Përmbytja... Kërcënimi, po më pas çfarë vjen?!Nga Ben AndoniPrej dy ditësh, Nikë Doshi, Martin Bremi, dy djem dhe shumë fshatarë qëndrojnë mbi argjinaturë. I ndërrojnë burra të tjerë, ndërsa ata që ikin, shkojnë të bëjnë ndonjë sy gjumë dhe të shikoj
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Përmbytja... Kërcënimi, po më pas çfarë vjen?!Nga Ben AndoniPrej dy ditësh, Nikë Doshi, Martin Bremi, dy djem dhe shumë fshatarë qëndrojnë mbi argjinaturë. I ndërrojnë burra të tjerë, ndërsa ata që ikin, shkojnë të bëjnë ndonjë sy gjumë dhe të shikojnë ndonjë gjë në TV, për t’u rikthyer sërish. Shkojnë e vijnë. “Po ndodhi katrahura, t’u themi të paktën me telefon robve”, - u thotë një burrë të tjerëve. Fati i madh është se mbi argjinaturë tash ka ardhur policia dhe ushtria. Të gjithë i bashkon një hall. Përmbytja dhe ajo që vjen më pas. Burrat flasin e flasin dhe mundohen të gjejnë psenë në eter. Ajo s’flet. ǒdo ndodhë? Po sikur? Eh..h.
...
Në këtë fillimjavë të dytë të janarit, pak kilometra më në jug të burrave, ne kërkojmë Luigjin. Drejtuesi i Emergjencës në Lezhë është në prag-nisje dhe shumë i shqetësuar. Telefoni nuk i pushon së rëni. “Kanë hap do fjalë, që dun me shpërthy at’ bendin në Bishtin e Jukës. Kurse ne kemi hall se ujti ka marrë në lartësi, dha na duhet të rrisim argjinaturën”, - na thotë shkurt. Bën një shenjë të pakuptueshme me duar. Gjithçka mund të ndodhë këto ditë, por kjo e fundit duket se e kalon parashikimin. Në rrugën e vjetër që të përcjell në drejtim të Torovicës, sak në zonën që gjeografikisht ndan juridiksionin e Lezhës me Shkodrën, dikush ka hapur fjalë se do të shpërthejnë argjinaturën, që pengon ardhjen e ujërave të përmbytjes. E, sipas parimit shqiptar, ku ka zë, duhet të ketë edhe një të vërtetë. Një burrë po i emergjencës, seç i pëshpërit Luigjit, ndërsa të gjithë duken në alarm... Luigji ikën para dhe na bën me shenjë që ta marrim, po të shkojmë andej. Ngrihemi. Po. Duam të ikim atje.
Drejt argjinaturës
Sapo ka ardhur nga Tirana dhe Jutta. Ka mjaftuar një telefon dhe fotografja e njohur është bërë gati në çast. I duhet të dokumentojë gjithçka. Kërkon leje një çast dhe largohet duke fiksuar Drinin, që kalon nëpër qytet plot vrunduj. Një grua e vjetër me veshjen e Zadrimës epohet, që të kalojë në nxitim fotografja. Ajo, e përqendruar, shkrep mbi urën e qytetit drejt Drinit të fryrë, kurse gruaja vazhdon dhe e shikon me habi nga pas. Kthehet. Largohet ngadalë me çapa minutorë duke u lëkundur pak, sikur të jetë mbi një varkë.
