E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafa: Gati drafti për reformën zgjedhore

Sekretari socialist për çështjet ligjore u shpreh dje se grupi i ekspertëve ka gati në përfundim draftin për reformën zgjedhore. 

"Është duke punuar një grup i gjerë ekspertësh, të cilët sot që po flasim kanë të përfunduar një draft paraprak të Kodit Zgjedhor, ose më saktë idetë se çfarë ne mendojmë që mund të jenë çështjet që meritojnë ndryshim, plotësim dhe harmonizim më të mirë edhe me ndryshimet më të fundit kushtetuese në ligjin aktual zgjedhor", tha Xhafaj. Deklarata e Xhafës vjen një ditë pas deklaratave dypalëshe, PS-PD për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore brenda kësaj jave. Sipas sekretarit socialist Kuvendi duhet të veprojë shpejt në këtë drejtim pasi vonesat në miratimin e Kodit Zgjedhor do të shtynin dhe zgjedhjet e përgjithshme të 2009. "Vonesa në kohë e miratimit të Kodit Zgjedhor mund të vërë në pikëpyetje procesin e ardhshëm elektoral, sepse edhe nga pikëpamja kohore kodi zgjedhor aktual, por mendoj se edhe në ligjin e ri zgjedhor kanë disa afate të cilat duke filluar nga shtatori që vjen fillojnë të punojnë për zgjedhjet e ardhshme elektorale. Kjo do të thotë që nëse shtyhet miratimi i ligjit zgjedhor do të duhet të vihen në diskutim afatet legjitime që duhen për përgatitjen e një procesi zgjedhor normal", tha Xhafaj. Sipas tij, një rëndësi të veçantë për zgjedhjet kanë dhe kartat e identitetit, regjistri i gjendjes civile, regjistri kombëtar i zgjedhësve të cilët janë pjesë të së tërës dhe qoftë edhe pa njërin element zgjedhjet mund të vihen në dyshim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›