E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarko, anglezëve: Historia jemi ne

Gordon Braun ka lajmëruar një seri masash për të thelluar dhe fuqizuar lidhjet e Britanisë me Francën, duke thënë se ai do të donte një bashkëpunim të shkëlqyer mes dy vendeve. Franca dhe Britania do të zhvillojnë samite të rregullta dhe do të rrisin bashkëpunimin në çështje si emigracioni, mbrojtja dhe ekonomia. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, në anën tjetër, ka ngritur në qiell një erë të re miqësie, por Britania duhet të luajë një rol më aktiv në Bashkimin Evropian. Të dy ata folën në një konferencë për shtyp në stadiumin e klubit të futbollit Arsenal, në Londër. Braun tha se Britania dhe Franca ndanin të njëjtin vizion për të ardhmen e Evropës. "Dy vendet tona janë në zemër të asaj që ne do të donim të ishte një Evropë e bashkuar dhe e rëndësishme". "Ne bashkërisht mbështesim marrëdhënie të forta me partnerët tanë amerikanë. Jemi dakord se vetëm po të punojmë së bashku mund të përballemi dhe të fitojmë mbi sfidat me të cilat ndeshemi, që nga terrorizmi e deri te ndryshimet klimaterike, që nga varfëria e sëmundjet e deri te shtetet e dështuara". Ai shtoi: "Ne besojmë se duke punuar së bashku, Franca dhe Britania mund të jenë një forcë akoma më e madhe në të mirë të botës dhe kjo do të ishte një lidhje e jashtëzakonshme". Braun gjithashtu foli për një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar për të parandaluar përsëritjen e krizave ekonomike si ajo e sektorit imobiliar dhe e kredive dhe tha se ishte rënë dakord për një përpjekje të përbashkët me Francën për të përmirësuar transparencën dhe stabilitetin. Sarkozi tha se edhe pse ai dhe Braun ishin në krahë të kundërta të spektrit politik, ata ishin personalisht në të njëjtën gjatësi vale. I pyetur nëse kjo frymë pozitive mes dy vendeve, e shfaqur qartë gjatë kësaj vizite, do të zgjasë, Sarkozi tha: Është shumë më tepër se sa aventura e një nate. Ne do të zgjohemi së bashku edhe mëngjeset e tjera". Ai tha se ishte prekur shumë nga pritja që i ishte rezervuar edhe bashkëshortes së tij të re, Karla Bruni, pavarësisht mbulimit jo fort të pëlqyeshëm të marrëdhënies së tyre në median franceze. "Unë jam krenar që njerëzit e kanë parë atë ashtu siç është në të vërtetë dhe i kënaqur që ka një ndjesi të tillë ngrohtësie", tha ai. Presidenti francez gjithashtu përsëriti apelin drejtuar britanikëve për të luajtur një rol më aktiv në BE, në çështje si emigracioni dhe marrëveshja e Lisbonës dhe jo të qëndrojnë të mënjanuar. "Ne kemi nevojë për britanikët që ta bëjmë Evropën të ecë përpara", tha ai para gazetarëve në një konferencë për shtyp. Britania dhe Franca lëshuan një komunikatë të përbashkët, prej 36 faqesh, ku nënvizoheshin fushat në të cilat dy vendet planifikojnë të punojnë së bashku. Mes tyre: Reformimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe G8-ës që duhet të reflektojë shfaqjen e lojtarëve të rinj, të mëdhenj, në ekonominë globale; promovimi i paqes në Darfur dhe lufta për më shumë të drejta në Birmani; masat e reja anti-terrorizëm; bashkëpunim më i madh ushtarak dhe më shumë para për kërkimet e përbashkëta; fuqizim të kontrollit kufitar; bashkëpunim në gjeneratën e re të impianteve bërthamore nëpërmjet ndarjes së informacioneve mbi sigurinë etj. Ndërkohë, Kryeministri britanik, Gordon Braun dhe bashkëshortja e tij, Sara, para këtyre deklaratave zyrtare, ofruan për çiftin presidencial francez një tur në Downing Street. Ndërkohë, vetë Bruni mori pjesë në një drekë bamirësie bashkë me zonjën Braun. Më pas Sarkozi dhe Braun u takuan me menaxherin e Arsenalit, Arsen Venger, në stadiumin Emirates, në Londrën veriore. Duke folur para gazetarëve, para takimit zyrtar, Braun publikoi një iniciativë të përbashkët franko-britanike, për të ndihmuar në përmirësimin e edukimit për 16 milionë fëmijë në Afrikë. Ai lajmëroi gjithashtu edhe për një tjetër iniciativë të përbashkët mes dy qeverive, Ligës së Futbollit, Premier Ligës dhe FIFA-s, për të përmirësuar shanset e edukimit para kampionatit botëror të futbollit të vitit 2010 në Afrikën e Jugut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›