“Së shpejti nisim maratonën drejt 11 majit”, Rama: Fitore spektakolare për ta çuar Shqipërinë në BE

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se, së shpejti nis maratona “Sy m’sy”, që siç tha ai, do të jetë kudo.
Në komunikimin e drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Rama shprehu bindjen se më 11 maj Partia Socialiste do të sigurojë një tjetër fitore spektakolare për ta çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE.
“Për pak ditë, akoma nuk e kemi caktuar datën, fillojmë maratonën “Sy m’sy”. Maratona është kudo atje në fshat, qytet, në rrugë, kafe, në majë të malit, buzë detit. Do të jetë e bukur shumë maratona drejt 11 majit, dhe do të kemi edhe argëtimin përkatës se janë disa që thonë ca do të nxjerrësh këtë herë, se një herë me tepsi, një herë me tallava. Gjithmonë ka dhe në fund të ditës jeta politike e njerëzve nuk mund të jetë dërr-dërre dhe mërzi. Ka edhe këtë pjesë kush është në PS, patronazhisht, aktivist dhe pjesë e kësaj familjes tonë, në këtë fazë kur fillon ndeshja, ka mundësinë që të hyjë në një tjetër shpejtësi dhe psikologji dhe kënaqësi. Përfshihuni, se është edhe kënaqësi, si një ndeshje nga ato që shohim kur nuk jemi vetë lojtarë por këtu ne jemi edhe në fushë. Këtë herë do ta tundim, do të kemi një fitore spektakolare dhe do t’u japim një mësim shembull shumëkujt, por jo për të marrë hak me askënd, por për të bërë një Shqipëri më të mirë, për të çuar flamurin në BE”, u shpreh Rama.
/r.e/a.f/