Sarandë,zbulohet baza e falsifikimit të monedhave
SARANDË- Një peson është arrestuar dhe një tjetër në kërkim, të akuzuar për falsifikim monedhash.
Operacioni është organizuar në orët e vona të mbrëmjes së të martës në qytetin e Sarandës dhe ka çuar në shkatërrimin e një baze të falsifikimit të monedhave. Mësohet se policia kishte siguruar informacione që në nëntor 2011 dhe për këtë ka vënë në dijeni edhe prokurorinë e qytetit si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Forca të shumta policore kanë rrethuar dhe më pas kanë ndërhyrë në dy banesa në lagjen nr.4 të Sarandës.
Në njërën banesë është arrestuar Klauid Kadëna, 22-vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Sarandë. Për këtë shtetas, gjykata ka vendosur paraprakisht masën e sigurisë Arrest në burg pas hetimeve të kryera nga prokuroria. Ndërkohë në banesën e dytë, nuk është gjetur i dyshuari Saimir Selmani, 28-vjeç, lindur dhe banues në Sarandë, i përfshirë në veprimtarinë e hetuar prej tre muajsh. Selmani, person me precedent penalë, ka qenë i arrestuar në vitin 2002 për grabitjen e një makine në Sarandë si dhe ka qenë i dënuar për veprën penale, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Ai është shpallur në kërkim nga policia.
Kontrollet në banesat e dy të dyshuarve kanë zbuluar një bazë të vërtetë të falsifikimit. Plot 54 kartëmonedha të falsifikuara, të prerjes 2000 lekë të reja, me vlerë totale 104.000 lekë të reja, printer e skaner, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Sipas policisë, nga hetimet dhe përgjimet e kryera, rezulton se këta shtetas, kanë hedhur në treg të paktën 500.000 lekë të reja false, kartëmonedha të prerjeve 1000 e 2000 lekë të reja. Ato bliheshin me 30 deri në 40 % të vlerës së stampuar në mënyrë artizanale në kartëmonedhë e më pas hidheshin në tregun e Sarandës.
Shpresa DINE