E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshen Policia e Plisat

Një përleshje masive ndërmjet tifozerisë prishtinase ‘Plisat’ dhe Policisë së Kosovës ka ndodhur të enjten mbrëma pas ndeshjes së basketbollit ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bambit. Si rezultat i kësaj kanë mbetur të lënduar dy policë, një tifoz ka kërkuar ndihmë mjekësore, një është arrestuar dhe janë dëmtuar 5-6 makina të Policisë. Nga Express më 21 prill 2011 në ora 22:32

Ndeshja derbi ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bambit i ka takuar ekipit bardh e kaltër, i cili fitoi me rezultat 80:73, pas vazhdimit prej pesë minutash. Ndeshja ka qenë dramatike dhe e baraspeshuar deri në fund, por kampionët e Kosovës u treguan më të sigurt në lojën shtesë.

Mirëpo, kjo ndeshje ka mbetur në hije, pasi që me përfundimin e saj ka ndodhur një incident, ku janë përfshirë tifozët prishtinas, ‘Plisat’ dhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Në fakt, përleshja ka filluar në Palestër, pasi ekipet kanë dalë nga salla, për të vazhduar më pas edhe jashtë saj. Si rezultat i kësaj, disa tifozë kanë pësuar lëndime, por pa lëndime nuk kanë shpëtuar as trupat e Policisë së Kosovës.

Disa vetura të Policisë janë demoluar, dhe një është djegur, me ç’rast në vendin e ngjarjes pranë Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve kanë arritur edhe forca të tjera të Policisë, por edhe zjarrfikës. Policia e Kosovës ka informuar më hollësisht për rastin.

“Në bazë të informatave fillestare që kemi, të cilat mund të ndryshojnë, gjatë daljes nga salla, tifozët e kanë prishur qetësinë dhe kanë shkaktuar një incident. Ata kanë dëmtuar 5-6 vetura të Policisë, por kanë tentuar ta djegin një tjetër me fishekzjarrë. Me këtë rast janë lënduar dy policë, një person është ndalur në Polici dhe një person tjetër është lënduar dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore”, theksoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Jo zyrtarisht mësohet se në mesin e policëve ka pasur edhe pjesëtarë të komunitetit serb nga Mitrovica. Mësohet se Policia pa ndonjë urdhër është vërsulur në tribuna tek tifozët, të cilët më parë i kishin fyer ata.

Ky është incidenti i dytë që ndodh brenda dy javësh. Në ndeshjen Bambi – Trepça kishte ndodhur një incident tjetër, por akterët kryesorë ishin lojtarët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›