Biznesi i Tiranës lidhet me Udinen
Një delegacion i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, i kryesuar nga kryetari i saj, Nikolin Jaka, bëri një vizitë dyditore në rajonin italian të Friulit, Venecia Gulias. Më 30 qershor u zhvillua në ambientet e Dhomës së Tregtisë e Industrisë dhe Artizanatit të Udines një seminar me temë “Njohja, tregtia dhe investimet në Shqipëri” me pjesëmarrje të gjerë të biznesmenëve dhe investitorëve italianë që janë tashmë në Shqipëri. Pjesëmarrësit i përshëndeti zv.presidenti i Dhomës së Udines, Marko Bruseschi, i cili foli për mundësitë e investimeve në fushën e energjetikës në Shqipëri. Nga ana e tij, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Jaka, shpjegoi me detaje fushat ku mund të investohet sot në Shqipëri, në planin afatmesëm dhe afatgjatë. Në prani të një audience të gjerë, të dyja dhomat e tregtisë firmosën një memorandum bashkëpunimi, që konsiston në forcimin e lidhjes mes tyre në drejtim të shkëmbimit të informacionit.
#