Topi, i vetmi president që sulmon shtetin e vet

100 vite pavarësi e shtetit, por edhe 100 vitet e fundit të historisë së demokracisë në Evropë s’njohin asnjë rast që një president republike të sulmojë në mënyrë recidive shtetin e vet. Këtë e bën presidenti ynë në detyrë, i cili ka themeluar një projekt politik, që s’përputhet me interesat e shtetit që përfaqëson. Sulmi ndaj institucioneve, kryeministrisë dhe Protokollit të Shtetit është një precedent që paralajmëron imoralitetin e lëvizjes politike që po pillet në zyrat e Topit
Kronika/Historia politike e Bamirit, nga gënjeshtra në gënjeshtër
Sjellja e Bamir Topi në gjysmën e dytë të mandatit të tij si President ka qenë një sjellje që dukshëm e zbulonte atë si palë në politikë (jo më mbi palët). Për këtë, duke e konsideruar veten palë në politikë, në përmbushje edhe të projektit të tij politik për të themeluar partinë e 115 apo të 116 në Shqip(për një vend sipas kësaj renditje, është në garë me Kreshnik Spahiun), prej kohësh ai po sillet si një kryetar partie..., por duke e rreshtuar veten dhe partinë e tij virtuale në opozitë...
Ky rreshtim megjithëse tingëllon paksa i çuditshëm nuk e pengon Bamir Topin të vendosë një rekord, sipas të cilit, jo vetëm në 100 vitet e Pavarësisë së shtetit shqiptar, por edhe në 100 vitet e fundit të historisë së demokracisë në Evropë, ndërsa nuk njohim asnjë rast që një president republike të sulmojë në mënyrë recidive shtetin e vet, këtë e ka bërë Presidenti shqiptar në detyrë.
E kushtëzuar kjo sjellje e presidenti tonë në detyrë, nga themelimi prej tij i një projekti politik, duhet pranuar e thënë se ky projekt, por për më tepër kjo sjellje e Bamir Topit, s’përputhet me interesat e shtetit që përfaqëson.
Përpos kësaj, sulmi ndaj institucioneve, kryeministrisë dhe Protokollit të Shtetit, nuk mund të mos lexohen e kuptohen si precedentë që paralajmërojnë imoralitetin e lëvizjes politike që është mbarsur e po pillet në zyrat e Bamir Topit në Presidencë.
Dhe për deri sa paralajmërohet si lëvizje imorale partia në ardhje e Presidentit, nuk ka se si të mos na shkojë të gjithëve në mendje se e gjithë kjo histori politike e Bamir Topit, me bazë imoralitetin, është ndërtuar dhe ka kaluar nga gënjeshtra në gënjeshtër.
Në respekt të kronologjisë, sipas një renditje nga më e fundit deri te më e fillimit, “Seria e Gënjeshtrave të Zgjedhura” (SGZ) të Presidentit, ka në fundoret e saj gënjeshtrën për justifikimin e mos marrjes pjesë në festimet e 568 vjetorit të “Besëlidhjes” së Lezhës. Sigurisht gënjeshtra pati në bazë të saj sulmin ndaj institucionit të Protokollit të Shtetit, duke tentuar ti veshë atij përgjegjësinë e mos marrjes së tij pjesë në këto festime. Megjithëse që ditën e shpërndarjes së gënjeshtrës më të fundit të Bamir Topit kryebashkiaku i Lezhës mori përsipër “autorësinë” e dërgimit të ftesave dhe përcaktimin e personave që do të mbanin fjalimet e rastit, kjo nuk e bindi Presidentin i cili nuk donte që nuk donte të pranonte se “kishte harruar” (me dashje), të mos konfirmonte pjesëmarrjen në këtë eveniment, te sigluesi i ftesës, kryebashkiaku i Lezhës. Lojës së fjalëve, duke tentuar të “implikonin” Protokollin e Shtetit, në mos dëshirën e Bamir Topit për të mos marrë pjesë në festimet e 568 vjetorit të “Besëlidhjes” së Lezhës “i doli boja” dje kur institucioni i sulmuar padrejtësisht nga Presidenti i Republikës, na bëri të ditur se ata nuk ishin organizatorët e eventit në Lezhë dhe për pasojë nuk i kishin dërguar ndonjë ftesë Presidentit, e aq më tepër “ti prisnin gjuhën” atij, duke e ndaluar të flasë.
Ajo e Lezhës, ku përfshihen bashkë, si mos pjesëmarrja e Bamir Topit, si gënjeshtra e tij për të justifikuar mospjesëmarrjen, por edhe përpjekja e tij, për të sulmuar e fajësuar institucionet shtetërore, është e rëndë shumë...
Po aq e rëndë, është edhe mospjesëmarrja e para dy javëve në kremtimet për hapjen e ambasadës së Kosovës në Tiranë..., por për më tepër gënjeshtrat që pasuan.
Skema edhe këtu ishte e njëjtë.
Duke besuar se ishte me gjendje gripale nuk ishte e nevojshme ajo që bëri Bamir Topi, që pasi i palloi gazetat e Edi Ramës dhe i mbarsi ato me “kopilë” të tipit që “nuk ishte ftuar”, por që pasi u bënë publike firmat e korrespodencës së protokollit të Presidencës me mikpritësen, ambasadën e Kosovës, Presidenti u detyrua “të lëpijë ato që kishte pështyrë”, deri në atë farë mase sa irritoi edhe gazetat të cilave ju kishte lënë “kopilin” në derë.
Memoria e gjithsecilit prej nesh mund të mbajë mend gënjeshtrat më të reja të Bamir Topit, sikurse ajo e “Lezhës”, ajo e “ambasadës së Kosovës”, ajo “e votës së tij në 8 maj për Edi Ramën”, ajo “e ngjarjeve në bulevard më 21 janar”, ajo “për reformën në drejtësi”, ajo..., tjetra e tjetra me radhë... Por askush nuk mund të kujtojë gënjeshtrën e parë të tij dhe kohën ku ajo është shpërndarë në eter E sigurt është që edhe pas asaj të “Lezhës” do të kemi gënjeshtra të tjera të Presidentit Bamir Topi, me tendencë e sulmit direket apo indirekt të institucioneve shtetërore...