E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale, ja kush përfiton

Zbardhet vendimi për amnistinë fiskale për gjobat e këqija të biznesit. 

Fabiola Çela

Sipas draftit që po harton Ministria e Financave, nga kjo amnisti nuk do të përfitojnë të gjithë bizneset, por vetëm një kategori e caktuar e tyre. Drafti, i cili është ende në fazën e projektit, parashikon që përveç faljes së gjobave do të ketë lehtësira edhe për ato biznese që i paguajnë detyrimet e tyre brenda tre muajve, që nga momenti kur do të hyjë në fuqi drafti. Lehtësira do të ketë edhe për automjetet, të cilat nuk kanë paguar taksën e regjistrimit të automjeteve dhe atë të qarkullimit. Gati 160 mijë automjeteve do t’iu falen këto taksa, por nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara në draft.
Grupi i parë
Ashtu siç është deklaruar nga kreu i Ministrisë së Financave, Bode, ekspertët e kësaj ministrie po hartojnë një draft të ri për amnistinë fiskale për borxhet e këqija të biznesit. Ky draft përbëhet nga tre grupe. Në grupin e parë bëjnë pjesë ato biznese, të cilat kanë detyrime të papaguara pranë administratës tatimore dhe asaj doganore. Sipas draftit të ministrisë, bizneset, borxhet e të cilëve nuk janë shoqëruar me vendime administrative ose që nuk janë njoftuar, do të jenë të parët që do të përfitojnë nga kjo amnisti. Kësaj kategorie biznesi do t’u falen gjobat, interesi dhe principali. Por e gjithë kjo do të ketë një efekt financiar. Nga falja e këtyre penaliteteve efekti financiar është 6.5 miliardë lekë, ndërsa priten të arkëtohen 5.8 miliardë lekë. Nga drafti i ri do të përfitojnë edhe ato biznese që u ka kaluar afati i pagesës. Nëse brenda tre muajve që nga data kur hyn në fuqi drafti, kjo kategori biznesi paguan principalin, atëherë i falet 50 për qind e shumës së interesit dhe 100 për qind e shumës së gjobës. Efekti financiar i kësaj është llogaritur të jetë 7.2 miliardë lekë, ndërkohë që priren të arkëtohen 23.7 miliardë lekë. Nga kjo amnisti do të përfitojnë edhe ato biznese që kanë importuar makina, por nuk i kanë paguar detyrimet doganore. Për këto biznese qeveria ka vendosur t’u falë gjobat dhe interesat, por me kusht që të paguajnë detyrimet doganore brenda 3 muajve.
Grupi i dytë
Në këtë grup përfshihet Drejtoria e Shërbimeve të Transportit, ku kryhet edhe pagesa e takës së regjistrimit të automjeteve dhe e qarkullimit. Shumë prej automjeteve që qarkullojnë në vend nuk i kanë paguar këto detyrime. Pikërisht për të lehtësuar këto kategori qytetarësh, qeveria ka vendosur që në draftin e ri të Ministrisë së Financave të ketë amnisti edhe për ta. Sipas draftit për automjetet që nuk janë të regjistruara, por me kusht që të regjistrohen brenda 3 muajve, u falen detyrimet. Ndërsa makinat që janë në qarkullim duhet të kryejnë pagesën brenda tre muajve. Për rrjedhojë, është parashikuar t’u falen detyrimet gati 160 mijë automjeteve, por do të përfitojnë vetëm ato makina që do të regjistrohen brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e draftit. Nga kjo amnisti do të përfitojnë plot 160 mijë makina.
Grupi i tretë
Pagesa e kamatëvonesave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore zënë një vend të rëndësishëm në këtë draft. Bëhet fjalë për grupin e tretë të draftit, ku theksohet se bizneseve që nuk kanë paguar këto detyrime, do t’u falen 100 për qind gjobat dhe 50 për qind interesat, por me kusht që të paguajnë brenda tre muajve principalin. Efekti financiar i kësaj është parashikuar të jetë 900 milionë lekë. E thënë ndryshe, kaq është shuma e parave që do t’u falen biznesit.

Kush përfiton

Bizneset, borxhet e të cilëve nuk janë shoqëruar nga vendime administrative, ose që nuk u janë njoftuar sipërmarrësve u falen gjobat, interesi dhe principali.

Bizneseve që u ka kaluar afati i pagesës do të përfitojnë nga drafti, me kusht që tre muaj nga hyrja në fuqi e draftit të paguajnë principalin dhe u falet gjoba dhe interesi.

Amnisti për ato biznese që kanë importuar makina, por që nuk kanë paguar detyrimet doganore. Kësaj kategorie u falen gjobat dhe interesat, por me kusht që të paguajnë detyrimet doganore brenda 3 muajve.

U falen detyrimet automjeteve që nuk janë të regjistruara, por me kusht që të regjistrohen brenda 3 muajve.

Bizneset që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u falen 100 për qind gjobat dhe 50 për qind interesat, po të paguhet brenda tre muajve principali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›