S’duhet të lodhemi të evokojmë martirët antikomuniste të Mirditës martire
Në këtë 17 gusht, mbushen plot 60 vjet nga dita kur Diktatura komuniste vari e pushkatoi 14 burra, burgosi e internoi qindra të tjerë. Duke e konsideruar këtë datë, jo fillimin, por kulmin e genocidit, ne sot, do të sjellim në memorjen tonë, një numër krejt të vogël, nga episodet e pafundme që bëjnë fjalë mbi persekutimin e diferencuar e tepër të thellë, që E.Hoxha i rezervoi krahinës së Mirditës për 46 vjet me radhë. Kalimi i Divizionit I në Veri, shënoi përshpejtimin e përshkallëzimit të përplasjes midis komunistëve nga njëra anë, që synonin me çdo kusht e me çdo mjet sigurimin e gjithë pushtetit politik në Shqipërinë e pasluftës dhe nacionalistëve nga ana tjetër, që ishin për ta penguar vendosjen e atij lloj pushteti ndjellakeq. Në këto kushte, lufta civile me tërë ashpërsinë dhe egërsinë e saj u bë e pashmangëshme. Mirditasit, për shekuj me radhë, nuk i patën ngatërrue rrugët me humnerat. Ata, duke u gjendur përballë rrezikut të Moskovit, siç thuhej atëherë, dolën në male, me shpresën për të lëvizur në rrugën drejt Perëndimit, drejt Zotit e drejt Lirisë. Por, rrethanat e krijuara bënë që, forca e gravitetit të humnerës misterioze të komunistëve, të atyre “Djajve të kuq” siç i quante Dostojevski, do t’i gëlltiste si përbindëshi ato burra, një e nga një, ose grupe-grupe sipas rastit. Veprimet e para të organizuara të asaj lufte të përgjakshme vëllavrasëse u kryen pikërisht në Frash (mali mbi Orosh), në Gusht 1944. Vetëm disa ditë më vonë, në tetor, partizanët dogjën sarajet e Kapidanit, për ta bërë të ndjeshme e sa më të llahtarëshme praninë e tyre, m’u në zemër të Mirditës, si ishte Oroshi. Në vijim, strukturat e shtetit kriminal, do të kryenin veprime të panumërta masakruese ndaj mirditasve. Vriteshin njerëzit diku në mal, kryesisht natën dhe silleshin e plandoseshin përdhe në qendër të rrethit për t’i ekspozuar. Ka pasur raste kur kufomën e kanë lagur me benzinë dhe e kanë djegur. Tjetrën (kufomë) p.sh. e kanë lënë aty deri a ta kafshojnë derrat e uritur. Pastaj mbetjet i groposnin në ledhishtet e lumenjve ose në brinjat me shkurre që t’u humbiste edhe varri.
Me 14 qershor 1946, në përpjekje me forcat e sigurimit e të ndjekjes, vritet Komandanti i Lidhjes Kombëtare të Maleve, Dr. Mark Gjomarkaj, i cili qëndroi në Mirditë, luftoi me mirditasit, ndau fatin dhe vdiq me ta, kur, si shumë të tjerë, edhe ky i kishte të gjitha mundësitë t’u shpëtonte rrjedhimeve tragjike. Humbja e kreut të nacionalizmit, do t’i entuziazmonte së tepërmi komunistët. Gazeta Bashkimi e datës 15 qershor 1946, në kryeartikullin e saj shkruante: “...eleminimi i M.Gjomarkajt...