Fokus/ Shkupi ndreq emërtesat e rrugëve, pritet Tirana…
Shpërndarja e emërtesave të reja të rrugëve, urave e objekteve të tjera infrastrukturore të Shkupit (Maqedoni) ka nisur duke fiksuar si fillim 29 emrat e parë. Mes tyre numërohen gjashtë emërtesa shqiptare, të cilat do t’i jepen rrugëve në lagjet Gazibabë, Hasanbeg, Seravë, Qendër e të tjera. Emërtesat e reja do të nxjerrin jashtë përdorimit reliktet e nostalgjisë nga koha e ish Jugosllavisë, duke u zëvendësuar me emra personalitetesh dhe datash sinjifikative për historinë shqiptare. Kësisoj rruga Roman Kaskalceviç do të jetë Marrëveshja e Ohrit; rruga Virgino do të jetë Fan Noli; rruga Drvarska do të jetë Azem Hajdari; rruga Rifat Burcevic do të emërtohet Ismail Kadare; rruga Sevastopolska do të emërtohet Kumbara; rruga Vodnjanska do të emërtohet Nëna Terezë etj.
Kuptohet vetiu, ndreqja e kujtesës historike ishte bërë e domosdoshme në Maqedoninë e sotme, pasi qytetarët e ndjenin veten në huaj në qytetet e tyre. Rrugët, emërtimet e tyre janë të rëndësishme për një shoqëri, pasiqë ato fiksojnë identitetin, blatojnë karakterin dhe fizionominë e qytetit. Në Maqedoni ndërhyrja në emërtime ishte bërë e domosdoshme për shkak se emërtimet janë jashtë realitetit multi-etnik dhe më afër nostalgjisë titiste.
Sakaq gjatë dy dekadave të fundit postkomuniste pothuajse të gjitha vendet ish-komuniste të Europës Lindore, nëpërmjet instrumenteve shtetërorë dhe instituteve të kujtesës kombëtare apo instituteve të studimeve mbi diktaturat, kanë kaluar në filtër të gjitha simbolet komuniste duke pastruar sheshe, rrugë, institucione – gjithë peizazhin qytetës dhe, nga ana tjetër, kanë punuar me përkushtim për sistemimin, studimin dhe muzealizimin e tyre në muzetë edukativë e studimorë.
Megjithëse, në Shqipëri ka pasur një sipërmarrje për ndryshimin e emërtimeve komuniste, ku proces është ngadalësuar në vite. Në kryeqytet përgjatë qeverisjes së Edi Ramës pati raste qesharake kur disa rrugësh të reja u emërtuan me emra anonimësh për shkak se drejtorë të bashkisë Tiranë propozuan emra të fisit të tyre. Por jo vetëm kaq. Para do kohësh Drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika, ka shprehur nevojën për adresarin e Tiranës. Sipas saj, sistemi i adresave është për të ardhur turp, pasi rrugët po emërtohen me emra kriminelësh dhe të vrarësh politikë. Ka të drejtë, sepse rrugët tona janë emërtuar me ca emra komunistësh 24 karat të vrarë, përgjithësisht, rreth viteve 1943-1945, ku vlonte lufta civile. Për shembull dy raste: Emri dhe Mbiemri Sabaudin Gabrani gjendet në të paktën dy shkolla dhe tri rrugë në Tiranë; por kush është shoku Sabaudin Gabrani, ç’ka bërë ky njeri për të merituar kaq respekt viziv në këtë Shtet. Asgjë. Sipas komunistëve ai është Hero i Popullit sepse, sipas historisë së tyre, pasi u kap nga forcat fashiste, u dënua me vdekje. Fjalët e tij të fundit ishin: “Mos u trembni në aksione, se dhe këtu në Ministrinë e Kulturës, ku punojmë, po na zbuluan, ne do ta kthejmë në një kala komuniste”. Nuk besoj se kishte ndonjë komunist aty afër për të incizuar fjalët e një simpatizanti komunist, pa ndonjë meritë a betejë për atdheun. Apo rruga kryesore e një lagjeje të madhe si “Komuna e Parisit” të emërtohet Medar Shtylla (ish-ministër ekonomie për 5-vjeçarët komuniste), sikur të mungonin njerëzit me vlera në këtë vend. Sikurse emrat e albanologëve të mëdhenj enden nëpër cepa e kthina rrugësh, dhe shumë prej tyre janë krejt të harruara. Po ashtu klerikët katolikë të asgjësuar nga furia jakobine kufizohen tek emri i Fishtës, edhe ky i persekutuar post-mortem. Ndërsa një tjetër emërtim i çuditshëm është rruga “Myslym Shyri”, një rrugë sot e shtrenjtë për butikët dhe lokalet e saj, por që mban emrin e një gangsteri piroman që piqte fshatra “reaksionare”. Të përjashtuarit e zakonshëm janë antikomunistët. Ata janë ende të përndjekur në adresarin e kuq të Tiranës. Kurse data kinse “çlirimtare” (11, 13 nëntori) të qyteteve nga komunistët gjenden mbi hyrje shkollash, çerdhesh, librarish, stadiume, rrugësh e rrugicash lagjeje. Me një llaf janë emërtimi i asgjësë. Të papersonalizuara, tërësisht të huaja janë kanalet e energjisë dhe simboleve të diktaturës. Kanë kaluar dy dekada nga zbythja e sistemit komunist, dhe është e pabesueshme që ende sot, emrat e një pjese të madhe të institucioneve publike e shtetërore të edukimit, sportit dhe arsimit, të rrugëve, rrugicave, parqeve e shesheve, kanë mbetur të pandryshuara, ashtu siç kanë qenë në kohën e PPSH-së.
Lavdrim Lita