Seanca dëgjimore që i mbyll gojën Presidentit
Blendi Kajsiu
Seanca dëgjimore është zgjidhja legjislative që është propozuar së fundmi nga deputetë të PS-së për zgjidhjen e krizës President – Ekzekutiv, pasi Parlamenti tashmë është zgjatim i këtij të fundit. Propozimi i bërë nga deputetët socialistë duket se është mbështetur në imitimin e një praktike të Kongresit të SHBA-ve që quhet ‘hearing’. Ndonëse ‘hearing’ në Kongresin amerikan kanë forma të ndryshme në thelb, ato janë seanca dëgjimore që shërbejnë, ose si mekanizma nëpërmjet të cilave komisionet (apo komitetet) e Kongresit amerikan thithin informacion nga të gjitha palët e interesuara përpara sesa të aprovojnë një ligj të caktuar, ose si seanca hetimore ku komisionet e kongresit investigojnë fenomene të caktuara të ekzekutivit. Në rastin e parë seancat dëgjimore shërbejnë si mjet për të prodhuar një legjislacion sa më cilësor. Në rastin e dytë ato shërbejnë si mjet, nëpërmjet të cilit legjislativi (d.m.th Kongresi) kontrollon ekzekutivin (d.m.th Presidentin dhe administratën), siç është rasti i tregtisë së armëve, ku është përfshirë edhe Shqipëria.
Është e paqartë se cilin dimension kanë parasysh deputetët socialistë kur flasin për seancën dëgjimore, dimensionin informues apo atë hetues. Nëse me seancë dëgjimore deputetët socialist kanë parasysh dimensionin informues, atëherë nisma është e panevojshme, pasi asgjë nuk i ndalon komisionet parlamentare për të kryer seanca dëgjimore, ku ato thithin informacion nga ekspertë, individë apo grupe interesi përpara sesa të marrin një vendim të caktuar. Në fakt, parlamentarët shqiptarë kanë zhvilluar seanca dëgjimore të modeluara sipas modelit amerikan të ‘hearing’ që në vitin 2004 në bashkëpunim me Institutin Republikan Amerikan (IRI).
Fakti që deputetët socialistë dëshirojnë të ndryshojnë rregulloren për të futur në të seancat dëgjimore, do të thotë se me ‘hearing’ ata kanë parasysh dimensionin e dytë të këtij koncepti, atë hetues dhe kontrollues. Pra, për deputetët socialistë seancat dëgjimore duhet të shërbejnë si një mjet kontrolli i legjislativit ndaj Presidentit. Ama ky konceptim rrezikon t’ia nënshtrojë Presidentin ekzekutivit, duke deformuar praktikën origjinale të Kongresit amerikan. Fakti që Kongresi në Amerikë shërben për të kontrolluar Presidentin, nuk do të thotë që një praktikë e tillë mund dhe duhet të replikohet edhe në Shqipëri. Presidenti në Amerikë është vetë ekzekutivi, ndryshe nga Presidenti në Shqipëri. Bamir Topi dhe Xhorxh Bush, pavarësisht titullit të njëjtë përfaqësojnë institucione krejt të ndryshme në sistemet përkatëse politike. Prandaj nuk mund të ketë paralele mes kontrolli që Kongresi amerikan nëpërmjet seancave dëgjimore i bën Presidentit dhe administratës së tij dhe kontrollit që Parlamenti synon t’i bëjë Presidentit shqiptar po nëpërmjet seancave dëgjimore. Këtu kemi të bëjmë me fenomene krejt të kundërta që fshihen pas fjalëve të njëjta.
Kjo edhe për faktin se sistemi politik amerikan dhe ai shqiptar janë shumë të ndryshëm. Në sistemin politik amerikan kongresmenët kanë shumë pavarësi, ndryshe nga deputetët shqiptarë, që pas ndryshimeve të fundit kushtetuese janë vënë edhe më në rresht brenda direktivave të kryetarit të partisë. Kjo do të thotë që ndryshe nga Kongresi amerikan, Parlamenti shqiptar është de facto një zgjatim i ekzekutivit. Prandaj seancat dëgjimore alla americana, ku legjislativi kontrollon ekzekutivin janë krejtësisht të pamundura në sistemin tonë politik. Përkundrazi, duke pasur parasysh kontrollin që ekzekutivi ynë, apo kreu i tij, ka ndaj Parlamentit, seancat dëgjimore do të përfundojnë thjesht në instrumente nëpërmjet të cilave ekzekutivi shpalos kontrollin e tij mbi kandidaturat e gjyqësorit të propozuara nga Presidenti. Pra gjasat janë që seancat dëgjimore do të shërbejnë thjesht si një mjet nëpërmjet të cilit ekzekutivi synon të ndikojë përzgjedhjen e kandidaturave nga Presidenti.