Peizazhi, që përcjell pas pak minutash udhëtimin tonë, nuk është ai që mendojmë për Torovicën. Ka disa ngastra të dëmtuara, ndërsa peizazhi i lë vend tek-tuk ndonjë shtëpie të përmbytur. Nuk është assesi situata e pak viteve më parë, kur i gjithë ky vend ishte i përmbytur. Në pak lokalet e rrugës, djemtë e rinj i shullëhen diellit, ndërsa më të paduruarit prej tyre janë pranë stekave të bilardos. Shkolla? Pushim. Pak makina, që kalojnë e japin më shumë braktisjen e rrugës, autoritetin e së cilës e ka thithur prej vitesh rruga kryesore matanë, që lidh Lezhën me Shkodrën. Më afër rrugës së vjetër të Shkodrës fillojmë e kryqëzohemi me makina policie. Pyesim për të qenë më të sigurt. Bendi? Ah... Po. Nuk ecni dot më tej. “Atje ku do shkoni në fund, ku s’ecni dot më, atje është edhe vendi ku fillon përmbytja”. Disa lopë, që kullosin të qeta, janë futur në ujë dhe i gëzohen diellit të kësaj jave, që duket se ngroh pak gjendjen në këto ditë. Çuditërisht, nuk ka më njerëz te gurët, ku fitonin diçka, ndërsa banorët tash i janë kthyer të gjithë blegtorisë. Tek-tuk, ndonjëri edhe e provon sërish gurin. Ani, penalizimet i kanë frikësuar. Pak shtëpi të reja duken si të braktisura, ndërsa diku “Renault”-ja në shtëpinë e një fshatari të Torovicës tregon se ka filluar të trokasë edhe mirëqenia. Pak minuta më pas, nuk ka më as makina dhe asgjë tjetër, veç rruga bezdisëse drejt Torovicës... Hahni, mbase në të njëjtën rrugë do shkruante: “Ne u larguam nga Lezha në orën 2, udhëtuam aq shpejt, saqë kaluam të gjithë njerëzit që ktheheshin nga pazari i atyshëm javor, pushuam rrugës më pak se një gjysmë ore për të pirë kafenë dhe vetëm në orën dhjetë e gjysmë mundëm të trokasim në derën e Konsullatës së Shkodrës, në sallonin mikpritës të së cilit ishin mbledhur për të luajtur Wist”.
Banorët dhe argjinatura
Vërtet, bendi fillon e duket nga larg, ndërsa makinat tashmë që shfaqen janë bash ato makinat e mëdha të xhenios. Ajo që s’na ka rënë në sy herë të tjera, tash duhet thënë se është e dukshme, një argjinaturë (një bend, si quhet në gjuhë teknike), gati një kilometër, e cila shtrihet në drejtimin lindje-perëndim deri tutje. Edhe pak dhe në udhën që merr fillimin e bendit, ka mbetur një tabelë rrugore, ku shënohet 22 kilometra për Shkodrën, 39 kilometra për Koplikun dhe 56 kilometra për Hanin e Hotit. Më tej, Non Plus Ultra. Në këtë anë policë, ushtarë, fshatarë, punëtorë qerthullohen pakuptim. Kjo zonë, që njihet si Bishti i Jukës, ka në jug Torovicën dhe Jukën në veri. Këtu është edhe kodra që kufizon Torovicën me Kakarriqin. Njëqind metra më tej, ku rruga i kalon pushtetin ujit, një gomone me disa civilë sjell një ushtarak, që ka testuar rrugën për në fshatrat e Shkodrës. Makinat sërish s’munden të kalojnë andej veç atyre të ushtrisë. Një postbllok policie qëndron para bendit. Luigji ka mbërritur para nesh dhe ka filluar të japë drejtimet e duhura. Makinat e tonazhit të lartë të ushtrisë përshkojnë nga sipër bendin dhe derdhin dhé. Ndërsa përshkojmë rrugën me këmbë, në veriun tonë - uji e ka kthyer në liqen të gjithë hapësirën. E vetmja mundësi që të masësh thellësinë është llogaritja e syrit dhe pjesa e sipërme e mbetur e dritareve, që i rrinë poshtë një kapriate stalle. Këtu e kupton fillin e rrezikut: Uji i është afruar buzës së argjinaturës dhe për pak mund të kaptojë në drejtim të Torovicës dhe pastaj të shkojë deri në Lezhë. Njerëz, makina dhe kureshtarë shkojnë e vijnë. Makinat derdhin dheun për të rritur nivelin. Pse janë kaq shumë njerëz? - pyesim policin. Përgjigjja e tij është pa shumë fjalë. Nëse do ngjitet uji, atëherë përmbytet Lezha, Kurbini... dhe shkalla e presionit këtu është e madhe. Sikur edhe pak të lëshojnë ujë, këtu ndodh katrahura... Nga tutje, duket Luigji. I kërkojmë sërish të na sqarojë: “Me forcat ushtarake bashkë me ndihmën e prefekturës dhe me një aksion të përbashkët po punojmë për ngritjen e argjinaturës për bllokimin e nivelit të ujit”, - thotë burokratisht. Po rreziku? - e pyesim. Në këtë