Sarkozy: Të vendoset armëpushimi në Gaza

Presidenti francez Nikolas Sarkozy, në misionin e tij paqebërës në Lindjen e Mesme, ka bërë thirrje për një armëpushim midis Izraelit dhe luftëtarëve të Hamasit në Rripin e Gazës sa më shpejt që të jetë e mundur. Në një konferencë për shtyp në Ramallah me Presidentin palestinez Mahmud Abas, Sarkozy deklaroi se Bashkimi Europian po punonte për t'i dhënë fund gjakderdhjes."Ne dhe partnerët tanë europianë e dënojmë ofensivën tokësore të Izraelit. Izraeli është një komb i madh, është një demokraci e madhe dhe bota nuk do ta kuptonte nëse Izraeli do të lejonte që situate humanitare në Rripin e Gazës të bëhej më dramatike nga ç'është tani", tha Sarkozy. Sarkozy gjithashtu dënoi edhe Hamasin për sulmet e tij me raketa mbi Izraelin. "Unë gjithashtu e përsëris me të njëjtin sinqeritet që Hamasi po ndërmerr veprime të papërgjegjshme dhe të pafalshme", theksoi ai. Ndërsa Presidenti palestinez Abas kërkoi ndalimin e sulmeve izraelite mbi Gazën. "Kërkoj një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte të sulmeve në Rripin e Gazës. Pas kësaj ne mund të diskutojmë të gjitha çështjet e tjera," u shpreh Abas. Ndërkohë që Hamasi ka akuzuar presidentin francez, Nikolas Sarkozy, për njëanshmëri të plotë në favor të Izraelit, pasi e ka akuzon lëvizjen islamike se po vepron në mënyrë të papërgjegjshme dhe të pafalshme. Ndërsa ministrja e Jashtme e Izraelit Tzipi Livni refuzoi propozimet europiane për vendosjen e vëzhguesve ndërkombëtarë në Rripin e Gazës pas çfarëdo lloj armëpushimi. Teksa kryetari i Komisionit Europian Hose Manuel Barroso, i ka bërë thirrje Izraelit të autorizojë hyrjen e ndihmës humanitare për popullsinë civile në Gaza.