E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 mln. lekë për Kalanë Mesjetare në Durrës



Muret e kalasë mesjetare të Durrësit kanë nisur të restaurohen me një fond prej 7 milion lekë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Burime zyrtare nga Ateljeja rajonale e monumenteve, bënë të ditur për ATSh-në se punimet restauruese kanë nisur një javë më parë dhe do të përfundojnë brenda muajit gusht. Sipas të njejtave burime, firma restauruese përveç pastrimit të mureve në të gjithë gjatësinë prej afro 300 metra nga Torra veneciane deri në afërsi të amfiteatrit antik do të kryejë punime mbushëse si dhe do të zëvëndësojë tullat e dëmtuara. Një pjesë e vogël e investimit do të përdoret në muret e portës së madhe e cila është pjesë e një komplesi arkitektonik ngjitur më godinën e Bankës së ndërtuar në fillim të shekullit të kaluar. Kështjella e qytetit ka nisur të ndërtohet në periudhën helene dhe më pas ajo është fortifikuar disa herë veçanërisht në shekujt IV-VI pas Krishtit. Muret u ringritën në periudhën e perandorit bizantin Anastas i Parë (491-518) me origjinë nga Durrësi, i cili e shndërroi atë në një nga qytetet më të fortifikuara në Adriatik. Riparime në mure janë kryer edhe pas tëmetit shkatërrues të vitit 1273. Aktualisht muret mesjetare me lartësi afro 15 metra si dhe tre hyrje e disa kulla fortifikuese ruhen në afro një të tretën e gjatësisë fillestare të kështjellës së qytetit.Atelieja rajonale e monumenteve gjatë këtij sezoni do të kryejë punime restauruese me vlerë 3 milionë lek edhe në muret e kalasë së Peqinit. Atelieja e Monumenteve me qendër në Durrës ka në juridiksion 36 monumente nga Peqini në jug, deri në komunën e Ishmit në veri të qarkut.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›