vend ndodhet ndarja e Shkodrës me Lezhën. Bishti i Jukës ka këtë bendin ose argjinaturën. Nëse ajo do bjerë, do ketë shumë dëme. Në kurorën e saj ajo është 6,8 metra dhe siguron që në të tilla raste të mos kalojnë ujërat. I vetmi vit, ku ka arritur nivel, ka qenë 08-1 metra niveli i ujit në vitin 1976. “Tani është 3,4 metra niveli i ujit”. - Është mbathur? - e pyes. “Kjo ka akumulim të madh dhe si pozicion me nivel të ulët akumulohet ujë dhe tashti nga një ditë më parë ka një rritje 20-25 centimetra (e martë)... Pika ku jemi, në perëndim, gjysma e argjinaturës ka probleme, se që para tri ditësh është keqësuar. Zgjidhja e vetme është balancimi i kurorës në ato segmente. Kemi filluar punën që dje dhe puna e sotme do jetë rregullimi i niveleve. Niveli i ujit ka qenë pa dalë 60-70 centimetra. Ka ndonjë pikë sot që është edhe deri 50 centimetra. Ndaj po bëjmë mbështetjen me transport inertesh me argjilë, që ta lartësojmë mos të ketë shkapërderdhje..”, - thotë burri, që ndërkohë e thërrasin në një kah tjetër.
Me fshatarët
I marrim edhe ne leje, ndërsa ai na ndihmon të shkojmë më tej. Një makinë e madhe na ngjit sipër kabinës të lartë ushtarake. Shoferi del se ka shumë humor. “E, ka ndodh gjithmonë përmbytja këtej. Se kush dreqin ka hap fjalë. Me ndodh gjë, si thonë ata, mbytet me kuç e me maç”. Bendi që është gati nja 600-800 metra, bëhet për disa minuta për shkak të rrugës së keqe dhe makinave që kryqëzohen sipër tij. Zbresim, ndërsa pak familje, shoqëruar me fëmijë zbresin nga një mal përbri. Një çift ka vendosur përpara dy fëmijë. Janë të veshur mirë dhe duken krejt të patrazuar. Na thonë se janë nga Velipoja, e ngaqë është bllokuar rruga, tash u bie më mirë të zbresin këndej nga mali dhe që këtej të marrin udhën. “Nga Velipoja dilet këtu... Në Velipojë s’është aq keq... Po varet pak nga pak. Atje ku jam, s’ka ujë... Unë e kam problem se më duhet të jem në konsullatë”, - ndahet burri. Ndahemi me Jutta-n që tash merr e vetme malin, ku një grua me veshjen karakteristike të zonës po zbret qetazi me çapitje malësori. Jutta ngjitet e ngjitet që të pushtojë hapësirë. Bendi ndan tokën, që është nën pushtetin e ujit, me tjetrën tokë të Torovicës, për të cilën thonë se mund të pushtohet. Tashmë jam mes fshatarëve, që flasin njëkohësisht. Vetëm kur ndonjë nga makinat e mëdha bën kthesën e vështirë për kthim, heshtin. Në disa momente duket se janë në prag konfrontimi, por pastaj fashitet gjithçka. “Pse i besoni fjalëve?” - u themi. “Ku flitet, duhet me u rujt...”, - përgjigjet një burrë që flet shpejt. - Si quhesh? - e pyes. “Martin Bremi”, - ma pret dhe sqaron pa ia kërkuar: “Populli i Torovicës me policinë është duke e ruajtur. Kjo përbën rrezikshmëri të madhe për Lezhën, Laçin dhe deri Kurbinin, dhe deklaroj hapur para shtetit shqiptar se po u hap kjo zonë... Niveli i ulët ka ardhur dhe ka qenë në këtë kohë, sepse s’është punuar me të dhe s’ka pasur dorë”. - Vazhdoni dhe jetoni ende me blegtori dhe gur? i pyesim. - Po më tej, çfarë do ndodhë? “Çfarë guri? Tash vetëm krahi dhe bagëti. Gurin na e ndërprenë dhe kanë një vit”, - ma pret një burrë me kokë katrore. “Unë jam gjobitur 4-5 herë, se kam nxjerrë gur për të jetuar”, - më thotë një djalë i ri, që mban një kapuç. “Kush ua ka futur që këtu do ndodhë diçka?” - i pyesim sërish. “Po të hysh me pi ndonjë kafe, se jemi njerëz, kena nevojë, ngjizen lloj-lloj muhabetesh. S’të them dot se kush e thotë, por ka fjalë nga njerëz të papërgjegjshëm se do ketë shpërthim, ndaj ne rrimë nonstop”. Kemi pesë net këtu dhe ndërrojmë njëri-tjetrin... Mirash...quhem”, - e mbyll ligjëratën e tij fshatari. Nuk ia kuptoj arsyen, por tash është një burrë që s’i pëlqen fare pyetjet. Më del përpara, sikur do më rrahë dhe fillon me ton: “Nuk i intereson atij që e ban, se është një njeri keqbërës. Kaq mjafton. Ai mendon se është... Me qenë një gjë e mirë pse të vish ti? Pse të mos e marrësh dhe ti? Kjo do të thotë që jam unë në ujë, pse të mos marrsh hisen dhe ti? Ne jemi të degradu”.