është një ndër fitoret më të mëdha të pushtetit popullor në stabilizimin dhe konsolidimin e fitoreve”. Tash e mbrapa, ata do t’i kishin duart më të lira për instalimin e pushtetit të tyre të hurit e të litarit, në Mirditë e më gjerë. Në raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit me titull: “Pasqyra mbi rezultatet në luftën kundër banditizmit” për vitet ’45-48, Dosja nr.7 fq. 104, AM.B. vërejmë: Nga 225 të ekzekutuar nga forcat e sigurimit, në të gjithë Shqipërinë, përgjatë viteve ’45-’48, sipas raportit të formuluar nga vetë ata, Mirdita zë vendin e parë, me 32 të tillë. Për vrasjet pa gjyq, e për terror ndaj popullsisë së pafajshme në Veri sidomos, tirani Enver Hoxha, orientonte strukturat kriminale me anë të një qarkoreje: “Në Shkodër, Koplik, Dukagjin, Vermosh, Mirditë, Kukës, Pukë, Burrel e Dibër, Pushteti ynë është i pabazë dhe nuk simpatizohet...të bëhet çarmatimi total ...e në çdo rezistencë të ushtrohet forcë e dhunë deri në pushkatim” (AKQ, dosja nr.1 e 13, Fondi Sht.Pergjithshëm). Në zbatim të këtij urdhri, në tetor 1946, ekzekutohen Kryetarët e këshillave, Dod Preng Kola në Rrëshen e Gjon Pjetër Maca në Përlat, në mbledhje para popullit, se gjoja banorët e fshatrave të tyre, kishin ende armë pa dorëzue. Abacia e Oroshit, në vitin 1947, d.m.th. 20 vjet para se të rrënoheshin institucionet e tjera fetare në terë Shqiperinë, u dhunue në mënyren më barbare, jo më nga serbët si në vitin 1915, por nga pushtuesit komunistë shqiptarë, kryesisht për të dëmtue trashëgiminë kulturore e fetare. Shëmtia më e madhe qê, se u vu dorë mbi Arkën e Shejtë. E zhveshën prej stolive të argjendëta. Këtë simbol unikal të Kishës së Shën Aleksandrit, mirditasit e patën shpëtue për mrekulli nga rrebeshi i hordhive turke, por mjerisht nga egërsia e pashembullt e hoxhistëve komunistë, nuk mundën ta ruajnë.
Pas shpalljes së Pavarësisë, qarqeve të caktuara të politikës europiane, nuk u interesonte një shtet me mazhorancë islame, si Shqipëria. Ndoshta edhe për këtë, por më shumë për të përmbushur interesat e fqinjëve, kryesisht të Serbisë, për zgjerimin e territoreve të tyre në dëm të tokave shqiptaere, Fuqitë e Mëdha ia shkëputën Shqipërisë, gjysmën e trojeve nga trungu mëmë. Po kështu, pak a shumë, si për të imituar Europën e fillimit të shekullit të XX-të dhe çuditërisht në ngjashmëri me Tè, Partia-shtet do të vepronte me Mirditën. E.Hoxhën e verbonte kjo Krahinë, ky simbol i lirisë, i atdhetarizmit, i qëndresës dhe i krenarisë kombëtare. Diktatura i trembej rebelimit të organizuar të këtij komuniteti të fuqishëm e kompakt, me një besim katolik dymijëvjeçar të pacënuar, me status tepër të përcaktuar në doke e tradita, me merita të veçanta në luftrat shumëshekullore për liri e pavarësi. Pikërisht për ketë, por me pretekstin e reformës administrative, me dekretin Nr.684 dt.11.03.1949 të Presidiumit të K.P.Mirditës etnike, do t’i krasitej gjysma e sipërfaqes. Lokalitete të tëra të saj do të arnonin rrethe të tjera si Lezhën, Shkodrën, Kukësin, Pukën e Matin. Kështu pra, Mirdita, ashtu si edhe Shqipëria, do të kufizohej tërësisht me vetveten. Kësisoj, strukturat e shtetit kriminal, do ta kishin disi më të lehtë punën për survejimin, ndëshkimin, nënshtrimin e martirizimin e mbarë Mirditës.
