E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezear Xhaxhiu: “Me Gazetarinë do të divorcohesha për Diplomacinë”

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Vetëm pak ditë më parë Rezear Xhaxhiu u vlerësua me çmimin e lidershpit për median dhe shtypin, dhënë nga Co-PLAN. Është një çmim që për gjashtë vite me radhë u jepet personaliteteve të shtypit e medias shqiptare për kontributet e tyre dhe për karrierën e tyre solide. Xhaxhiu thotë se nuk e priste, por që nuk mohon se u ndje mirë. I vlerësuar, dhe pse jo edhe pak i mikluar. ”Çmimi –thotë ai të vë në qendër të vëmendjes së njerëzve, dhe ti e ndjen se ke vlerë”. Afër të 50-ve Rezear Xhaxhiu duket se nuk tregon moshën që ka. Na rrefen se sekreti qëndron tek ritmi i tij i jetës dhe i punës. Kjo pasi Xhaxhiu rend gjithnjë, dhe ka 20 vjet që ndodhet brenda këtij ritmi që ai e quan “makineria përbindëshe e gazetarisë”. Por për të na u përgjigjur neve të “Ballkanit” ndalon pak dhe rrëfen...
Xhaxhiu dhe ana tjetër e tij...
Përveç frazës stereotipe që ai e thotë në çdo mëngjes “Zonja dhe zotërinj, mirëmëngjes, unë jam Rezear Xhaxhiu dhe ju jeni në Zip, ka edhe një Rezear tjetër. Ai larg kostumit e kollares, grimit të kujdesshëm dhe qëndrimit statik. Xhaxhiu thotë se në jetën e përditshme atë të xhinsit dhe pulovrit ka një tjetër drejtues emisioni. Thotë që pëlqen të ecë shumë, madje nuk e fal pothuajse çdo ditë një dalje nga liqeni. ”Bëj shumë shpesh palestër, thotë xhaxhiu dhe nuk harron të ndjekë pothuajse çdo premirë në Teatrin e Operas apo në Teatrin e Dramës. “Të gjitha me shërbejnë të thith informacion. Nëse do të flas për Falsafin apo arrëthyesit jam i detyruar të ndjek nga afër premierën. Po kështu edhe për një libër të ri apo për një ekspozitë. Xhaxhiu thotë se ka pak kohë por edhe atë që ka di ta menaxhojë me shumë kujdes duke krijuar disa raporte mes çlodhjes dhe leximit por edhe familjes. “I jam dificitar Laurës dhe Lorit, thotë ai me një ndjenjë pendese, puna jonë dhe ritmi i saj duhet të ishte për një kategori gazetarësh beqarë,” thotë ai me shaka. Megjithatë është i lumtur që bashkëshortja dhe vajza e kanë kuptuar dhe e kanë lënë të “qetë” në hapësirën e tij të profesionit.

Kush është Rezear Xhaxhiu. A ka një pasaportë për të gjithë ata që e ndjekin por qe nuk e njohin?
Jam 49 vjeç. I shenjes së luanit. I martuar që prej 23 vjetësh me Lauren dhe baba i një vajze 20 vjeçare, Loris. Prej 5 vitesh punoj si drejtues emisioni në Vizion Plus. Më pëlqen të udhëtoj,
parapëlqej pastat, verën e kuqe dhe në televizor shoh kryesisht edicione lajmesh dhe emisione politike,(besoj se është një sëmundje profesionale kjo). Kam edhe vese, një ndër të cilët është pirja e duhanit, një ves i mësuar nga profesioni i gazetarit.

