Sarkozy:Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme

Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi i ka dërguar një mesazh urimi presidentit kosovar Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, me rastin e Përvjetorit të Pavarësisë, ku ndër të tjera thekson se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. "Kosova feston ditëlindjen e parë të pavarësisë së saj. Dëshiroj që t;ju adresoj, në emrin tim dhe të popullit francez, urimet më të përzemërta", thuhet në mesazhin e urimit. "Deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008, ka hapur një etapë të re drejt paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Kosova i ka treguar gjithë botës se mund t'i bëjë ballë sfidës së pavarësisë dhe të krijojë një shtet të ri, ku çdo bashkësi ka vendin e vet, ku normat dhe vlerat europiane janë njëkohësisht një qëllim dhe një kornizë aksioni", vazhdon Sarkozi. Sipasj tij, kushtetuta e 15 qershorit 2008 dhe ligjet e votuara që nga ajo kohë nga Parlamenti kosovar e dëshmojnë edhe vetë këtë gjë. Presidenti francez është shprehur se çmon vullnetin e kosovarëve për të punuar për bashkimin e të gjithë qytetarëve të vendit dhe funksionimin e dialogut. "Për të fashuar plagët e së kaluarës, pajtimi mes Serbisë dhe Kosovës, sikur dikur ai mes Francës dhe Gjermanisë, është i domosdoshëm. Vetëm ai pajtim do t'i mundësojë Kosovës dhe Serbisë të punojnë për një të ardhme të përbashkët që i pret në gjirin e Bashkësisë Europiane. Sikurse tërë Europës, Kosovës i duhet ndër të tjera që të përballojë sfidat ekonomike dhe sociale, dhe t'i sigurojë popullit të vet një nivel zhvillimi adekuat", thuhet në mesazhin e presidentit Sarkozi, i cili në fund i siguron liderët kosovarë se, përballë të gjitha këtyre sfidave, nesër, sikurse edhe dje, Franca do të jetë përkrah tyre. Një letër tjetër urimi ka ardhur për drejtuesit kosovarë edhe nga ministri i Jashtëm i Francës Bernard Kushner. Kushner ka uruar homologun e tij kosovar Skënder Hyseni për njëvjetorin e pavarësisë, duke shprehur mbështetjen e plotë të Francës për shtetin më të ri në botë.