Biznesi dhe ekspertët kërkojnë ndërhyrjen e shpejtë të BSH për të ndalur euronNga TemaLeku mundi dje të rifitojë pozicion pas rënies së ashpër të dy ditëve më parë duke dhënë shpresë se vendi nuk do të përfshihet nga ndonjë rrëshqitje e rrezikshme e
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Biznesi dhe ekspertët kërkojnë ndërhyrjen e shpejtë të BSH për të ndalur euronNga TemaLeku mundi dje të rifitojë pozicion pas rënies së ashpër të dy ditëve më parë duke dhënë shpresë se vendi nuk do të përfshihet nga ndonjë rrëshqitje e rrezikshme e vlerës së monedhës vendase. Nuk ka ndonjë arsye bazë se pse dje leku mundi të rimarrë pikë, kur ai ka rreth nëntë muaj që humbet pikë pa ndalur. Banka e Shqipërisë nuk ka raportuar ndonjë ndërhyrje të saj dhe në fakt zëra të rëndësishëm të biznesit, por edhe ekspertë të njohur të ekonomisë në vend bënë thirrje për ndërhyrje urgjente të Bankës së Shqipërisë. Situata me qëndrueshmërinë e monedhës kombëtare është vërtet në një pikë të paqartë dhe e vetmja gjë që mund të bëhet për ndikuar në mbajtjen e saj në koordinata të mira është hedhja në treg nga Banka e Shqipërisë e sasive të valutës. Banka e Shqipërisë, që kur vendi ka nisur të përfshihet nga efektet e krizës ekonomike botërore, nuk ka ndërhyrë thuajse fare. Ekonomia në vend po vuan probleme shumë të rënda më rënien e kredive dhe mungesën e thellë të likuiditetit, normat e interesave dhe kostoja e parasë është shumë e lartë, ndërkohë Banka nuk ka bërë asgjë, kur bankat e vendeve të tjera të prekura nga kriza kanë mbajtur peshën bazë të masave që janë ndërmarrë.
Tashmë që vendi po përballet me zhvlerësim të monedhës dhe rrezikon të përfshihet nga probleme të tjera si pasojë e këtij zhvlerësimi, Banka ende nuk ka planifikuar të ndërhyjë, por është mjaftuar me deklarata verbale mbi qëndrueshmërinë e monedhës. Që prej janarit monedha vendase është zhvlerësuar me rreth 10%. Konfindustria dje kërkoi me shqetësim ndërhyrjen urgjente Bankës së Shqipërisë. Në një deklaratë të sajën thuhej se “është pikërisht rasti i duhur për ndërhyrjen në treg të Bankës së Shqipërisë, sepse zhvleftësimi i lekut vjen në masën më të madhe nga shkaqe psikologjike”.
Sipas administratorit të përgjithshëm të saj, Gjergj Buxhuku, pavarësisht pasojave të krizës globale dhe problematikës së brendshme, të gjithë treguesit kryesorë makroekonomikë nuk mbështesin shkallën e zhvleftësimit të monedhës kombëtare, që ka ndodhur ditët e fundit. Profesor Omer Stringa tha po ashtu se ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë duhet të jetë e menjëhershme. Stringa tha se zhvlerësimi i monedhës mund të kthehet në shqetësim të madh, nëse nuk ndërhyhet. Situata ndërkombëtare është e tillë, ku euro po fiton pikë ndaj të gjitha monedhave dhe kjo mund të jetë shumë e rëndë për vendin tonë, që ka një monedhë të dobët përpara euros.