Jutta afrohet me kujdes, por s’ia dalim dot të fotografojmë një djalë që rri si i maskuar. Një burrë më shton dhe diçka tjetër. Një bashkëfshatari i tyre ka sjellë privatisht dhe vetë makina të rënda nga Tirana, për të ndihmuar, - më thotë. Burrat kanë filluar të kapen sërish me njëri-tjetrin. Nuk e kuptoj, ndërsa një burrë simpatik, rreth 55 vjeç, mundohet i vetëm t’i kundërshtojë. Nikë Doshi, që e marr vesh se quhet kështu, ngaqë i flet dikush, është nga Koljaka në Balldre. Është rreth tri kilometra dhe ka sikletin se, në rast se hapet argjinatura, i mbytet dhe atij toka.
- Nuk kuptoj, - i them Nikës, - se pse debatoni, kur keni një hall të përbashkët: “Ne debatojmë prej hallit, - më thotë. - Argjinatura është ndërtuar para 36 vjetësh dhe vetëm më 2004 ka dalë pak uji. Që atëherë s’ka pasur më siklete. Është e mbushur mirë me dhera dhe gurë, sepse, mos me e pas mbushur mirë, do e merrte uji. Tash, varet se sa sjellin... Por më i dal zot, nuk i dali. Ky dheu s’mjafton... Ishalla nuk vjen më uji prej digave, se nuk ka asnjëri se çfarë i bën...”.
Intermexo
Një ditë të bukur të vitit 1901, unë (Theodor Ippen) po gjuaja peshk si ndonjë orë larg prej bregut të djathtë të tij, duke u nisur prej Lezhe, kur papritur, pa dhënë asnjë paralajmërim, një mase e madhe uji na vjen përballë: lumi ishte ushqyer nga ujërat e vrullshme të reshjeve në malësi, kishte përmbytur digat e brigjeve dhe për një kohë shumë të shkurtër pyjet, livadhet dhe rrugët në nivel më të ulët qëndronin një metër nën ujë. Me shumë vështirësi, herë duke çarë me ujë dhe herë duke notuar, kuajt na bartën nëpër një rrugë që zakonisht bëhej për një orë e gjysmë, por që zgjati tri orë deri në një shtëpi fshatari, e cila qëndroi për dy ditë e rrethuar nga uji. Pastaj uji u largua nga rrugët, por në pyje mbetën sipërfaqe moçalore, të cilat as nxehtësia e diellit, që në verë djeg, përmbytjet në fushë nuk mundi t’i thajë...