Jeni diplomuar për Gjuhë-Letërsi, me pas diplomat dhe përfundoni në gazetari... Si ndodhi?
Fillesat e gazetarisë i kam që në adoleshencën e hershme. Në kohën kur isha student në vit të parë për Gjuhë-letërsi dhe kur isha ngushtë nga lekët aq të domosdoshme për çdo student punoja si bashkëpunëtor i jashtëm i “Zëri i Rinisë”. Lëvizja shumë në atë kohë me shërbime për të bërë reportazhe e intervista. Më kujtohet kam qenë në kantieret e Fierzes, në metalurgjik, kryesisht ku kishte punëtorë. Ishte në modë atëherë të ishe punëtor dhe çdo shkrim për ta vlerësohej e paguhej mirë. Në fund të Fakultetit pata një deviacion. Kalova në diploamci dhe për katër vjet punova si sekretar ambasade në Bukuresht. Më pas u riktheva në “tokën” time. Pra aty ku më thërriste gjaku i të parëve. Edhe im atë ka qenë gazetar dhe njeri i letrave.

Kush ka qenë redaksia juaj e parë. A ruani ndonjë kujtim?
Departamenti i informacionit te Radio Tirana. Ka qenë fillimi i viteve 90-të. Fillova si reporter terreni. Me kujtohet magnetofoni dhe biçikleta me të cilën bridhja nga mëngjesi në mbrëmje në gjuatje të lajmit. Radio Tirana ka qenë Universiteti im i parë. Me kujtohet një ditë kur kapa një lajm (duhet të isha i pari që rashë në gjurmë të tij) për rënien e malarjes në Shqipëri. E “vodha” informacionin nga një zyrë në Ministrinë e Shëndetësisë. Gjithë qejf e duke nxituar për në redaksi dhe i dehur nga lajmi rashë në një pusetë. U bëra gjak dhe ashtu pa u fshirë mbërrita në redaksi. Me dukej sikur kisha zbuluar “Uotergejtin”. Tani qesh kur e kujtoj. Ka patur pasion gazetaria në atë kohë dhe ne ishim më të përgjegjshëm në raport me lajmin dhe dhënien e tij.
Si është tani gazetaria. Ju mendoni se nuk ka passion?
Jo tani është më dembele. Vendos një mikrofon në aparatin e televizorit, zbardh lajmet e medias elektronike dhe ja ku u mbush një faqe gazete. Tani më duket se gazetaria është kthyer në një punë me mëditje. Nuk ka nerv, nuk ka krijimtari nuk gjëmohet lajmi. Edhe kur gjendet kalon si hije. Pastaj ka shumë gazetarë që rastësisht janë në këtë shtëpinë tonë të madhe që është gazetaria. Unë kam qenë prej vitesh drejtor lajmesh në TVA. Më kujtohet një herë kur dikush më kërkoi të bëhej gazetar. E pyeta: ”Për çfarë ke mbaruar, për zooteknik më tha. Po çtë lidh me gazetarinë? Mu përgjigj se kish shkruar dikur hartime të bukura. Dhe të mendosh se tani është një prej të shumtëve, pra edhe koleg me mua…
Ju shikoni vetem gri...
Në fakt shikoj gri, por jo vetëm dhe jo gjithnjë. Shikoni. Ka edhe arritje që të gëzojnë. Ka reporterë të shkëlqyer në mediat tona sikundër ka edhe gazetarë investigues të nivelit të parë. Artan Hoxhës të emisionit ”Xhungël” unë për shembull i përkulem me respekt. Po kështu Marin Memës, Ardi Bitës, Ben Andonit, Endri Xhafës, Sokol Bregut e shumë të tjerëve. Janë të rinj dhe reporterë të mrekullueshëm. Ka dhe shume të tjerë që bëjnë një gazetari të mirëfillte qoftë në shtyp apo edhe në media elektronike.

Ju keni shkruar edhe në shtypin e shkruar. Përse ju tërheq televizioni?
Sepse ka një magji ekrani. Sigurisht nëse di ta bësh mirë. Mund të shkruash keq ose mund të shkruash mirë por nuk pëlqehesh dhe kaq. Por nëse drejton në Tv keq je dyfish i humbur. Njerëzit të largohen me lehtësi dhe më e keqja është se nuk të rikthehen më. Nëse di të bësh televizion je mbret, respektohesh si nga një prostitutë ashtu edhe nga një politikan si nga një roje parkingu edhe nga një shitës tenxheresh tek tregu çam. E kam prekur vetë këtë ndjeshmëri të njerëzve ndaj jua them me bindje. Kjo është arsyeja që nuk largoheni nga ZIP.

