Zbulimi, vaksina e virusit H1N1, e efektshme vetëm me një dozë tek të rriturit
Vaksina ndaj virusit H1N1 është e efektshme vetëm me një dozë. Ky është zbulimi më i fundit i bërë nga shkencëtarët amerikanë, që po punojnë për përgatitjen e kësaj vaksine. Megjithëse kur filluan provat për vaksinën e re të virusit H1N1, ekspertët besonin se shumica e të rriturve do të kishin nevojë për dy doza, pasi virusi ishte i ri, tashmë ky parashikim është rrëzuar. Dy studime të reja tregojnë se shumë të rritur mund të mbrohen vetëm me nga një dozë nga gripi i derrit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson njofton mbi ndikimin që do të ketë ky fakt në rastin e një epidemie të virusit H1N1. Zyrtarët e shëndetësisë që po luftojnë me pandeminë e parë në 41 vjet morën disa lajme të mira kohët e fundit. Vetëm një dozë e vaksinës duket se mbron shumicën e të rriturve nga virusi H1N1. Sekretarja amerikane e Shëndetësisë, Kathleen Sebelius tha se lajmet janë inkurajuese. Duket se tek shumica e njerëzve përgjigja e imunitetit është e fuqishme brenda tetë deri në dhjetë ditë me vaksinën e parë që është një lajm shumë pozitiv. Një studim i vaksinës amerikane ka provuar të jetë po aq i efektshëm sa prova e vaksinës në Australi. Lajmi është i papritur dhe i mirëpritur. Kjo do të thotë se do të ketë dy herë më shumë vaksina të gatshme për njerëzit në mbarë botën. Dr. Anthony Fauci është me Institutin amerikan të Shëndetësisë. Sipas tij, zbulimi më i fundit për efektin e vaksinës do të zgjidh disa probleme që kemi pasur në vështirësitë për furnizime për të gjithë.
Dalja
Zyrtarët amerikanë të Shëndetësisë thonë se 98 për qind e rasteve të gripit po shkaktohen nga virusi H1N1. Vaksina do të jetë në treg në mes të tetorit. Por shkollat kanë filluar, moti po ndryshon dhe sezoni i gripit ka nisur në hemisferën veriore. Rreth 60 studentë kanë marrë virusin në Universitetin e Minesotës në Mineapolis. Disa janë të shqetësuar. Autoritetet amerikane të Shëndetësisë shprehen se kanë dëgjuar se virusi H1N1 po përhapet gjithandej në kampuset e universiteteve dhe kjo sipas tyre është e frikshme. Ndërkohë, zyrtarët e Shëndetësisë po bëjnë thirrje që njerëzit të marrin vaksinat e gripit sezonal që janë tashmë në treg. Ata rekomandojnë që njerëzit të imunizohen veças për virusin H1N1. Sipas zyrtarëve të shëndetësisë, grupet më të rrezikuara duhet të jenë të parët që vaksinohen, si: gratë shtatzëna dhe fëmijët, adoleshentët me sëmundje kronike, ata që kujdesen për të vegjlit dhe punonjësit e shëndetësisë. Rezultatet e provave që përfshijnë fëmijët dhe gratë shtatzënë priten pas dy javësh.
