E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incident në burgun e Fushë-Krujës

 

Trazhgim Sokolaj

Një përplasje mes të dënuarve në burgun e Fushë-Krujës është bërë shkak dje për ndërhyrjen e forcave të policisë. Dy të dënuar kanë pasur një incident mes tyre në ambientet e ajrimit, ndërsa gjatë sherrit efektivat e policisë së burgut kanë ndërhyrë me qëllim shmangien e pasojave të mëtejshme. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave i dënuari S. Prengzi ka pasur një mosmarrëveshje me një të burgosur tjetër në kohën që personat ndodheshin në ambientet e ajrimit. Të burgosurit kishin dalë jashtë ambienteve të izolimit, kur për shkaqe të momentit mes tyre ka pasur një mosmarrëveshje, e cila është kthyer në konflikt fizik mes palëve. I dënuari S. Prengzi është ndodhur i vetëm përballë kundërshtarit të tij D. Stafa, edhe ky i dënuar që është mbështetur në konflikt nga disa persona të tjerë. Forcat e policisë së regjimit të brendshëm të burgut menjëherë sapo kanë marrë sinjalin nga zhurma që po shkaktohej në zonën e ajrimit dhe nga imazhet e kamerave të sigurisë, kanë vendosur të ndërhyjnë. Sipas burimeve të mirinformuara nga burgu, mësohet se grupi policor që ka ndërhyrë në konfliktin mes të burgosurve përbëhej nga dy shefat e regjimit të brendshëm dhe komandanti i grupit. Ata kanë tërhequr duke mbrojtur nga dhuna të dënuarin S. Prengzi, i cili menjëherë është vendosur në ambientet e izolimit për thyerje të rregullores. Të njëjtin fat ka pasur edhe i dënuari tjetër që ka marrë pjesë në konflikt, D. Stafa, i cili është izoluar edhe ai në formë ndëshkimi për veprimet që ka kryer në thyerje të rregullores së brendshme të burgut. Një grup specialistësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mësohet se është nisur në drejtim të Fushë-Krujës për të verifikuar rrethanat e ngjarjes. Kanë qenë drejtuesit vendorë të institucionit ata që kanë lajmëruar Drejtorinë e Përgjithshme për incidentin e ndodhur, duke kërkuar hetimin dhe dokumentimin e ngjarjes.  
Incidenti
Ngjarja e ndodhur dje rreth orës 10:30 në burgun e Fushë-Krujës është përcjellë fillimisht si një rebelim i të dënuarve ndaj forcave të policisë. Sipas të dhënave paraprake dyshohej se shefi i regjimit të brendshëm të policisë, Dritan Paruca, ishte qëlluar nga të dënuarit. Të dhënat e para pretendonin se efektivi i policisë së burgut ishte qëlluar nga të dënuarit, pasi kishte kërkuar ruajtjen e qetësisë në ambientet ku qëndrojnë të dënuarit. Por drejtori i burgut të Fushë-Krujës, Sajmir Mulgeci, tha dje për gazetën "Panorama", se në të vërtetë nuk ka pasur asnjë incident mes forcave të policisë dhe të dënuarve. Sipas burimeve zyrtare sherri ka ndodhur mes personave të dënuar S. Prengzi dhe D. Stafa. Ata kanë qenë në ambientet e ajrimit kur janë konfliktuar mes tyre. Mosmarrëveshja mes dy të dënuarve është zgjeruar më tej, për shkak se të njohur të tjerë të personit të dënuar D. Stafa kanë shkuar në mbështetje të tij, duke u bërë grup kundër të burgosurit tjetër S. Prengzi. Policia e burgut duke parë situatën që rrezikonte të shkonte në konfrontime të rënda fizike ka vendosur të ndërhyjë. Grupi i përbërë nga dy shefat e regjimit të brendshëm dhe komandanti i grupit kanë hyrë në ambientet e ajrimit dhe janë përpjekur të vendosin qetësi. Fillimisht ata kanë tërhequr duke marrë në mbrojtje të dënuarin D. Prengzi. Pasi është nxjerrë nga ambientet e ajrimit, ai është futur në pjesën e brendshme të burgut dhe më pas është mbyllur në izolim për shkak të shkeljes së rregullores. Më pas forcat e policisë brenda burgut kanë bërë veçimin e të dënuarit tjetër D. Stafa, i cili është larguar nga ambienti i izolimit dhe është çuar në izolim edhe ai në formë ndëshkimi për shkelje të rregullores së brendshme të burgut.

