E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haiti në kaos, mbi 100 mijë të vdekur

Haiti ka përjetuar një natë plot ankth, e dyta pas tërmetit të tmerrshëm që mendohet se iu ka marrë jetën më shumë se 100 mijë personave. Me mijëra vetë e kanë pritur ditën nëpër rrugë, duke gjetur strehim vetëm nëpër parqet publike të qytetit. Sipas dëshmitarëve, kufomat e njerëzve që humbën jetën nga tërmeti janë ende rrugëve, ndërkohë që ekziston frika se bilanci i kësaj katastrofe natyrore mund të kalojë me mbi 500 mijë të vdekur. Frika dhe paniku i banorëve u shtua më shumë mëngjesin e së enjtes kur një lëkundje e re 4.7 ballësh të shkallës Richter u ndje 50 kilometra larg zonës së goditur të martën. Ndërkohë që kanë vazhduar edhe ditën e dytë pas tërmetit shkatërrimtar operacionet e shpëtimit në zonën e fatkeqësisë në shtetin më të varfër të Hemisferës Perëndimore, Haiti. Me mijëra punonjës në mbarë vendin janë duke gërmuar nën rrënoja për të gjetur ndonjë të mbijetuar të mundshëm pas tërmetit 7 ballësh. Bilanci tragjik ka filluar që të thellohet me kalimin e orëve. Por përveç vështirësive në gjetjen e viktimave nën rrënoja, punonjësit e emergjencave janë duke hasur vështirësi edhe në komunikimin mes tyre për të koordinuar lëvizjet. Me qindra rrugë në mbarë vendin janë shkatërruar plotësisht duke bërë të pamundur lëvizjen nga një zonë në tjetrën. Gjithashtu edhe linjat telefonike janë prishur në shumë zona të Haitit. Në zonën e katastrofës janë raportuar deri më tani të vdekur 16 punonjës të OKB-së, ndërsa 56 punonjës të tjerë kanë mbetur të plagosur. Zyrtarë të kësaj organizate deklaruar se 100 punonjës së saj rezultojnë të zhdukur. Ish-presidenti amerikan Bill Klinton ka qenë një nga të dërguarit në Haiti. Ai ka shprehur keqardhjen e tij për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhet Haiti. "Ky vend ka nevojë të menjëhershme për mjetet më bazike. Në të gjithë vendin ka mungesë ushqimi, veshmbathjesh si edhe uji. Këta njerëz kanë nevojë për ndihma nga çdo cep i globit. Sado e vogël që të jetë kjo ndihmë, ajo duhet të jepet, çdo dollar është i vlefshëm për këta njerëz."- u shpreh ish-presidenti Klinton. Epiqendra e tërmetit biblik ka qenë vetëm 10 milje larg Port-au-Prince, kryeqytetit të Haitit i cili është i banuar nga rreth tri milionë banorë. Ndërkaq, shumë vende kanë nisur ndihma materiale, pajisje dhe ekipe kërkim-shpëtimi drejt shtetit të përfshirë nga katastrofa natyrore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›