Drejt Shkodrës, po ajo që do vijë pas
Largohemi nga bendi, tash të shoqëruar me një makinë tjetër të lartë, ku kryqi i një shoferi mysliman tundet para pasqyrës, me ritmin dhe thellësinë e gropave që kemi. Mbase do ndodhë si në kohën e Ippen, po u lëshua uji, por kjo s’ka gjasa të ndodhë. Ndalojmë dhe pak, kur një burrë me mustaqe tip Kaizeri, qëndron me një mikun e tij mbi argjinaturë, disi i inatosur. Një figurë tipike malësori, por i shkurtër dhe me një veshje disi qytetare, ai duket se ngërthen dhe është i ardhur befas nga ndonjë fletë historie. Flet pak dhe arsyeja e tij e ardhjes nuk ndryshon nga të tjerët. Shtyjnë kohën dhe kanë frikën e asaj që do ndodhë. Të gjithë flasin më shumë me ëndrrën në këto momente. Largohemi, për të shkuar në drejtim të Shkodrës. 45 minuta më vonë Bahçallëku është në ujë dhe uji ka pushtuar dhe Bezistanin e qytetit. Ai vazhdon. Xhamia e Plumbtë noton bashkë me Ajasëm dhe kështu dhe e gjithë periferia e Shkodrës. Por shkodranëve u bën fare pak përshtypje. Klubet më tej do t’i shikojmë të qeta dhe forumi rinor i PD bën një mbledhje, gati si prelud feste. Nuk ndalojmë dot që të fotografojmë periferinë. Shkodranët janë mbytur shumë herë dhe duket se kjo e sotmja është shumë më tepër e tepruar. Por sikleti i vërtetë është gjetiu. Heshtja e ka një arsye. Bashkia e Shkodrës ka filluar të mendojë se ç’do të bëjë, kur situata të fillojë të normalizohet. Shumë nga shtëpitë që janë të përmbytura, janë informale, ndërsa politikanët, sipas fjalëve të çastit, u kanë dhënë shumë premtime, pas ndihmave të momentit. Romët pa gojë dhe tash edhe pa punën e përditshme, por bashkë me katandinë e tyre të përditshme, kanoçet, rrobat dhe kuptohet kuajt e karrocat, janë strehuar në një repart ushtarak. Ndërkohë që një punonjës i bashkisë, që shikon me shumë siklet anash, na thotë se qyteti ka tash problemin e epidemive, që vijnë nga bllokimi i ujërave të zeza dhe infeksionet e shumta, që mund të lindin. Ky është problemi ynë i vërtetë, na sqaron. Por, ndërkohë në medie është thënë se Prokuroria ka gjetur më në fund arsyen që të shkojë në Veri, ndërsa kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë ka vazhduar propagandën: “E kemi përballuar me sukses... Ka nisur puna për thellimin e grykëderdhjes së Bunës në det. Po kështu i lamë detyrë ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi, që të punojë për vënien në zbatim të projektit të thellimit të shtratit të Bunës, që do të shpëtonte nga përmbytjet lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, si Livadhe, Ajasëm etj”.
Kjo duket qesharake, teksa në kujtimet e veta, që botohen diku, një inxhinier i vjetër, Çesk Staka, do kujtojë se në vitin 1978, para se të mbyllej diga e Fierzës, i ka dorëzuar drejtorit të Shfrytëzimit të HEC-it në Fierzë në prezencë të Kontrollit të Shtetit dhe prokurorit Kupën e pastruar të Liqenit të Fierzës. Në rast të kundërt, do më pritej koka mua, kolegëve të Pukës dhe të Tropojës, shkruan ai. Pikërisht këtu ka nisur edhe verifikimi i prokurorisë, te shkresat e KESH mbi shkarkimet, prurjet dhe të dhënat të tjera... Ndërkohë struktura të tëra po mendojnë se si do menaxhojnë situatën post-katastrofë, e cila do kërkojë disa koka për justifikim.
...
Kol Doshi dhe Marini tashmë janë larguar. Kanë lënë dy më të rinj, që u duket se janë më të ngeshëm. Ata, si të tjerët, po mendojnë se ç’do të bëjnë më pas dhe ky është problemi më i madh i të gjithëve. Edhe Luigji është larguar, sepse tash i duhet të menaxhojë situatën dhe në vende të tjera dhe pastaj të mendojë se çfarë do ndodhë në qytet. Neve na duhet të ikim, por më parë duhet të bëjmë një fotografi ajrore nga tarraca e hotel “Evropës”. Zbresim. Çuditërisht ka një dritë të bukur, ndërsa perëndimi po vjen i qetë nga përtej. Një grua me veshjen e Zadrimës e hasim teksa qëndron e përhumbur dhe si e menduar në periferi të Lezhës. Duket si e murosur ose thjesht e sapozbritur nga ndonjë kronikë e hershme. Reagon instinktivisht Jutta. Ah, po. Është e vjetra, me të cilën është ndërruar në mëngjes. Është janari i vitit 2010.
“Mapo”