympia” në Sarandë, pas një grindje për shkak të parkimit, të ketë shkaktuar vdekjen nga pakujdesia të turistit grek, 79-vjeçarit Kostandinos Karadhimas. I moshuari ka gjetur vdekjen pas përplasjes në tokë në momentin që në parkimin e hotelit po zhvillohej një grindje mes tij, bashkëshortes dhe shtetasit Xhemal Kullaj.

Policia e Sarandës vuri në pranga qysh ditën e ngjarjes 53-vjeçarin Kullaj. Ai u la fillimisht nën masën 15 ditë burg, por vonesa në përcaktimin e shkakut real të vdekjes se viktimes nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, bëri që gjykata të vendosë shtyrjen e afateve të paraburgimit edhe me 30 ditë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›