Rrëmuja pas incidentit fizik mes të dënuarve

TIRANE - Burime të brendshme të burgut të Fushë-Krujës ofronin dje tablo të ndryshme për të njëjtën ngjarje. Sipas disa burimeve jozyrtare, shefi i regjimit të brendshëm, efektivi i policisë Dritan Paruca, ishte qëlluar me grushte e shkelma nga disa të dënuar pas një konfrontimi fizik. Duket se zyrtari i policisë kishte tentuar të vinte qetësi e rregull në kohën kur ka ndodhur incidenti mes të dënuarve, porse një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Thirrjet e zyrtarit të policisë për qetësi dhe mosveprim nga të dënuarit kanë marrë si përgjigje goditjet me shkelma dhe grushte. Burimet zyrtare nga ana tjetër hedhin poshtë të dhënat nga këto burime jozyrtare, duke thënë se informacione të tilla kanë për qëllim të ulin reputacionin e mirë të burgut të Fushë-Krujës. Duket se incidenti i djeshëm do të jetë objekt i hetimeve të prokurorisë dhe vetëm pas shqyrtimit penal të fakteve do të mësohet e vërteta e asaj që ka ndodhur.                               t.s

Verifikimi në burg: Palët s`kanë shenja të dhunës fizike

Prokuroria: Të hënën do nisim hetimin për incidentin në burg

TIRANE - Ngjarja e ndodhur dje në burgun e Fushë-Krujës është konsideruar zyrtarisht si një kundërshtim i punonjësve të policisë. Dy shefat e regjimit të brendshëm dhe komandanti i grupit që kishin hyrë në ambientin e ajrimit, janë kundërshtuar ndërsa po tërhiqnin të dënuarin S. Prengzi. Efektivat e brendshëm të policisë së burgut kanë pasur kundërshtime nga të dënuarit që ishin grupuar në krah të rivalit të S. Prengzit, duke rrezikuar seriozisht këtë të fundit. Gjatë momenteve kur policia po izolonte të dënuarin S. Prengzi, nga ushtrimi i dhunës ka pasur shtyrje dhe ushtrim të forcës fizike, ndërsa pretendimet e mëpasme janë bërë shkak që burgu në mënyrë institucionale të lajmërojë Prokurorinë. Një përfaqësues i organit të akuzës ka mbërritur menjëherë dje në burgun e Fushë-Krujës dhe pasi ka parë se të dënuarit dhe efektivat e policisë nuk kishin shenja të dukshme dhune, ka vendosur që të vazhdojë me procedurat e zakonshme ditën e hënë. Drejtori i burgut të Fushë-Krujës, Sajmir Mulgeci, tha dje se pas ngjarjes së ndodhur në ambientet e ajrimit, ku nuk ka pasur asnjë ushtrim dhune apo atakim me forcat e policisë, është lajmëruar prokuroria me qëllim hetimin e çështjes. Duke qenë se përfaqësuesi i prokurorisë ka vlerësuar se hetimi i ngjarjes nuk është urgjent, është vendosur që të hënën palët në konflikt të ftohen për të depozituar kallëzime penale në rast se gjykojnë se ndaj tyre është kryer ndonjë veprim në kundërshtim me ligjin. Pas kallëzimeve prokuroria mund të vihet në lëvizje për të hetuar ngjarjen më tej.                     tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›