Të arrestuarit: E nisëm si lojë, më pas fituam para
Dy të arrestuarit e operacionit “agjenti i rremë”, Fatmir Fllaga dhe Adriana Ura, janë paraqitur dje për vlerësim të masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës. Para gjyqtares së gatshme, Enkela Bajo, Ura dhe Fllaga kanë pranuar se e kanë filluar këtë aktivitet si lojë. “E filluam si lojë dhe më pas fituam disa para” deklaroi Fatmir Fllaga, i cili disa çaste më vonë do të deklaronte se ideja për krijimin e këtij grupi ishte e Adrianës. Kjo e fundit, nga i njëjti kafaz i hekurt në gjykatë deklaroi se nuk ishte ideja e saj kjo “lojë”, por e të arrestuarit tjetër. Në sallën e gjyqit është krijuar një ilaritet, ku dy të arrestuarit i kanë hedhur akuza njëri-tjetrit, madje kanë dhënë deklarata të dobishme për prokurorinë dhe gjykatën. Ata kanë treguar sesi e kishin filluar këtë aktivitet, ndërsa treguan se të mashtruarit sa vinin e shtoheshin dhe ishin gati të depozitonin edhe shuma të caktuara. Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, fjalën e mori edhe prokurori Julian Zonja, i cili i kërkoi gjykatës që të vendoste masën e sigurisë “arrest me burg”, kjo nisur edhe nga provat që ndodhen në dosje. Sipas tij, ekzistojnë të gjitha të dhënat e kësaj vepre penale dhe duke u nisur nga rrezikshmëria e kësaj vepre penale prokurori kërkoi arrestin me burg. Avokatët mbrojtës të dy të arrestuarve kërkuan një masë lehtësuese, kjo edhe nga pranimi i fakteve prej Fllagës dhe Urës. Në fund, gjyqtarja Enkela Baja, duke u nisur edhe nga deklarimet në sallë, vendosi që të lërë në burg Fatmir Fllagën dhe Adriana Urën. Këta të fundit kanë vazhduar të shkëmbejnë replika me njëri-tjetrin. Tashmë ata do të pyeten nga organi i prokurorisë, ku mund të tregojnë të gjithë këtë aktivitet mashtrimi.
#