E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtrëngohen procedurat për kreditë konsumatore

Rritja e kredisë me probleme i ka detyruar bankat që të shtrëngojnë dorën në dhënien e kredive konsumatore. Por më të privilegjuar kanë qenë ata klientë që kanë marrë kredi për shtëpi. 

 Sipas një vrojtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë, vihet re se gjatë pjesës së dytë të vitit 2007, procedurat dhe politikat e zbatuara në procesin e kreditimit të individëve, edhe pse pa një përqasje të njëjtë për të dy përbërësit kryesorë të këtij grupimi, kanë pasur një tendencë të përgjithshme lehtësuese. Kështu, 8 nga 10 bankat e vrojtuara, që zënë 77 për qind të tregut të vrojtuar, kanë lehtësuar procedurat për njërën ose të dyja grupimet e këtij segmenti të tregut. Bankat kanë raportuar lehtësim të procedurave dhe të politikave në procesin e miratimit të kredive të reja për individët (blerje të shtëpive). Vetëm 2 nga bankat e vrojtuara, që zotërojnë rreth 27 për qind të tregut, raportojnë për shtrëngimin e procedurave për kreditë për shtëpi, ndërsa pjesa tjetër i ka lehtësuar ose nuk i ka ndryshuar ato. Ndërkaq, në procesin e kreditimit të individëve me kredi për konsum, bankat kanë ndjekur një politikë të moderuar shtrënguese. “Sjellja e bankave në rastin e kredive për konsum ka qenë më e larmishme, megjithatë shtrëngimi i procedurave të kreditimit prej 3 bankave që zënë 42 për qind të tregut në këtë segment, ka përcaktuar kahun e balancës. Faktorët e lidhur me gjendjen në sistemin bankar, si shkalla e kapitalizmit të sistemit, niveli i likuiditetit dhe konkurrenca, kanë ndikuar në lehtësimin e procedurave për dhënien e kredive për individë”, thuhet në vrojtimin e publikuar nga Banka e Shqipërisë. Rritja e kredive me probleme në disa prej bankave, ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm në shtrëngimin e procedurave të kredive për individë. Për pjesën e dytë të vitit, bankat raportojnë rritje të ndjeshme të kërkesës për kredi nga ana e individëve. Në segmentin e kredive për shtëpi, kërkesa ka pasur rritjen më të lartë. Rritja e kërkesës në këtë segment, më shumë se nga zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, është nxitur nga rritja e nevojave të individëve për financimin e blerjes së shtëpive. Gjithashtu, nevojat e rritura për të financuar kërkesën për konsum, përbëjnë një faktor tjetër të rëndësishëm në zhvillimet e kërkesës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›