Kërkimet
Studiuesit amerikanë po punojnë me intensitet për të përgatitur vaksinat për sezonin e gripit, i cili fillon zakonisht në fund të tetorit, por këtë vit mund të arrijë kulmin më herët se zakonisht. Vaksinat po testohen për të parandaluar një epidemi të gripit H1N1 dhe parashikohet që doza të mëdha të jenë gati për përdorim në prag të sezonit të gripit. Në Fakultetin për Menaxhimin e Shëndetit Publik pranë Universitetit Johns Hopkins po zhvillohen kërkime lidhur me mutacionet e virusit dhe masat që duhen marrë në përgjigje të tyre. Organizata Botërore e Shëndetësisë pohon se afro 100 mijë vetë në gjithë botën janë diagnostikuar me gripin H1N1. Por shumë epidemiologë thonë se mundet të ketë miliona raste të pakonfirmuara. Por edhe më shumë veta në Hemisferën Veriore pritet të preken këtë vit nga virusi gjatë sezonit të gripit, megjithëse nuk është e qartë se sa i madh është kërcënimi nga ky patogjen. Andrew Pekosz, profesor në Katedrën e Mikrobiologjisë dhe Imunologjisë në Universitetin Xhons Hopkins paralajmëron se gripi H1N1 ka gjasa të shkaktojë pjesën më të madhe të rasteve të gripit në Hemisferën Veriore këtë vjeshtë. Lidhur me përhapjen e gripit të derrit profesor Pekosz shprehet: “Nëse analizojmë gjendjen aktuale në Hemisferën e Jugut, e cila po kalon tani sezonin e gripit, shohim se gripi atje filloi më herët dhe në disa raste virusi u përhap më me shpejtësi se gjatë një sezoni normal të gripit. Nuk ka arsye përse të mendojmë se në hemisferën tonë gjendja do të jetë ndryshe, sapo të freskohet pak moti dhe kushtet për përhapjen e gripit të jenë optimale”.
Karakteristikat, virusi H1N1, nuk është i njëjtë me atë të vitit 1918
Çdo lloj gripi ka karakteristika të ndryshme dhe rrezikon grupe të ndryshme të popullatës. Profesor Andrew Pekosz pranë Katedrës të Mikrobiologjisë dhe Imunologjisë në Universitetin Xhons Hopkins nënvizon se virusi H1N1 ka disa ngjashmëri me virusin që shkaktoi epideminë e gripit në vitin 1918, dhe mendohet se preku 1 të tretën e popullsisë së botës duke shkaktuar vdekjen e mbi 50 milionë vetëve. Por, studimet e tij mbi këtë lloj të ri virusi tregojnë se nuk ka shumë gjasa që virusi i ri të shfaqë të njëjtat karakteristika. “Këtij virusi të vitit 2009 i mungojnë disa nga tiparet specifike të shkaktarëve të epidemive, që i kishte virusi i vitit 1918. Prandaj nuk mendoj se ka gjasa që ky virus të shfaqë mutacione që ta shndërrojnë atë në po aq vdekjeprurës sa gripi i vitit 1918”,- shpjegon Andrew Pekosz. Virusi i vitit 1918 shkaktoi vdekjen e më shumë të rinjve të shëndetshëm se çdo grip tjetër. Afro gjysma e viktimave ishin 20-40 vjeç. Ky fenomen po përsëritet deri diku tani. Të moshuarit, të cilët tradicionalisht preken nga gripi, nuk janë prekur shumë nga gripi H1N1, ndoshta pasi gjatë viteve kanë siguruar një farë imuniteti. “Ka prova që tregojnë se virusi po sulmon të rinj të shëndetshëm në një masë më të lartë se popullatat e tjera. Kemi vërejtur raste më të rënda tek fëmijët dhe gratë shtatzëna. Pra këto mund të jenë segmente të popullatës që kërkojnë vëmendje shtesë sapo të fillojë sezoni i gripit”,- thekson profesor Andrew. Hemisfera Veriore duhet të përgatitet për një sezon gripi më të rëndë se zakonisht, paralajmërojnë mjekët. Më shumë njerëz kanë rrezik të infektohen, prandaj edhe pritet një përqindje më e lartë rastesh të rënda dhe vdekjesh nga gripi H1N1. Por zyrtarë të shëndetësisë po i bëjnë thirrje popullatës të mos përhapë panik. Këtë radhë, ndryshe nga viti 1918, ka vaksina kundër gripit H1N1. Ata i këshillojnë njerëzit të bëjnë vaksina dhe të marrin ilaçe kundër virusit këtë vjeshtë, si dhe masat e zakonshme të higjienës dhe shëndetit vetjak.
17 Shtator 2009