Nga këto tmerre që kishin ndodhur, qe krijuar në popull, pak a shumë, përshtypja se komunizmi (si i thonë fjalës), kishte ba “barrë” në Mirditë, kishte vrarë e kishte prerë, sa nuk kishte ku me shkue më. Por ja që nuk paska qenë e thënë të mbetej me aq. Me 7 gusht 1949, vritet në Qafë të Valmerit, Sekretari I i Partisë, Deputeti i Mirditës, Bardhok Biba. Gjeneral Gjin Marku, në ceremoninë mortore ndër të tjera shprehej: “...Neve, betohemi sot para shokut Bardhok ...se në trojet e tradhtarëve tonë do të rrjedhi uji i zi ...se reaksioni-vazhdon ai- do ta paguajë shumë shtrenjtë gjakun e dëshmorëve tanë” (Zëri i Pop. 10 Gusht 1949). Gjenerali, e dinte se sa i kobshëm ishte ai betim, aq më tepër, kur bëhej në emër të kupolës së një shteti, themelet e të cilit po konsolidoheshin me gjakun dhe eshtrat e kundërshtarëve politikë. Edhe Gjeneral Mehmet Shehu, po ashtu deklaronte se do t’ia merrnin hakun shumëfish deputetit. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të K.P të Rrethit Mirditës dt.9.8.’49, asnjëri nuk kërkoi gjetjen e fajtorëve e vënien e tyre para organeve të drejtësisë, por përsëritnin refrenin për hakmarrje të verbër primitive. Për të dhënë dënimet pa akuza të vertetuara, jo rastësisht, caktohet monstra e pa/drejtësisë komuniste, xhelati Bilbil Klosi, i cili do të shpallte vendimin gjyqësor Nr.98.dt.16.8.1949, për 26 mirditasit të vënë nën të njëjtën akuzë të përbashkët si “kriminela, terrorista, për dijeni.. përkrahje, nxitje... e pjesmarrje në vrasjen e B.Bibës etj”. Ded Gjomarkajt, Dod M. Bibës, Pjeter D.Vilës dhe Dod Palokës iu dha njëra nga format më barbare të dënimit që ka njohur njerëzimi, varje në litar. Me pushkatim: Nikoll B.Bajraktari, Nikoll Ll. Bajraktari, Llesh Mëlyshi, Ndrec M.Ndoj, Preng Sh. Nikolli, Bardhok D.Gjini, Frrok Mata, Gjergj Beleshi, Gjin Gjok Kaçi dhe Ndoc Gjet Çupi. Ekzekutimi u krye në prani të qindra njerëzve të mbledhur aty enkas për t’i frikësuar, trishtuar e gjunjëzuar. Dymbëdhjetë burra të tjerë u dënuan me nga 20 vjet burg secili. Rreth 300 vetë, i nisën drejt kampit të shfarosjes në Turan të Tepelenës. Disa ditë më vonë, në Rubik, para punëtorëve, tirani E.Hoxha, deklaronte se masat që u morën pas vrasjes së Bardhok Bibës, nuk ishin kundër popullit, por ndaj një grupi armiqsh. Në këtë mënyrë, udhëheqësi përbindësh, me cinizëm, përpiqej të reduktonte një krim të atyre përmasave në një grup të vogël njerëzish. Nga viti 1944-1990 në Mirditë janë vrarë nga komunizmi burra e gra gjithsej 320, burgosur 345 dhe internuar 606 të tjerë, prej të cilëve 129 fëmijë (Ky pra, ishte grupi i vogël sipas E.Hoxhës). Në raport me numrin e atëhershëm të popullsisë së krahinës në fjalë, i takon që 1 në 10 banorë është ekzekutue, burgos, ose internue. Lufta mizore e klasve, si ide dhe praktikë çnjerëzore, nuk la asnjë skaj të jetës pa prekur. Pushtetarët partiakë, e patën cilësue Mirditën-rreth politik (rast i paprecdent në gjithë Lindjen komuniste). Kjo bëhej, gjoja, për të “përligjur” shkallën shumë të lartë e të kamufluar, me të cilin zhvillohej lufta klasore në Mirditë përgjatë gjithë periudhës së ekzistencës së shtetit totalitar, deri në vitin 1990. Martirët e lirisë, bijtë e Mirditës martire, që dhanë jetën për një kauzë të madhe, do ta kenë qetësinë atje ku pushojnë përjetësisht. Ne kemi për detyrë t’i kujtojmë gjithherë me mirënjohje të thellë. Janë pasardhësit e tyre Ata që, shteti në radhë të parë, por edhe shoqëria, duhet t’i respektojë, jo vetëm formalisht, por konkretisht e denjësisht.