E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi “bekon” të ardhmen e Lorik Canës

Kapiteni shqiptari i Marsejës është pranë kalimit te Hamburgu. Mesfushori i Kombëtares sonë mohoi kontaktet me Volfsburgun

Dash Frashëri

Kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, pati një kujtim të bukur në ditët e fundit të tij si lojtar i klubit francez. Mesfushori shqiptar ishte pjesë e një delegacioni të klubit të tij në takimin me presidentin e Republikës Franceze, ku ishin edhe presidenti i Olimpikut, Zhan Klod Dasier, trajneri Didier Deshamps, drejtori i sigurisë, Guj Kasadamont, si dhe dy lojtarët e tjerë, Mamadu Niang dhe Stiv Mandanda. Ishte vetë presidenti francez, Sarkozi, ai që kërkoi edhe takimin, pasi samiti franko-britanik zhvillohej në Evian të Francës, atje ku dhe Marseja po zhvillon fazën përgatitore. Sarkozi u nderua me një bluzë të Marsejës që mbante emrin e tij. Ky mund të jetë një nga momentet më të bukura të Canës në Francë, teksa ia vlen ta kujtojmë se në Shqipëri, Loriku është nderuar nga presidenti i Republikës, Bamir Topi me urdhrin e “ambasadorit të vendit në botë”.

MARSEJA
“Unë ndodhem më shumë në logjikën e ikjes. Nëse kushtet do të plotësoheh, unë do të largohem. Por, për momentin, nuk ka akoma asgjë 100 për qind të sigurt. Nuk e kam diskutuar akoma edhe me trajnerin”, - citohet Cana. Mesfushori 25-vjeçar pohoi se nuk i mungojnë propozimet. E ardhmja e Lorik Canës po mbështillet gjithmonë e më shumë me një vello misterioze. Destinacioni i ndërkombëtarit shqiptar ende sa në Gjermani ashtu dhe Angli. Mediat franceze shkruajnë se nëse Cana do të largohet, atëherë Liga e parë franceze do të humbasë një nga mesfushorët shkatërrues më të mirë të saj. Gjithsesi, një gjë është shumë e qartë: kapiteni i Olimpikut të Marsejës e ka fiksuar se do të largohet gjatë kësaj vere nga klubi francez. Në të vërtetë, Cana ishte i pranishëm në grumbullimin e parë zyrtar të Marsejës për përgatitjet e sezonit të ardhshëm, por i shoqëruar nga babai tij, Agim Cana, njëherësh edhe agjenti i tij, konsumoi një kafe e një bisedë rreth 20-minutëshe me drejtorin sportiv Hoze Anigo, siç raporton gazeta “La Provance”. Tema kishte të bënte vetëm me të ardhmen e mesfushorit shkatërrues shqiptar, i cili tashmë ka kompletuar katër sezone me Marsjeën. Cana vazhdon të ruajë nuanca diplomatike në deklarimet e tij, pavarësisht se nuk më asnjë mister në lidhje me dëshirën e tij për t’u larguar. Në më shumë se një rast, Cana ka ritheksuar se ai një raport të veçantë me klubin dhe drejtuesit, dhe gjithçka do të zgjidhej sipas vullnetit të tij. “Për momentin do të kryej të njëjtin program, të cilin e kanë dhe shokët, më pas do të shohim. “Ka shumë mundësi që të nisem gjatë kësaj jave apo asaj të ardhshme”, - deklaroi Cana për gazetën në fjalë.

HAMBURGU
Klubet gjermane e kanë manifestuar tashmë disa herë interesimin e tyre. “Nuk kam pasur asnjë kontakt me Volfsburgun (kampionin e Gjermanisë”, - tha Cana, “Nga ana tjetër, Hamburgu bën pjesë në ekipet që mund të konsiderohen si një destinacion i mirë”, - shton ai. Hamburgu ka formuluar para disa kohësh një ofertë prej 7 milionë eurosh. Në lojë ka hyrë edhe babai i Lorikut, Agimi. Babai i kapitenit të Marsejës, njëherësh dhe agjenti i tij, u ka dhënë fund thashethemeve për një kalim të mundshëm të mesfushorit te Volfsburgu. Agimi është shprehur për mediat franceze, se ka pasur vetëm një klubi me të cilën janë mbajtur kontakte, dhe ky është Hamburgu, duke përgënjeshtruar publikisht thashethemet për një kalim te kampionët e Gjermanisë, Volfsburgun.

LIVERPULI
Nëse kjo nuk do të realizohej transferimi në Gjermani, pista tjetër është ajo angleze. Vetë Cana flet vazhdimisht për interesimin e disa klubeve të Premier Ligës. Arsenali, Liverpuli, Totenhemi dhe Evertoni janë përmendur se kanë një interesim për shqiptarin. “Por për momentin, dua ta përsëris këtë, nuk ka asnjë gjë të re (nga Anglia). Unë mbetem gjjithmonë kapiteni i Olimpikut të Marsejës. Por, gjithsesi, një ide më të qartë do ta kem në fund të javës”. Në Angli duket se Liverpuli po këmbëngul më shumë për Canën. Sipas gazetës “The Mirror”, trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez mund të përfitojë nga fakti, se Marseja ka nënshkruar me Luço Gonzalesin, dhe mund ta lejojë Lorikun të largohet. Në fakt, ikja e Canës lidhet ngushtë me mbërrritjen e kameruansit të Renesë, Stefan M’Bia. Nëse ky i fundit nuk do të vijë te Marseja, drejtuesit e klubit nuk do ta lejojnë Canën të largohet nga Olimpiku.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›