E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Së bashku drejt Europës, ky është urimi ynë sot”

18-02-2013 / Gazeta 55

Ilir Meta uron qytetarët e Kosovës për 5 vjetorin e shpalljes shtet i pavarur

Kreu i LSI-së: Përulemi me nderim të thellë ndaj Adem Jasharit dhe luftëtarëve të UÇK që u flijuan

Lëvizja Socialiste për Integrim përshëndet qytetarët e Kosovës me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë.
Kreu i LSI-së, Ilir Meta shprehu përshëndetjet më të ngrohta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke theksuar se në vitin e 5-të të pavarësisë, Kosova është më e konsoliduar, shtet konstruktiv në rajon dhe i njohur ndërkombëtarisht nga 98 shtete.
“Bashkë me të gjithë shqiptarët kudo që gjenden, sot festojmë një Kosovë të pavarur, një Kosovë të njohur prej 98 shtetesh, një Kosovë më të konsoliduar me institucioneve demokratike, me një shtet që forcohet nga viti në vit, një Kosovë që garanton të drejtat e të gjitha pakicave, një Kosovë konstruktive në rajon, dhe mbi të gjitha një Kosovë me një shoqëri të lirë, multi-etnike dhe evropiane”, thuhet në urimin e kreut të LSI, Ilir Meta.
Ai përkujtoi dhe dëshmorët që luftuan e u flijuan për këtë pavarësi dhe liri nga Adem Jashari, Zahir Pajaziti e të gjithë luftëtarët e UÇK. Sipas tij, meritë të veçantë në pavarësinë e Kosovës ka dhe ish Presidenti Ibrahim Rrugova, për kontributin dhe sakrificën e tij historike si qëndrestar i Kosovës së lirë dhe të pavarur.
Njëkohësisht, Meta vlerësoi edhe rolin e parterëve ndërkombëtar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian, për kontributin e çmuar që vazhdojnë të japin në konsolidimin e mëtejshëm të të gjitha strukturave të shtetit të Kosovës dhe njohjeve të saj.
Gjithashtu, kreu i LSI-së garantoi mbështetjen e Tiranës zyrtare për Kosovën, në forcimin e kapaciteteve qeverisëse, në realizimin e njohjeve të mëtejshme drejt anëtarësimit në OKB, dhe në avancimin e axhendës së saj evropiane, së bashku me fqinjët tanë në rajon. “Shqipëria do vazhdojë ta mbështesë Kosovën! Gëzuar 5 vjetorin e Kosovës së lirë e të pavarur! Së bashku drejt Evropës – ky është urimi ynë sot”, u shpreh më tej, Ilir Meta, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›