E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit të preferuarit e bankave për kredi

Ndërtuesit vazhdojnë të mbeten klientët e preferuar të bankave për sa i përket kredidhënies. 

Sipas Edvin Libohovës, sektori i ndërtimit përbën një nga drejtimet kryesore të kreditimit nga sistemi bankar në Shqipëri. Gjatë punimeve të konferencës së parë  “Zhvillimi i tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri”. Libohova tha, se: “Për sektorin e ndërtimit, sistemi bankar i kreditimit mbulon 40% të totalit të kredive, ose një vlerë prej rreth 1 miliard euro”. Në një situatë të tillë sektori bankar është mjaft i interesuar që të mbështesë tregun e pasurive të paluajtshme në vendin tonë për vetë zhvillimin që ai paraqet në perspektivë. Ministri i PPTT, Sokol Olldashi, që mori pjesë në këtë konferencë, gjatë përshëndetjes, theksoi rëndësinë për zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme, sigurimi i një infrastrukture sa më të plotë në funksion të këtij tregu, i cili ka të ardhmen e sigurtë në Shqipëri. “Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri gjatë 17 viteve të fundit është zhvilluar me shpejtësi, duke përfshirë në të edhe biznese të tjera. Por është e domosdoshme që të organizohet një treg, i cili kërkon bashkëpunimin e aktorëve në këtë treg, me qëllim, që të gjenden rrugët dhe mënyrat që të ketë zhvillim normal të pasurive të paluajtshme, sikurse po ndodh edhe në vendet e tjera”, theksoi ministri Olldashi. Ai u ndal edhe në projektet që ka ndërmarrë qeveria në sektorin e infrastrukturës, sikurse janë rruga Rrëshen-Kalimash, ku zona e Repsit, po merr zhvillim të ri përsa i përket edhe vlerave të pasurive të paluajtshme, në Kardhiq, ku po rivlerësohet me kushtet e vlerësimit të tregut të pasurive edhe zona, apo Mali me Gropa, në aksin rrugor Tiranë-Dibër, etj. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri dhe drejtor rajonal i grupit “Colliers International Southeast Europe”, Philip Bay, u ndal në avantazhet që ofron tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme. Në emër të kompanisë ai u shpreh se  “Colliers” është vetëm një nga kompanitë konsulente të pronave në Shqipëri, pasi ne “besojmë se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur, ndaj dhe jemi krenarë që po mbështesim konferencën e parë për pasuritë e paluajtshme në Shqipëri”. Disa nga temat e tjera që u diskutuan në konferencë ishin, edhe ato të zhvillimit të Real Estate në ekonominë dhe financën e vendit, legjislacioni i Real Estate dhe reforma e pronësisë, planifikimi urbanistik dhe hapësinor, mjedisi, sistemet e informacionit gjeografik, infrastruktura si një kusht për zhvillimin e Real Estate. Ekspertë të cilët mbulojnë tendencën e tregut, vlerësuan shkallën e rritjes dhe rënies, pozicionimin, projektet e realizuara, shifrat nga vitet e kaluara, parashikimet dhe lëvizjet për vitet në vijim. Sipas tyre, zgjerim kanë marrë sektori rezidencial, ambientet për zyra, zonat industriale/parqet logjistike, qendrat tregtare, dyqanet e vogla dhe turizmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›