Sarkozy Nuk i pranojme vrasjet

“Ne do të jemi gjithnjë në krahun e popullit që manifeston pa dhunë e që nuk mund të shtypen me dhunë. Në cdo demokraci mund të ketë manifestime, ndonjëherë të dhunshme, për fat të keq. Por në asnjë demokraci ne nuk mund të tolerojmë mobilizimin e ushtrisë që të qëllojë me plumba të vërtetë kundër protestuesve. Ky është qëndrimi francez dhe ky nuk ndryshon ndaj cilitdo vend që do të bëhej fjalë”, deklaroi Sarkozy.
Në përfundim të samitit, i pyetur nga Top Channel se a vlen kjo deklaratë edhe për një vend anëtar të NATO-s sic është Shqipëria, ku më 21 janar katër manifestues u vranë me plumba të vërtetë, të qëlluar në kokë dhe në kraharor, dhe se a vlejnë katër jetë në Shqipëri më pak se qindra jetët e vendeve arabe, presidenti francez u përgjigj:
“Për pyetjen nëse një jetë njerëzore ka më pak vlerë në Shqipëri se në Siri, përgjigjia është shumë e thjeshtë, jo. Ka të njëjtën vlerë dhe parimet vlejnë njësoj po ashtu për të gjithë. Mbrëmë në darkë ne u përqendruam në atë cfarë quhet ‘pranvera arabe’, pra revolucioni arab dhe ju përgjigja pyetjeve tuaja mbi këtë cështje, për të qartësuar qëndrimet tona, sikundër veproi dhe ministri i shtetit. Ato katër jetë vlejnë po aq. Dhe këtu, nëse një gjë e tillë do të ndodhte, apo ka ndodhur në Shqipëri, atëherë dhe për ta qëndrimet e mia do të ishin ekzakt të së njëjtës natyre”.
Sarkozy vazhdon të udhëheqë bashkë me trupat e koalicionit operacionet e goditjeve në Libi, ndërsa 28 vendet aleate të NATO-s, përfshirë Shqipëria, vendosën sot me konsensus që Aleanca të drejtojë dy operacionet e tjera, ruajtjen e bllokimit të hapësirës ajrore mbi Libi dhe ruajtjen e embargos së armëve për vendin.