E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seance per Postriben Topalli Te rishikohet historia

Parlamenti në një seancë të posacme përkujtoi 65 vjetorin e kryengritjes së Postribës, që vlerësohet si e para lëvizje antikomuniste jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë. Në sallën e seancave zunë vend familjarë dhe të afërm, të atyre që regjimi komunist i vrau, pushkatoi dhe dënoi, për kryengritjen e 9 shtatorit të 1946, që u risoll në vëmendjen e të pranishmëve përmes një materiali filmik.

Shtypja e  kryengritjes së  Postribës, pasoi më hakmarrje masive ndaj krahinës dhe  bilanci ishte 21 të vrarë 19 të pushkatuar, mbi njeqind të dënuar dhe internuar. Ndërsa u vu në dukje fakti që kjo ngjarje është deformuar dhe nuk ka gjetur pasqyrimin e duhur , kryeparlamentarja Jozefina Topalli theksoi edhe njeherë nevojën e rishikimit të historisë.

“Unë sot kam një ftesë për historianët; ku jeni?  Përse nuk shkruani? Ku jeni? Përse nuk thoni të vërtetën? Flisni me të vërtetën, ajo nuk dëmton askënd, është detyra jonë që të themi të vërtetën. Ejani të hapim një kapitull të ri, ejani të themi se cilët jemi ne shqiptarët”-tha Topalli.

Hamza Kazazi, djali i Jup Kazazit, një ndër organizatorët e lëvizjes antikomuniste , tha se është e rëndësishme, që brezat e rinj të njohin historinë.

“Kryengritja po përgatitej. Deri para disa vjetësh kemi qenë dëshmitarë të gjallë me xhaxhallarët e mi dhe dëshmitarë të tjerë qysh në ’45-ën. Fill pas 29 nëntorit, filloi përgatitja për një kryengritje të përgjithshme në Shqipëri”-tha Kazai.

Lëvizja e Postribës, synonte si fillim marrjen e qytetit të Shkodrës dhe më pas marshimin drejt Tiranës. Sipas djalit të Jup Kazazit, që u referohet letrave të babait, ishin bërë përpjekje për të organizuar lëvizjen antikomuniste në të gjithë Shqipërinë.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›