Së shpejti shpronësohen banorët e Unazës përtej “Brrylit”
Bashkia e Tiranës u çel dritën jeshile shpronësimeve
Prej vitesh çështja e shpronësimeve në Tiranë ka qenë një problem i pa zgjidhur. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, u vendos që një pjesë e mirë e fondit prej 357 milionë lekëve do të përdoret për shpronësimin e banorëve të Unazës nga bulevardi Bajram Curri deri në rrugën Ali Demi.
Kjo është dhe drita e parë jeshile që ndizet për këta banore të kryeqytetit, ndonëse qëndrojnë prej vitesh në pritje.
Bashkia e Tiranës ka një borxh prej të paktën 12 milionë dollarësh në shpronësime të papaguara dhe 8 milionë euro të tjera në gjyqe të humbura dhe fatura të palikujduara të përmbarimit.
Kjo deklaratë u bë nga vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për projekt vendimin për kalimin prej rreth 357 milionë lekësh në buxhetin e vitit 2012.
Sipas kryebashkiakut Basha volumi kryesor i parave të rishpërndara shkon në dy vepra kryesore, shpronësimet për pjesën nga bulevardi “Bajram Curri” tek rruga “Ali Demi”, apo ajo që njihet si pjesa që vazhdon përtej “Brrylit”, pra Unaza përtej “Brrylit”, për t’u lidhur me rrugën “Ali Demi” është një vepër e nisur në 2003, e stopuar në 2004 nga Ministria e Transportit.
Sot Bashkia e Tiranës ka ndezur dritën jeshile për përfundimin e këtij projekti duke shpronësuar jo vetëm ato familje – pronare, të cilat e kanë kërkuar këtë prej shumë kohësh, por njëkohësisht do të lehtësojë shumë gjendjen e trafikut dhe aksesin në veçanti të minibashkisë numër 1 në qendër.