Agjencitë valutore: Deklarata e kryeministrit për adoptimin e euros dëmtoi lekun
Përfaqësues të agjencive të këmbimit valutor dje në Tiranë, teksa panë që euro po mund të shfaqej më e dobët sesa dy ditë më parë, kur ajo ra në mënyrë të shpejtë me dy pikë duke thyer rekordin e dekadës, fajësuan deklaratat e kryeministrit për zëvendësim të lekut. Agjentët valutorë shpjegojnë se situata në tregun e këmbimit po stabilizohet. Sipas tyre, euro shënoi ditën e djeshme rekord historik, pasi tregu u përfshi nga paniku dhe qytetarët blenë euro duke tërhequr kështu valutë. Sipas përfaqësuesve të agjencive, në këtë situatë ndikoi edhe deklarata e kryeministrit Berisha për zëvendësimit të lekut me euron. Si rrjedhim, klientët e thjeshtë kthyen në euro kursimet që kishin, duke shkaktuar një rritje të ndjeshme të monedhës së përbashkët evropiane. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, fluksi i shkëmbimeve valutore i është rikthyer ritmeve normale. Sipas agjentëve valutorë, në këtë drejtim kanë ndikuar pozitivisht dhe deklaratat e ministrit të Financave, Ridvan Bode, për besimin që duhet treguar te leku dhe për kohën që euro do të adoptohet, kur vendi të hyjë në BE. Agjentët valutorë parashikojnë një rënie të mëtejshme të euros dhe stabilizim të plotë të tregut brenda dy ditëve të ardhshme. Megjithëse, sipas tyre, euro nuk pritet që të zbresë nën nivelin e 134 lekëve.
Vendet e Evropës Lindore që ranë në recesion, patën zhvlerësime të thella të monedhës
Vendet e Evropës Lindore që u përfshinë fort nga kriza ekonomike botërore gjatë pjesës së parë të këtij viti dhe ranë në recesion, sidomos Vendet Baltike, por edhe Hungaria, Rumania etj., goditjen më të ashpër e morën në zhvlerësimin e monedhave të tyre. Aktualisht ato vende ende vuajnë nga monedha e zhvlerësuar, megjithatë ajo ka nisur të fitojë qëndrueshmëri. Kriza në këto vende ishte aq e madhe, sa Bashkimi Evropian u tremb, se rënia e këtyre vendeve do të vinte në vështirësi të gjithë unionin. Shqipëria mundi të mbesë e prekur shumë më lehtë nga kriza në atë kohë dhe nuk ra në recesion dhe kjo për shkak të investimeve të larta, por edhe për shkak të hapjes jo të madhe me tregun e huaj. Ajo që mund të jetë e rrezikshme për Shqipërinë, mund të jetë hipoteza se kriza që erdhi më ngadalë, ose mund të vijë më ngadalë, ose mund të kërkojë të ikë më ngadalë. Kjo ende nuk mund të thuhet, por ajo që është e qartë, është se ekonomitë e vendeve që u prekën thellë nga kriza tashmë po dalin, ndërkohë që treguesit ekonomikë të vendit tonë janë ende shumë të këqij dhe janë për fat të keq në përkeqësim. Eksportet vijojnë të jenë të ulëta, importet po ashtu nuk po rriten, të ardhurat janë me mosrealizim, konsumi është në gjendje jo të mirë, ka krizë për likuiditet, si dhe kredi që jepen më pak sesa vitin e shkuar.
Berisha “mbyll” bursën NASDAQ
Kryeministri, Sali Berisha, ishte i ftuar special dje në ceremoninë e mbylljes së bursës ditore të Nju-Jorkut, NASDAQ, në Times Square.
Gjatë ceremonisë u shfaqën pamje nga vendet më të bukura dhe panoramike të Shqipërisë, si dhe një dokumentar i shkurtër mbi vendin tonë. I gjithë aktiviteti transmetohej në kohë reale në NASDAQ Tower dhe shikohej nga kalimtarët.
Kulla panoramike e NASDAQ është ekrani më i gjerë i botës. Në të transmetohen në kohë reale rezultatet e bursës amerikane, si dhe përshëndetjet e liderëve botërorë apo personaliteteve të tjera të shkencës, artit, botës së financës etj..
Përshëndetja e kryeministrit Berisha përmes stacionit televiziv të NASDAQ u transmetua në kohë reale në televizionet e profilizuara ekonomike si CNBC, Bloomberg, FOX Business.