E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seanca parlamentare shtyhet për të premten mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës



Shtyhet mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Megjithëse ishte njoftuar se kjo mbledhje do të zhvillohej ditën e djeshme, seanca parlamentare për të votuar kabinetin e ri qeveritar ka bërë që kjo mbledhje të lihet për t’u mbajtur ditën e premte. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga burime pranë Bashkisë së Tiranës, të cilat shpjegojnë se këshilltarët bashkiakë, që u bënë deputetë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kanë informuar se nuk do të jenë të pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, pasi do të jenë në Parlament për të votuar kabinetin e ri qeveritar. Për rrjedhojë, Plani i Përgjithshëm Rregullues i Tiranës do të ngelet sërish pa u shqyrtuar nga 55 këshilltarët e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit. Prej shumë kohësh ky plan ka shkaktuar debate dhe akuza të forta mes Partisë Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës, pasi maxhoranca vazhdimisht e ka akuzuar kryebashkiakun e kryeqytetit se po e mban peng këtë plan për interesa personale. Por debatet për këtë plan pritet të jenë edhe më të ashpra në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, ku për herë të parë pas zgjedhjeve vendore të 2007-ës, Partia Socialiste nuk gëzon më maxhorancën si pasojë e koalicionit mes Partisë Demokratike dhe LSI-së. Plani urbanistik është vendimi më i rëndësishëm që ky këshill pritet të miratojë ditën e premte. Me këtë vendim do të marrë fund amullia e ndërtimeve që është krijuar në territorin e Tiranës, pasi me miratimin e planit do të vendosen njëkohësisht edhe gjurmët e ndërtimeve.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›