Dëmshpërblimi i të përndjekurve, të afërmit denoncojnë njëri-tjetrin
Laureta Rryçi
Tiranë - Tundimi për të marrë dëmshpërblimin për burgun gjatë sistemit totalitar ka bërë që anëtarët e trungut familjar të denoncojnë njëri-tjetrin në Ministrinë e Drejtësisë për të dhëna të rreme. Burime pranë këtij dikasteri pohuan dje për gazetën “Albania” se gjatë muajve të fundit kanë pasur jo pak raste denoncimi ku flitet për disa nga formularët e vetëdeklarimit që kanë dhënë përfituesit për të marrë dëmshpërblim. Të njëjtat burime shpjeguan se këtyre denoncimeve u ruhet anonimati nga ana e Ministrisë. Menjëherë pasi rasti paraqitet te grupi punës që shqyrton dosjet e të përndjekurve, fillon verifikimi i rastit. Specialistët e Ministrisë së Drejtësisë kanë parë të arsyeshme të shfrytëzojnë një nga nenet e ligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Sipas Nenit 31 të ligjit "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist", çdo qytetar, në mënyrë individuale apo në grup, ka të drejtë të denoncojë të dhëna të rreme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e procesit të përfitimit të dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist. Ministri i Drejtësisë shqyrton çdo denoncim të rastit. Përgjigjja e verifikimit bëhet publike në faqen zyrtare të Ministrisë edhe nëse hartuesi i saj është anonim.
Denoncimet
Sapo qytetarët kanë mësuar rreth këtij neni nuk kanë ngurruar të denoncojnë të afërmit të tyre që si duket nuk kanë dashur ta ndajnë në mënyrë të barabartë shumën financiare që pretendojnë t’u japë shteti. Sipas specialistëve, zakonisht denoncimet kanë ardhur për rastet kur fëmijët jetojnë në familje më vete dhe ngrenë pretendimin se ai që duhet të marrë më tepër janë ata që kanë mbajtur prindërit. Apo rastet kur djemtë nuk dëshirojnë ta ndajnë dëmshpërblimin me motrat. Denoncimi është i rëndësishme për një dosje për shkak se pezullon për momentin veprimet që specialistët po bëjnë për të. Në rastin kur bëhen kalkulimet për masën e dëmshpërblimit, pezullimi i përkohshëm bën që emri të spostohet për të përfituar dëmshpërblim pasi të jetë hetuar mbi aludimet e ngritura.
Përfituesit
Me ndryshimin e ligjit, për rrethin e përfituesve, dëmshpërblimi duket se ka ndikuar për rritjen e konflikteve brenda këtyre familjeve. Sipas ndryshimeve që iu bënë ligjit u përcaktua që me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish-të dënuarit politik, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave. Familjarët, në shkallë më të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë. Pasi ministria ka pranuar kërkesën dhe specialistët vendosin që kërkuesit i takon dëmshpërblimi, në këtë moment njihet vetëm një person zyrtarisht për të tërhequr dëmshpërblimin nga llogaritë bankare. Sipas ligjit, dëmshpërblimi financiar, i depozituar në llogaritë bankare, tërhiqet personalisht nga vetë ish-i dënuari politik apo nga kujdestari i tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar, apo nga familjari i viktimës së ekzekutuar. Kur ish-i dënuari politik ka vdekur apo vdes para ditës së tërheqjes së kësteve të dëmshpërblimit, shumën e parave e përfitojnë, në pjesë të barabarta takuese, vetëm familjarët e tij. Kur asnjë prej tyre nuk është gjallë, dëmshpërblimi shuhet dhe fondet i kthehen buxhetit të shtetit. Banka e nivelit të dytë lejon tërheqjen e të gjithë depozitës nga përfituesit e përcaktuar në paragrafin e dytë të këtij neni, vetëm pasi ata/ai depozitojnë/depoziton personalisht certifikatën e vdekjes së ish të dënuarit politik, dëshminë e trashëgimisë së tij dhe dokumentin, që vërteton se të paktën që njëri prej tyre është gjallë. Banka e nivelit të dytë, në dokumentin përkatës, shënon të dhënat e personit/personave që tërheq/tërheqin dëmshpërblimin, për llogari të vet dhe të gjithë përfituesve. Një kopje e këtij dokumenti dhe e dokumentit që provon tërheqjen e llogarisë bankare, i bashkëlidhen dosjes individuale në Ministrinë e Financave. Asnjë veprim bankar nuk mund të kryhet në kundërshtim me paragrafët e mësipërm të këtij neni, edhe nëse ai mund të autorizohet me prokurë. Ministria e Financave mbikëqyr mënyrën e respektimit të këtij detyrimi ligjor dhe, kur vëren shkelje, gjobit bankën e nivelit të dytë me gjobë të barabartë sa trefishi i çdo depozite, të shpërndarë në kundërshtim me përcaktimet e këtij neni.
Ministria po shqyrton listën e tretë me përfituesit
Ministria e Drejtësisë bën gati listën e tretë me emrat e të përndjekurve që do të përfitojnë dëmshpërblim. Burime pranë këtij institucioni shpjeguan se grupi i specialistëve që po shqyrtojnë kërkesat kanë përgatitur rreth një mijë emra, të cilët ia kanë dërguar për miratim ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Të njëjtat burime shpjeguan se do të jetë ky i fundit ai që do të hedhë firmën për të nisur më pas kalkulimet për secilin emër. Kjo është lista e tretë brenda këtij viti që Ministria e Drejtësisë ka përgatitur me emrat e të përndjekurve që do të përfitojnë dëmshpërblim. Lista paraprake mendohet se do të jetë gati për miratim në qeveri në fund të këtij muaji. Sakaq, në këtë ministri vijon shqyrtimi i kërkesave sipas fazës në të cilën ndodhen dosjet. Rreth një mijë emra të përndjekurish kanë mbërritur në tavolinën e ministrit Enkelejd Alibeaj për të marrë miratimin e tij. Lista me emrat ende nuk bëhet publike nga ky dikaster për shkak se cilësohet si listë paraprake, pasi ende nuk ka mbaruar procedura për të. Sipas specialistëve, pas firmës së ministrit kjo listë do të shpërndahet sërish për kalkulime të masës së dëmshpërblimit që i takon secilit prej të përndjekurve që kanë kaluar fazën e parë. Në këtë fazë janë shumë të rëndësishme të dhënat që përfituesi ka dhënë në formularin e vetëdeklarimit. Kjo për shkak se në varësi të këtyre të dhënave do të bëhen përllogaritjet mbi dëmshpërblimin që duhet të fitojë. Më pas lista do t’i dërgohet qeverisë së re për miratim.
Masa e dëmshpërblimit për të burgosurit, të internuarit ose të dëbuarit politikë
Çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë
Për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1 000 (një mijë) lekë në ditë;
Për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Dëmshpërblimi i përcaktuar në paragrafin më sipër u takon dhe familjarëve të tij, në pjesë të barabarta takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake.
Nga shuma që çdo i dënuar politik përfiton nga ky ligj, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme
17 Shtator 2009