Skandali i mauneve, përfaqësuesit e doganave greke, në Shqipëri për hetime
Ervin KOÇI - Një ekip i hetuesish dhe specialistësh të sektorit doganor dhe atij të antikontrabandës të Greqisë, prej disa ditësh ndodhen në Shqipëri, ku kanë nisur një hetim intensiv në lidhje me skandalin e 15 mijë maunave kontrabandë. Pas publikimit të lajmit në mediat e dy vendeve, shteti grek është impenjuar për të zbardhur këtë mega-skandal financiar, i cili ndër të tjera përfshin edhe administratat doganore të dy vendeve tona. Për këtë qëllim, autoritet doganore greke kanë zhvilluar një mori takimesh me homologët e tyre shqiptar, në të cilat kanë kërkuar që të nisë puna për zbardhjen e këtij skandali. Takimet kanë qenë të rezervuara dhe jashtë vëmendjes së publikut, në një kohë që edhe autoritet e DPD-së në Tiranë nuk kanë pranuar të bëjnë asnjë koment apo të japin shpjegime në lidhje me to. Nga sa mësohet, në bisedime janë përfshirë edhe titullarë të lartë të Ministrisë së Financave, Tatimeve, Antikontrabandës, Prokurorisë, si dhe diplomatë të ambasadës greke në Tiranë. Palët gjatë bisedimeve janë përpjekur që të koordinojnë punët e tyre në lidhje me nisjen e një hetimi të përbashkët midis dy shteteve tona. Deri tani, ka qenë vetëm hetimi i Policisë së Athinës që ka zbuluar skemën gjigante të korrupsionit në doganat greko-shqiptare. Për një periudhë 4-vjeçare kanë kaluar nga pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës të paktën 15.500 maune kontrabandë. Verifikimet e nisura nga seksioni special i Ministrisë së Brendshme të Greqisë ka çuar në hetim 10 punonjës doganorë, të cilët kishin arritur të grumbullonin shuma të mëdha parash përmes skemës së ryshfetit. Skema e mega-korrupsionit, bëhej në dy pikat doganore që shërbejnë për qarkullimin e mallrave dhe mjeteve mes dy vendeve. Nga të dhënat e para flitet për 5 doganierë të vënë në hetim në pikën e Kakavijës dhe 5 të tjerë në pikën që ndodhet në Janinë.
Operacioni
Për më shumë se katër vjet, disa doganierë grekë kanë bërë sasi të konsiderueshme parash, duke favorizuar kontrabandimin e mallrave dhe mjeteve që hynin në Shqipëri. Përpara disa javësh gazeta “Albania” bëri të ditur skandalin duke iu referuar lajmeve të bëra publike nga Agjencia Shtetërore Greke “ANA”, sipas të cilës: “Departamenti i Çështjeve të Brendshme në Policinë greke ka zbuluar një skandal të madh, i cili përfundoi me ndalimin e 10 punonjësve të doganave në Kakavijë dhe Mertzani, në prefekturën e Janinës, e njëjtë me doganën e Kapshticës”. Hetimet për zbulimin e abuzimeve financiare të punonjësve të doganave në vendin fqinj nisën rreth 1 vit më parë. Ata kanë favorizuar kontrabandimin e mallrave dhe mjeteve që hynin në Shqipëri, duke modifikuar dokumentet doganore, si dhe duke lejuar mijëra kamionëve për të kaluar kufirin greko-shqiptar, në këmbim të ryshfetit. Pesë punonjës në Kakavijë dhe katër në doganën e Janinës, përfshirë edhe një oficer doganor, janë vënë në ndjekje prej disa javësh. Sipas të dhënave të “ANA”-s, nga datat 27 shtator 2008 dhe deri më 13 janar 2010 doganierët kanë lejuar 11.814 kamionë të kalojnë ilegalisht kufirin në Kapshticës dhe 4780 kamionë të tjerë në pikën kufitare të Kakavijës. Hetimet nga pala greke kanë nisur që nga janari 2006 deri në vitin 2010, dhe shuma e të ardhurave të humbura nga shteti besohet të jetë e madhe.
Pikëpyetjet
Të dhënat e publikuara në Greqi, pa dyshim që përballen me një realitet tjetër në vendin tonë, ku rastet e vënies nën hetim të doganierëve apo sekuestrimet e mjeteve për kontrabandë janë të rralla. Madje ato numërohen me gishtat e dorës. Rasti më i fundit ishte hetimi për dy doganierë në Kakavijë, ku njëri prej tyre përfundoi në qeli pas dhënies së masës së sigurisë nga Gjykata e Gjirokastrës. Shifrat që përmendin autoritetet greke, për rreth 15 500 maune kontrabandë, përbëjnë humbje të madhe financiare jo vetëm për Greqinë, por edhe për Shqipërinë. Por, hetimi i këtij rrjeti kontrabandimi mallrash dhe vënia para Drejtësisë e 10 doganierëve grekë nga autoritetet e vendit fqinj, vë para përgjegjësisë edhe autoritetet shqiptare, të cilat, deri më tani vetëm kanë heshtur ose arrestuar ndonjë doganier të vockël për lejimin e ca paketave cigare kontrabandë në kufi; apo në raste tepër të rralla, bllokimin e ndonjë mauneje. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave flasin për një ulje të ndjeshme të të ardhurave doganore gjatë vitit 2009. Sipas tyre, autoritetet doganore nuk kanë realizuar planin e parashikuar, duke krijuar një gropë të madhe financiare në buxhetin e shtetit.
Konfindustria: “Skandali i 15 mijë mauneve të hetohet nga shteti shqiptar”
Konfindustria e cilëson si një skandal lajmin e publikuar nga mediat greke për kontrabandën e 15 mijë maunave mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai u shpreh se në këtë rast kemi të bëjmë me një skandal të përmasave të mëdha dhe kërkoi nisjen e një procesi hetimor për këtë çështje. “Konfindustria, duke marr shkak nga dalja e paradisakohëshme e të dhënave në shtypin grek për procesin hetimor të filluar për kontrabandimin e mbi 15 mijë mauneve në një periudhë të shkurtër kohore 4-vjeçare në disa pika doganore në kufirin ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, kërkon ndërmarrjen e një hetimi të plotë të njëkohshëm mbi ngjarjen në fjalë edhe nga institucionet e ekzekutivit dhe drejtësisë shqiptare”,- u shpreh Buxhuku. Ai vlerësoi se kontrabanda jep efekte në rrënimin e prodhimit shqiptar industrial dhe bujqësor në përfitim të prodhimeve greke të importit.
“Është fakt i pamohueshëm, që sidomos prodhimi shqiptar në bujqësi dhe agroindustri është në nivele mjaft të ulëta prodhimi si pasojë edhe e konkurrencës së egër në çmim të prodhimeve të njëjta të importuara në vlera financiare. Gjithashtu theksojmë se importi i përgjithshëm nga Greqia është mbi 650 milion dollarë në vit ndërkohë qe eksportet shqiptare janë 10 herë më pak”,- u shpreh Buxhuku. Ai shtoi se kontrabanda sjell uljen e të ardhurave financiare në buxhetin e shtetit.
2 Mars 2010