Si lindi ZIP?
Ishte nje ide e Andi Bejtës pesë vjet më parë. Dhe mua më ngjiti me dorë të parë. Sepse më shkonte për shtat për nga ritmi dhe formati ndryshe. Zip është të pyeturit ndryshe, është edhe ritëm por edhe lajm, edhe informacion edhe jo vetëm informacion. Pra një zgjim ndryshe për ata që na ndjekin. Fasho e mëngjesit është e çuditshme. Ka njerëz që vdesin për “Aldo morning shou” ka të tjerë që duan dyshen e Top-it, ka partizanë të gazetave të bashkimit por ka shume që duan të zgjohen me Zip sikundër tri vjet më parë doinin të flinin me të kur Zip ishte në darkë vonë.

Flasim pak për cmimin. E kishit menduar se do ta merrnit edhe ju?
Jam shumë i sinqertë po tju them se nuk e prisja. Kjo ndoshta vjen edhe për shkak të një paragjykimi timin, mundet i gabuar, për dhënien e çmimeve përgjithësisht në Shqipëri. Kisha menduar se të marrësh një çcmim duhet të jesh një herë pjesë e ndonjë klani në një rast tjetër të lobosh fort, apo në një rast më të mirë të mbështetesh nga një krah i politikës ose të jesh pse jo edhe pak pelivan. Ja pse u çudita kur më thanë se isha fitues. Por tani ju garantoj se do ti shikoj me sy tjetër çmimet, me më realizëm.

Të vlerësohesh me një çmim për ju do të thotë të jesh më i zgjuari apo me i miri se të gjithë?
Jo as njëra as tjetra. Një çmim është një cmim. Pra një vlerësim për një punë 20-vjeçare, të përditshme, të përvitshme pa u stopuar. Një çmim do të thotë që dikush kujtohet për ty, të ka ndjekur, të çmon dhe të jep hakun e djersës së profesionit,të pavarësisë, të lodhjes dhe të gjithçkaje tjetër që ka lidhje me profesionin tonë masakrues. Ky është kuptimi i çmimit pra jo të jesh më i miri, por i miri në një kohë të caktuar kur dikush ka nevojë të shoh në lajmin tënd në drejtimin tënd të emisionit veten e tij, hallin e komshiut të tij. Dhe unë jam munduar ta bëj këtë. Ndoshta për këtë jam edhe vlerësuar

Po të njëjtin çmim e kanë marrë më parë edhe gazetarë të tjerë, më të rinj në moshë se ju, dhe me me pak eksperiencë. A ndiheni xheloz?

Përkundrazi. Të gjithë që janë vlerësuar në këto vitet e fundit ia kanë vlejtur. E ka merituar Fevziu i “Opinioit”, por pse jo edhe Çani me gjetjen e tij “Zonë e lir”. Për të mos harruar më pas Sokol Ballën apo të papërsëritshmin Adi Krasta. Janë të gjithë personalitete dhe individualitete të cilëve unë do tu jepja cmim sa herë të më jepej rasti. Çdo gazetari ka nevojë për emra të tillë. Unë ndihem mirë me ta dhe me çmimet që ata kanë marrë.

Me cilin profesion do ta ndërronit gazetarine?
Me atë të diplomatit. Fushë që e kam prekur dikur dhe kam luajtur mirë edhe pse isha i ri në atë kohë.

Po me gazetarinë, sa i kompletuar ndiheni sot si gazetar?
Nëse nuk do të ndihesha mirë do të kisha bërë prej kohësh divorcin me të. Jam në mes të rrugës. Ndoshta se jam në mes të rruges jam edhe gjysmë i kompletuar.

Intervistoi, Entela DURAJ

Ky lajm është publikuar: 19/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›