E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria sizmike, SIGMA ofron sigurimin nga tërmetet

Intervistë e nëndrejtorit të kompanisë së sigurimeve “SIGMA”

Në dy javët e fundit Shqipërinë e kanë drithëruar rreth gjashtë tërmete të ndryshme, ku nuk kanë munguar shembjet totale të shtëpive apo dëmtimet e godinave të disa bizneseve në disa zona të vendit. Nëndrejtori i kompanisë së sigurimeve “SIGMA”, Lavdi Avllaj, tregon për “Albania”-n paketën e sigurimeve që kjo kompani ofron për tërmetet, si dhe nivelin e sigurimeve të këtij lloji në vendin tonë.
Zoti Avllaj, mund të flisni për historinë e krijimit të SIGMA-s?
Duke qenë se kompanitë e sigurimeve në Shqipëri janë një industri e re, edhe kultura edhe tradita janë në fillesat e veta. Fillimisht dy vitet e para ka pasur sigurime, por më tepër kanë qenë ato të trashëguara nga ish-sistemi komunist, dhe janë bërë sigurime konkretisht për blegtorinë dhe bujqësinë, të cilat kanë qenë elemente sigurimesh, dhe jo thjeshtë industri. Në vitin ’91, me krijimin e parë të sigurimeve INSIG, erdhën dhe produktet e sigurimeve, të cilat u huajtën me të gjitha kushtet, me të gjitha primet dhe me të gjitha komisionet nga kompanitë gjermane, italiane dhe franceze. Pra për herë të parë nisi fillimi i tregut perëndimor me produktet perëndimore. Kurse shitjet në këtë industri filluan të zhvillohen vetëm mbas daljes së sigurimit të detyrueshëm të automjetit në vitin 1993, aty mori rrugë zgjerimi i këtij tregu. Sepse mbas vitit ‘90-‘91 hynë automjetet private në treg dhe mbas vitit 1993 u bë dhe sigurimi i detyrueshëm i këtyre automjeteve, këtu mori jetë dhe sigurimi me kasko, që është një sigurim vullnetar. SIGMA është kompania e parë private e sigurimeve e themeluar në vitin 1999, ligji për hapjen e kompanive private kishte dalë që në vitin 1996, që u jepte të drejtën e futjes në treg të kësaj lloj industrie, kurse kompania e parë ishte e drejtorit të Përgjithshëm të kësaj kompanie sigurimesh, zotit Disha, bashkë me disa ish-drejtorë të degëve që krijuan dhe kompaninë e parë private “SIGMA”. Gjithashtu dua të them se rreth 70 për qind vazhdon të jetë treg i detyrueshëm.

Po sigurimet nga tërmeti përfshihen në kompaninë tuaj?
Sigurimet vullnetare dhe sigurimet nga zjarri, pasi sigurimet nga tërmeti quhen rrezik shtesë. Pra, në qoftë se sigurojmë qoftë dhe një ndërtesë, kjo quhet sigurim nga zjarri. Ndërsa në rast se ne duam ta sigurojmë po këtë ndërtesë edhe nga tërmeti, orteku apo përmbytjet, është një rrezik shtesë që bëhet në sigurime, por që paguhet një tarifë tjetër, pasi sigurim bazë është vetëm sigurimi i ndërtesës nga zjarri.
Keni klientë që janë siguruar nga tërmeti?
Dua të them që rreziku nga tërmeti bëhet me zgjedhje. Por, dua të them se Shqipëria është zonë sizmike dhe, sipas ekspertëve gjermanë me të cilët ne kemi bërë seminare, janë shprehur se vendi ynë është një vend sizmik dhe çdo tridhjetë apo 40 vjet në Shqipëri bien tërmete të fuqishme. Ekspertët gjermanë na kanë porositur që ose të mos e mbulojmë fare këtë rrezik, ose ky rrezik të jetë i prirur që të mbulohet nga kompania jonë, domethënë që të lahet çdo dëm i shkaktuar nga ky tërmet. Kjo ndodh për një arsye të vetme, pasi në sigurime nuk mund të punosh pa një risigurues, pra një kompani vendase apo e huaj nuk e mban të tërë riskun për vete, as zjarrin dhe as tërmetin, por e çon në treg të risigurimeve. Pra, duke qenë se shkojnë në treg të risigurimeve, ato përcaktojnë edhe primin. Megjithatë, ne, në të gjitha rastet që kemi marrë për sigurim, kemi pranuar edhe rrezikun e tërmetit. Pra, sigurimi i këtij risku që quhet tërmet ekziston. Deri tani ne nuk kemi pasur asnjë rast, sepse nuk kemi pasur sigurime të këtij lloji. Dua të them, siç janë shtëpitë private apo apartamentet, por kemi pasur vetëm ato apartamente që janë marrë me kredi dhe sigurimi ka qenë i detyrueshëm. Pra. banka për interesat e veta dhe të institucionit e detyron klientin që të paguajë tarifën e sigurimit nga tërmeti. Sigurimi nga tërmeti nuk zë më shumë se 7-8 për qind të portofolit, që është shumë minimal.
Me çfarë e lidhni ju këtë mungesë interesi të qytetarëve shqiptarë për mossigurimin ndaj këtij rreziku, apo dhe rreziqeve të tjera?
Deri në këto momente nuk ka pasur asnjë kërkesë që të bëjë sigurime, edhe pse ka pasur shumë tërmete gjatë këtyre dy javëve. Përkundrazi, ne i jemi afruar klientit me spote televizive, me fletë-palosje, si dhe me anën e postës së e-maili-it, dhe këtë e kemi bërë më shumë për klientët në qytetet e mëdha. Mossigurimi lidhet më shumë me mungesën e kulturës, dhe jo thjesht me buxhetin, pasi një apartament në Tiranë, i cili mund të kushtojë mesatarisht 50 mijë euro, do të paguajë për t’u siguruar nga rreziku i zjarrit kë të ndërtesë është vetëm një për mijë, pra është vetëm 50 euro, ndërsa në rast se do të bësh edhe sigurimin shtesë, që është ai i tërmetit, do të paguash gjithsej në një vit 100 euro. Pra, dua të them se zjarri është rreziku bazë, ku përfshihen defektet elektrike apo eksplozionet, ndërsa tërmeti është rrezik shtesë. Sigurimi për një shtëpi bëhet në bazë të primit që është një për mijë. Kjo ndodh në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ku çmimet e shtëpive ndryshojnë nga zona në zonë.

