E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli mirëpret Shqipërinë, gati vendimi për heqjen e vizave

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë konfirmuar dje perspektivën e anëtarësimit të shpejtë të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në union. Integrimi do nisë me heqjen e regjimit të vizave, në fund të këtij viti, duke nisur me kandidatet më mirë të përgatitura; Shqipërinë, Kroacinë e Maqedoninë TIRANE – Ministrat e Jashtëm të BE-së, kanë ripërsëritur qëndrimin për të parë me përparësi zgjerimin e unionit drejt vendeve te Ballkanit Perëndimor, ndërsa Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini, ka ripërsëritur kërkesën për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Nën këtë frymë, ministrat e jashtëm të BE-së dhe kolegët e tyre nga Ballkani e mbyllën takimin në kalanë madhështore çeke me një deklaratë shpresëdhënëse për vendet e Ballkanit perëndimor, për një aderim sa më të shpejtë në BE. Ministrat e Jashtëm për zgjerimin e BE-së Udhëheqësit evropianë kanë theksuar se shpejtësia e këtij zgjerimi varet nga fati i i Traktatit të Lisbonës, dështimi i të cilit do ta vështirësonte jo pak këtë proces. “Ndodhem këtu për t’u shpjeguar partnerëve tanë të Evropës Perëndimore se shtetet e Ballkanit janë pjesë e Evropës dhe si të tilla duhet të jenë pjesë e BE-së”, deklaroi dje ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg. Ndërsa ministri i Jashtëm britanik David Miliband, theksoi se, “Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të kenë një perspektivë evropiane. Ne kemi provuar se BE-ja duhet ta mësojë mirë historinë e saj, dhe historia e saj tregon se të jesh më i madh të bën më të fortë”, theksoi Miliband. “Vendet e Ballkanit duhet të kenë të gjitha akses në BE, pasi janë në Evropë. Tani se me çfarë modalitetesh, me çfarë ritmi dhe me çfarë marrëveshjesh politike paraprake, kjo përbën problem”, shtoi ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner. Të ngadalësohet zgjerimi për shkak të kësaj krize “do të ishte një gabim, sepse kriza duhet konsideruar si një motivim për të përshpejtuar procesin”, u përgjigj megjithatë ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Antonio Miloshoski. Kjo krizë interpretohet me mënyra të ndryshme sipas vendeve, e pranoi belgu Karel De Gucht, qoftë si një “faktor ngadalësimi”, qoftë si një arsye për ta bërë “më urgjente” pranimin e tyre për të “zgjidhur së bashku problemet tona të përbashkëta”. “Nuk më pëlqen kur zgjerimi shndërrohet në një fushatë negative, gjë që për mua është populizëm i kulluar. Të gjithë e dinë se Ballkani Perëndimor dhe, në një periudhë afatgjatë, Turqia i përkasin Bashkimit Evropian. Duhet të flasim për përfitimet e zgjerimit. Ky është procesi më demokratik, procesi më i mirë i paqes, prandaj kushdo që e shfrytëzon zgjerimin në drejtim negativ, sipas meje është populist”, tha ministri i jashtëm i Finlandës, Alexander Stubb. Kryediplomati finlandez, fazën më të mirë të BE-së, ka vlerësuar vitin 2004, kur edhe u bë një zgjerim i ri i këtij bashkimi drejt lindjes. “Faza më e mirë nëpër të cilën ka kaluar BE-ja këto dhjetë vitet e fundit ka qenë zgjerimi i saj në vitin 2004, ku dhjetë vende u bënë anëtare të bllokut dhe këtë duhet ta mbajmë mend mirë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Finlandës, Alexander Stubb. Frattini për liberalizimin e vizave me Shqipërinë Gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së në Çeki, Frattini kërkoi nga komisioni evropian që të japë sinjale më të qartë e konkrete ndaj këtyre vendeve ku bën pjesë edhe Shqipërisë. Ministri Frattini tha se Evropa luan kredibilitetin e saj në këtë çështje e për pasojë nuk mundet që të tërhiqet prapa pas disa vitesh negociata të vështira. “Përtej qeverive të ngjyrave të ndryshme, Italia ka qenë përherë për zgjerimin e kufijve te Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimore, një perspektivë kjo që nënkupton stabilitet dhe ekuilibër për një rajon që për dhjetëra vjet me radhë është sfilitur nga luftërat dhe tensionet ndëretnike”, deklaroi Frattini. Ndërkaq ky i fundit ka shtuar se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Kryediplomati italian tha para kolegëve të tij se Roma zyrtare mbështet heqjen e vizave me të gjitha vendet që i kanë plotësuar kushtet e vëna nga evropianët, duke cituar këtu Shqipërinë dhe Serbinë. Frattini kërkoi një vullnet më të mirë politik për zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe anëtarët e tjerë, pjesëmarrës në samit. Dhe në mbështetje të liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe BE-së, vetë ministri Fratini dhe homologu i tij slloven, iu drejtuan Bashkimit Evropian pak ditë më parë me një letër, ku kërkonin gjithashtu zgjerimin e BE–së në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në letër u theksua rëndësia e madhe e zgjerimit në këto vende, përfshi këtu Shqipërinë. Deklarata përfundimtare e ministrave të jashtëm Në deklaratën e përbashkët të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, në përfundim të takimit të tyre në Çeki, duke iu referuar proceseve zgjedhore që po mbahen dhe do të mbahen në disa vendeve përfshi këtu edhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri, theksohet rëndësia që ato të jenë të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet dhe rekomandimet e organizmave ndërkombëtare. Ndërkaq në deklaratën finale rikonfirmohet domosdoshmëria e pasjes së një bashkëpunimi të ngushtë të Bashkimit Evropian, organizmave financiarë ndërkombëtare me vendet e këtij rajoni. Përmbushja e pikave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Brukselin mbeten për cilindo nga vendet aspirante për në BE detyra kryesore që duhet të ketë parasysh, duke ndërmarrë reforma ekonomike dhe politike që afrojnë këto vendeve me unionin dhe që çojnë gradualisht në fitimin e statusit të vendit kandidat. Në të njëjtën kohë, ritheksohet edhe domosdoshmëria e liberalizimit të regjimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor në formën e një përfitimi direkt nga progresi ne procesin e integrimit të plotë në BE.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›