E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: “Pavarësia e Kosovës vendimi i duhur, për shqiptarët dhe për mbarë rajonin”

18-02-2013 / Gazeta 55

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha uron homologun e tij të Prishtinës, Isa Mustafa


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh urimi, me rastin e 5 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, në të cilën shpreh urimet për ditën e Pavarësisë. Basha shprehet se Kosova ia doli në këto 5 vite, t’i dëshmojë miqve, partnerëve dhe mbarë botës, se Pavarësia e Kosovës ishte vendimi i duhur jo vetëm për shqiptarët por edhe mbarë rajonin. “I nderuar zoti Mustafa, në këtë ditë të shënuar për Kosovën dhe kombin shqiptar, dua t’ ju uroj përzemërsisht Ju dhe popullin e Kosovës, ‘Gëzuar ditën e madhe të Pavarësisë!’. Sot mbarë kombi përulet me nderim përpara rolit dhe kontributit të presidentit Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari të cilët  janë gurët e themelit mbi të cilët u ngritën pavarësia e Kosovës dhe lufta e saj çlirimtare. Udhëheqësit politikë të Kosovës, populli i Kosovës ia doli në këto 5 vite, t’i dëshmojë miqve, partnerëve dhe mbarë botës, se Pavarësia e Kosovës ishte vendimi i duhur jo vetëm për shqiptarët por edhe mbarë rajonin”, thuhet në mesazhin e kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha. Ky vit, thekson Basha, shënoi zhvillime historike për Kosovën. Sipas tij, “shteti më i ri i dëshmoi botës se është i aftë të menaxhojë të tashmen dhe të projektojë drejt të ardhmen e tij evropiane si dhe të qytetarëve të tij, pa dallim përkatësie etnike apo fetare. Arritjet e Kosovës i dhanë fund mbikëqyrjes së Pavarësisë dhe e konsoliduan paprekshmërinë e tërësisë territoriale të saj. Në këto 5 vite, Kosova ka ecur përpara në konsolidimin e institucioneve demokratike, ne zhvillimin ekonomik e rritjen e mirëqenies për qytetarët e Kosovës. I nderuar zoti Mustafa, më lejoni që në këtë ditë të veçantë për historinë e kombit tonë, t’ju përcjell në emër të qytetarëve të Tiranës përshëndetjet vëllazërore për qytetarët  e Prishtinës dhe mbarë Kosovës”, shkruan Basha në këtë mesazh.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›