Pra ju po thoni se shqiptarët nuk kanë arritur akoma në nivelin e qytetarëve europianë?
Unë personalisht, meqë kam kohë në këtë treg, të paktën që nga viti 2000, e lidh mungesën sigurimeve me kulturën.

Sa shkojnë tarifat e këtyre sigurimeve në Shqipëri në raport me vendet e tjera?
Dua të thes se tregu i sigurimeve për kompaninë “SIGMA” mund të shkojë rreth 60 milionë euro. Pra dua të them se ky treg është gjithmonë në rritje, por ngelet më i ulët se në vendet e tjera të rajonit. Duke bërë një llogari me 4 milionë shqiptarë, del që u bie vetëm nga 10 euro për frymë, ndërsa në vendet e rajonit është 200 euro për frymë konsumi i sigurimeve, ndërsa në Itali, Gjermani apo Angli i kalon 2000 eurot për frymë. Ne pretendojmë të shkojmë në Europë, por nuk mund të shkojmë në Europë pa plotësuar standardet. Dua të them se për të bërë sigurimet nuk është portofoli ai që mungon. Pra dua të them se sigurimet në Shqipëri janë shumë më të ulëta në krahasim me vendet e tjera të rajonit për shkak se kompania e sigurimeve “SIGMA”, duke parë ky produkt nuk po gjente terren, nuk po gjente treg, ka ulur dhe çmimet, por dhe me këtë çmim të ulët nuk ka ndryshuar shumë.
Po interes për sigurime për shëndetin ka pasur në këtë kompani?

Ne kemi mbi një vit që merremi me një produkt, i cili quhet produkti i shëndetit. Por çfarë ndodh? Në Shqipëri ka mbi 300 mijë shqiptarë, të cilët kanë automjete, por nuk kanë sigurim për shëndetin e vet, edhe pse ky lloj produkti ekziston sot në treg. Po ju jap një shembull, se pa një polic sigurimi nuk mund të përballosh fatkeqësitë. Në rast se sëmuresh dhe duhet të kurohesh në Turqi apo Greqi, kjo kosto do të të shkojë 5-15 mijë euro, ndërsa në rast se je i siguruar, nuk të shkon më shumë se 500 euro në Turqi, por dhe në të gjithë Europën, me të gjitha llojet e sëmundjeve. Pra, dua të them se ky produkt është shumë i rëndësishëm duke pasur parasysh këtu nivelin e shëndetësisë në Shqipëri. Me përjashtim të një banke të fuqishme në Shqipëri, e cila ka siguruar 450 punonjës, asnjë tjetër nuk i ka bërë këto sigurime. Ne kemi hedhur në treg 3 lloj paketash, ku ke mundësinë për t’u kuruar në të gjithë botën. Njerëzit duhet t’i bëjnë këto sigurime dhe nuk duhet t’i drejtohen shtetit, pasi në Shqipëri ofrohen këto lloj shërbimesh.

Apeli juaj për qytetarët shqiptarë...
Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ka ikur koha kur pronarët i drejtohen shtetit, përderisa janë pronarë të blejnë një polic sigurimi, në mënyrë që të sigurojnë shtëpinë, pronën dhe jetën e tyre nga zjarret, sëmundjet, aksidentet, por edhe nga tërmeti.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›