Edhe në rastin konkret, përplasja mes Presidentit dhe Ekzekutivit nuk vjen nga mungesa në rregulloren e Parlamentit, por nga dëshira e Ekzekutivit për të kontrolluar kandidaturat në Gjykatën e Lartë. Natyrisht, Parlamenti mund të ankohet me të drejtë se Presidenti nuk u konsultua me të. Parlamenti gjithashtu mund të propagandojë me të drejtë se, sipas Gjykatës Kushtetuese, ai duhet të japë pëlqimin për kandidaturat që dekreton Presidenti. Megjithatë kjo nuk do të thotë që si Parlamenti, ashtu edhe Presidenti, janë të barabartë në zgjedhjen e kandidaturave për në Gjykatën e Lartë. Emërimi në gjyqësor është prerogativë e Presidentit, çka do të thotë se Parlamenti duhet të ketë një arsye të fortë ta kufizojë këtë prerogativë. Pra, është detyrim i Parlamentit të na shpjegojë se përse nuk i votoi kandidaturat e Presidentit edhe pa patur ndonjë ankesë ndaj tyre. Të thuash se Presidenti nuk u tregua transparent në përzgjedhjen e kandidaturave është nonsens, për sa kohë nuk ke ankesa ndaj tyre. Transparenca nuk është qëllim në vetvete, por një mjet për të përzgjedhur kandidatura sa më të mira. Përzgjedhja e kandidaturave do të ishte shumë transparente dhe aspak cilësore nëse Berisha do t’i shkruante Topit emrat e kandidatëve në një letër të bardhë në një takim të hapur në prani të kamerave. Prandaj votimi nuk ka qenë thjesht kundër dekreteve, por kundër Presidentit. Pra, kemi të bëjmë me një përplasje sa kushtetuese, aq edhe politike midis institucionit të Presidencës dhe Ekzekutivit, pasi tashmë Parlamenti është kthyer në një zgjatim të këtij të fundit.
Në këto kushte opozita në vend që të propozojë seanca dëgjimore, duhet të dalë në mbrojtje të prerogativave të institucionit të Presidencës. Kjo është e domosdoshme sidomos sot kur Presidenca është dobësuar shumë, ndërsa Ekzekutivi është fuqizuar së tepërmi. Prandaj “dhënia e pëlqimit” nga ana e Parlamentit duhet të interpretohet në mënyrë sa më të reduktuar, përndryshe Ekzekutivi mund ta bllokojë Presidentin në emërimet në nivelet e larta të gjyqësorit sa herë të dëshirojë kryeministri. Fakti që nga diçka e tillë do të bllokojë gjyqësorin, natyrisht që nuk përbën as shqetësimin më të vogël për Ekzekutivin, përkundrazi mund të jetë një arsye më shumë për bllokim. Në fund të fundit, bllokimi është mënyra më e lehtë për ta eliminuar një pushtet alternativ në pamundësi për ta kontrolluar atë totalisht. Aq më tepër që një gjyqësor i bllokuar mund të akuzohet më lehtë për mungesë vullneti në luftën anti-korrupsion. Është thjesht ironike që këto akuza do të vijnë nga po i njëjti ekzekutiv që ka prodhuar bllokimin e gjyqësorit, pasi vetë është përfshirë në korrupsion deri në vesh.
Prandaj ajo që mungon nuk është seanca dëgjimore, por tradita politike që i njeh dhe i garanton Presidentit prerogativën e zgjedhjes së kandidaturave në Gjykatën e Lartë pa ndërhyrje dhe presione nga ekzekutivi, në mënyrë që të ruhet pavarësia e gjyqësorit në nivelet më të larta të tij. Ajo që të shqetëson është fakti se, ndërsa Presidenca gjendet e rrethuar nga Ekzekutivi, opozita në vend që të vihet në mbrojtje të saj bën propozime që në thelb e institucionalizojnë një rrethim të tillë. Mesa duket opozita aktuale socialiste vazhdon të jetë më e shqetësuar për betonimin e pushtetit të saj në të ardhmen sesa për sadopak demokraci në të tashmen.